E premte, 26 Korrik, 2024

PE PËRBALLË PËRPLASJEVE HISTORIKE MES SHKUPIT DHE SOFJES

Raporti shpreh mbështetje për Shkupin dhe Sofjen që të gjejnë zgjidhje të ndërsjellë të pranueshme për çështjet e hapura bilaterale dhe fuqishëm e përshëndet nxitjen politike për komunikim të gjerë, konstruktiv mes të dyja vendeve, duke kërkuar bazë të re të përbashkët në shumë sfera me interes të ndërsjellë në vend të linjave plotësuese të ndarjes. Brenda kohës përfaqësues të qeverisë kanë thekuar se topi është në Bullgari dhe atje duhet të konsolidohen qëndrimet.

Shkruan: Enis Shaqiri

Parlamenti Evropian pritet të debatojë për Raportin e eurodeputetit Ilhan Quçuk, për progresin e vendit, ku BE-ja thirret që t’i vlerësojë implikimet e rëndësishme historike të sigurisë për stabilitet.

Në dokument u bëhet “thirrje urgjente” vendeve të BE-së që të tregojnë unitet me hapjen formale të bisedimeve për anëtarësim me Shkupin dhe Tiranën, duke i marrë parasysh implikimet gjeopolitike dhe përmbushjen e kërkesave zyrtare, siç janë investimet në besim, stabilitet, progres dhe pajtim në rajon.

Mes tjerash raporti shpreh mbështetje për Shkupin dhe Sofjen që të gjejnë zgjidhje të ndërsjellë të pranueshme për çështjet e hapura bilaterale dhe fuqishëm e përshëndet nxitjen politike për komunikim të gjerë, konstruktiv mes të dyja vendeve,

Partnerët inkurajohen që ta përshpejtojnë këtë angazhim me vullnet të mirë dhe në përputhje me marrëveshjen dypalëshe dhe t’i fillojnë bisedimet për anëtarësim, sinqerisht duke u angazhuar që të arrijnë zgjidhje të ndërsjella të balancuara dhe të përhershme për çështjet e hapura bilaterale sa më shpejtë që është e mundur”, potencohet në dokument.

Ndërkaq, shefja bullgare e diplomacisë thotë se vazhdon presioni ndaj Sofjes për heqjen e vetos për Maqedoninë e Veriut.
Teodora Gençovska ka deklaruar “ne jemi gati dhe presim që Maqedonia e Veriut ta fillojë procesin për ndryshim të Kushtetutës dhe plotësimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë”. Vendimi për hapjen e negociatave aderuese, sipas ministrit Bujar Osmani është “vendim gjeostrategjik që do t’i motivojë për kompromise vendet me çështje të hapura në Ballkanin Perëndimor.”

Ndryshe, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka theksuar se topi është në Bullgari dhe se atje duhet të konsolidohen qëndrimet lidhur me atë se çka më tej.

Nuk ka momente të reja në negociatat me Bullgarinë. Topi është në Bullgari dhe atje duhet të konsolidohen qëndrimet lidhur me atë se çka më tej. Ne e kemi thënë atë që kemi pasur në të gjitha takimet dhe madje e kemi zyrtarizuar në dokumente të ndryshme. Ne nuk po punojmë për ndonjë gjë të re nga ajo që kemi diskutuar deri më tani, por presim që Republika e Bullgarisë të ketë një qëndrim të konsoliduar në qeveri, për atë se çfarë do ë bëjmë më tej”, tha Osmani.

Të njëjtën e deklaroi edhe Dimitar Kovaçevski, i cili theksoi se ende nuk ka asnjë element të ri që çon në zgjidhje të kontesteve historike mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, dhe se duhet të zgjidhet kontesti, por jo që kjo zgjidhje të jetë e përshpejtuar.

Në këtë moment nuk ekziston dokument i cili është i pranueshëm për të dyja palët dhe i cili mund të paraqet bazë për zgjidhje. Unë nuk jam lidhur me datë nga dita e parë që jam bërë kryeministër dhe deri sot. Unë nga dita e parë kam theksuar që, neve na nevojitet zgjidhje e shpejtë megjithatë jo zgjidhje e përshpejtuar. Që do të thotë se, pse zgjidhje e përshpejtuar sepse, Maqedonia e Veriut 17 vite ka status kandidat dhe ekziston rrezik që një proces që është i gjerë, besimi tek ai të ulet jo nga ana e institucioneve, por nga ana e vet qytetarëve”, deklaroi kryeministri i RMV-së Dimitar Kovaçevski.

Raporti bën thirrje për vazhdimin e punës së teksteve të historisë për shkollat ​​në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut dhe vë në dukje “rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të të gjitha komuniteteve dhe luftimin efektiv të të gjitha rasteve të diskriminimit”. Raporti rekomandon që qeveria e Shkupit të sigurojë mbrojtje të barabartë kushtetuese. të drejtat e të gjitha bashkësive etnike dhe për të mbrojtur trashëgiminë e tyre kulturore, gjuhët dhe traditat përmes qasjes së barabartë, gjithëpërfshirëse dhe jodiskriminuese në arsim dhe media.

Pritet që eurodeputetët t’u bëjnë thirrje të gjitha vendeve që të vazhdojnë të kenë dialog konstruktiv që të sigurohet zbatim i plotë, dinjitoz dhe i vetëdijshëm i dy dokumenteve, duke u përmbajtur nga veprime të cilat do të mund ta minojnë qasjen në BE dhe interesat më të gjera evropiane ndërsa Komisioni Evropian t’i përforcojë përpjekjet e tij që ta lehtësojë dialogun dhe në atë mënyrë ta hapë rrugën për marrëveshje të qëndrueshme.

Të fundit