E diel, 3 Nëntor, 2024

Varhelyi: Pa nisjen e dialogut vështirë të flasim për integrimin në BE – për Kosovën e kemi një paketë shumë të madhe ekonomike

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama priti sot në një vizitë zyrtare Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësinë në Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.

I pyetur për situatën në Kosovë nga gazetarët në fund të komunikimit të përbashkët pas takimit, Varhelyi tha se Bashkimi Evropian po punon për një plan të rëndësishëm investimesh në Kosovë.

Ai shtoi se BE shpreson që puna për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të rifillojnë dhe që do të ketë përparim, “sepse vetëm nëpërmjet dialogut që promovohet nga BE do të ketë një zgjidhje afatgjatë”.

“Për këtë na duhet që të gjithë të jenë në tryezë me një frymë konstruktive dhe që të ketë ecuri. Pa nisjen e dialogut do të jetë shumë e vështirë që të ecet përpara dhe që të flasim më vonë për çështje shumë më të gjera si për shembull rrugëtimi i Kosovës drejt BE-së”, ka theksuar Varhelyi.

Ai ka shtuar se BE shpreson që Kosova më në fund të mbyll çështjet e hapura me Serbin dhe të investojë në të ardhmen e saj.

“Prandaj edhe për Kosovën ne në tryezë kemi vendosur një paketë shumë të madhe ekonomike dhe sociale dhe duam që të ecim sa më shpejtë që të jetë e mundur përpara”, ka sqaruar Varhelyi.

Thirrjen për vazhdimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë e ka mbështetur edhe Kryeministri Edi Rama.

Ai u shpreh se të gjitha vendet që kanë kontribuuar për pavarësinë e Kosovës po bëjnë thirrje për vazhdimin e dialogut dhe për arritjen e një marrëveshje përfundimtare midis dy vendeve. /Telegrafi

Të fundit