E enjte, 12 Dhjetor, 2024

SHBA shpreson të rihapë ambasadën në Kiev këtë muaj

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se presin të rikthejnë ambasadën në Kiev deri në fund të muajit maj, nëse këtë gjë e mundëson situata.

“Ne dëgjojmë profesionistët e sigurisë dhe kur ata të na tregojnë se mund të kthehemi, ne do të kthehemi”, ka thënë e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, Kristina Kvien, të hënën, 2 maj.

Stafi i ambasadës amerikane është larguar nga Kievi gati dy javë para se Rusia të niste pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt, duke bartur disa funksione dhe diplomatë në Lviv.

Më pas të gjitha operacionet janë zhvendosur në Poloninë fqinje.

Disa shtete të Perëndimit kanë rikthyer tashmë ambasadat e tyre në Kiev, pasi Rusia ka tërhequr forcat e saj nga rajoni i kryeqytetit ukrainas, për t’u fokusuar në lindje dhe jug të Ukrainës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” me qëllim të çmilitarizimit të Ukrainës.

Perëndimi ka dënuar ashpër këtë vendim dhe ka vënë sanksione të pashembullta ndaj Moskës.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra njerëz dhe miliona tjerë kanë ikur nga Ukraina.

Të fundit