E premte, 26 Korrik, 2024

SHQIPTARËT E LUGINËS NË MBËSHTETJE TË SHAIP KAMBERIT

Këtë të premte, më 27 maj, në Luginën e Preshevës, Shaip Kamberi dhe “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” kërkojnë për herë të tretë mbështetjen e shqiptarëve për sigurimin e ulëses së vetme të përfaqësimi në Kuvendin e Serbisë. KDP transmeton se si kandidat i vetëm me më shumë gjasë për të shtruar e përfaqësuar edhe gjatë një mandati zërin e shqiptarëve, Kamberit i duhet e gjithë mbështetja e votuesve të Qendrës numër gjashtë në Tërnoc, për të korrigjuar me verdikt të popullit edhe këtë padrejtësi të politikës serbe.

Nëse një mandat parlamentar, nga i cili varet formimi i parlamentit dhe qeverisë së Serbisë, do t’i takojë shqiptarëve apo Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), do të vendoset të premten, më 27 maj, në një vendvotim në Tërnovc të Madh. Sikurse raporton media në Luginën e Preshevës, në këtë vendbanim zgjedhjet po përsëriten për të tretën herë brenda më pak se dy muajve, pas ankesës së SPS-së, e cila humbi një mandat deputeti pas votimeve të para të përsëritura dhe hyrjes së shqiptarëve në Kuvend. Përsëritja e votimeve u bë pas hedhjes poshtë nga ana e Gjykatës Administrative serbe të ankesës së Koalicionit të Shqiptarëve që mbështet kandidaturën e Shaip Kamberit për deputet. Beteja zhvillohet mes këtij të fundit dhe kandidatit të socialistëve serbë.

Në një reagim në facebook, Shaip Kamberi, i cili në legjislaturën e fundit parlamentare serbe mori epitetin e përfaqësuesit dhe zërit të vetëm opozitar, thotë se zgjedhjet për të tretën herë në Tërnoc bëhen ‘vetëm për një arsye, se pushteti i Partisë Popullore Serbe (SNS) dhe SPS-së në Beograd ka vendosur me iu pamundësuar me çdo kusht shqiptarëve të kenë deputet’:

‘Së fundi ishte personalisht Ivica Daçiqi ai që e keqpërdori shtetin për t`i përbuzur votat e rreth 700 qytetarëve të Tërnocit, respektivisht të mbi 13.000 shqiptarëve.

Dy herë mobilizuan të gjitha strukturat e shtetit. Policinë, gjykatat, komisionet zgjedhore, ministritë, mediat pro-qeveritare etj. Veprojnë sikurse të jemi në gjendje lufte të pashpallur. Se lufta s’është vetëm e armatosur,’- vlerëson Kamberi duke iu drejtuar votuesve të tij dhe opinionit publik:

‘Me rëndësi është të kuptohet se zelli i tyre për ta pamundësuar deputetin shqiptar në Beograd nuk është arsye elektorale. Se një deputet i vetëm nuk ia rrezikon pushtetin. Thjesht është politikë antishqiptare.

Pra, lufta e tyre kundër deputetit shqiptar në parlament është vazhdimësi e politikës së fshirjes së shqiptarëve.

Vazhdimësi e pasivizimit të vendbanimeve.

I kanë fshirë shqiptarët nga drejtësia, siguria dhe ekonomia.

Kanë fshirë flamurin kombëtar shqiptar. Kanë fshirë diplomat e të rinjve. Kanë fshirë punëtorin.

I fshijnë shqiptarët nga institucionet. I fshijnë nga shtëpitë e tyre.

Jo vetëm nuk përfshijnë shqiptarët në spital, në doganë, në postë, në inspeksione etj. Por i përjashtuan edhe ata pak shqiptarë të mbetur në Medvegjë nga pushteti lokal.

Pra nuk do të ndalen me eliminimin e deputetit shqiptar në parlament.

Politika e fshirjes së shqiptarëve është politika e tyre para së premtes. Do të jetë politika e tyre pas së premtes.

Prandaj:

– E premtja nuk është dita e fitores së Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe aq më pak e imja personalisht.

– E premtja është dita e Referendumit kundër politikës shtetërore të fshirjes së shqiptarëve.

Andaj ju ftoj të gjithëve, votuesve të vendvotimit në Tërnoc, si dhe të gjithë atyre që mund të kontribuojnë në mënyrë indirekte, kudo që jeni, të ndihmohemi, të mobilizohemi dhe të organizohemi, për t’i thënë JO politikës së fshirjes së shqiptarëve duke votuar numrin 16,’ – transmeton KDP shkrimin e Shaip Kamberit.

Të drejtën e votës në vendvotimin në Tërnoc e kanë 1.089 votues, shumica prej të cilëve njoftohet të jenë të komunitetit shqiptar. Media shqipe në Luginën e Preshevës raporton se Shaip Kamberi, pavarësisht presioneve të politikës serbe, ka për të siguruar edhe një mandat, të deputetit të vetëm shqiptar, në legjislaturën e re të parlamentit të Serbisë./KDP/

Të fundit