E premte, 26 Korrik, 2024

A do ta pushtojë Rusia Moldavinë?

Në vazhdën e luftës në Ukrainë, shqetësim paraqet fqinji i saj, Moldavia. Ky vend i vogël në Evropën Lindore, me një popullsi prej 2.6 milionë banorësh, po vuan tashmë pasojat e luftës, me më shumë se 400,000 refugjatë në tokën e tij. Por, Qeveria në kryeqytetin Kishinjev është e shqetësuar se konflikti mund të arrijë në kufijtë e saj. Dhe, në qendër të këtyre shqetësimeve është rajoni separatist pro-rus i Transnistrisë.

“Është një situatë komplekse dhe e tensionuar. Ne jemi vigjilentë. Do t’i marrim të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përshkallëzimin, për të forcuar sigurinë e shtetit dhe për të mbrojtur qytetarët tanë”, ka thënë presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.

Komentet kanë pasuar ato të gjeneralit rus, Rustam Minnekayev, se forcat ruse synojnë të marrin kontrollin e plotë të pjesës jugore të Ukrainës, gjë që do t’i siguronte pastaj Moskës lidhje direkte me Transnistrinë. Pas këtij paralajmërimi, Transnistrinë e kanë goditur një seri sulmesh me granata, përfshirë një në Ministrinë e Sigurimit të Shtetit në qytetin Tiraspol. Viktima nuk ka pasur, ndërsa Rusia dhe Ukraina kanë fajësuar njëra-tjetrën për sulmet.

Moldavia ndalon përdorimin e simboleve të agresionit rus

Transnistria është problematike tash e mbi 30 vjet. Kur Moldavia ka shpallur pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik, më 1991, Transnistria ka shpallur pavarësinë e saj njëanshëm, me mbështetjen e Rusisë. Lufta që ka nisur pastaj midis Qeverisë moldave dhe separatistëve pro-rusë, ka përfunduar me armëpushim midis Moldavisë dhe Rusisë, në vitin 1992. Çështja, megjithatë, nuk është zgjidhur.

Moldavia vazhdon ta konsiderojë Transnistrinë si territor të vetin, ndërsa Transnistria dëshiron të njihet si shtet. Atë nuk e njeh asnjë shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara. Njerëzit që jetojnë atje, janë kryesisht rusishtfolës, ndërsa Qeveria drejtohet nga separatistët pro-rusë. Transnistria nuk ka kufi me Rusinë, por Rusia ka atje rreth 1,500 trupa që i quan paqeruajtës. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se përmes tyre, Rusia do që ta destabilizojë Moldavinë.

“Sa u përket trupave ruse, që janë të stacionuara në territoret e pushtuara të Moldavisë, veçanërisht në Transnistri, e dimë se janë në gjendje të gatishmërisë së vazhdueshme luftarake dhe në pritje të urdhrit”, ka thënë Zelensky.

Draft-dokumenti zbulon planet ruse për rajonet e pushtuara ukrainase

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Andrey Rudenko, ka thënë se Rusia “dëshiron të shmangë skenarin” në të cilin Transnistria do të tërhiqej në luftë. Por, njohësit e këtij rajoni thonë se gjasat që kjo të ndodhë, janë të dukshme, edhe pse jo në një të ardhme të shpejtë, për shkak të humbjeve të ushtrisë ruse në Ukrainë.

Stefan Wolff, profesor i sigurisë ndërkombëtare në Universitetin Biringham të Mbretërisë së Bashkuar, flet për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:

“Mendoj se, për momentin, është vështirë të shihet se si Rusia do të ketë kapacitete ushtarake për të ndërtuar korridor tokësor deri në Moldavi apo Transnistri. Ajo është bllokuar në Donbas dhe nuk ka bërë përparimin që ka imagjinuar. Po ashtu, mos të harrojmë se kapacitetet ruse në Detin e Zi janë shkatërruar mjaft”.

“Për ta bërë të realizueshëm këtë korridorin tokësor deri në Moldavi, Rusisë do t’i duhen kapacitete të konsiderueshme detare, që për momentin mendoj se nuk i ka. Por, kjo nuk do të thotë se Rusia nuk do t’i përdorë asetet që ka në Transnistri për ta destabilizuar më tej situatën”, thotë Wolff.

Të fundit