E premte, 26 Korrik, 2024

PROTESTË PËR HARMONIZIM TË PAGAVE NË SEKTORIN PUBLIK

Konfederata e Sindikatave të Lira ka filluar me protestë të përditshme para Qeverisë dhe Kuvendit nga ora 16:00 deri në orën 17:00 për harmonizim të pagave në sektorin publik me pagën minimale. LSDM-ja u bën thirrje sindikatave që kanë shpallur grevë dhe protesta, që të kthehen në negociata. Nga sindikata thonë se të drejtat e marrëveshjes kolektive injorohen rregullisht

 Shkruan: Puhiza Osmani

Konfederata e Sindikatave të Lira ka vendosur të protestojë dhe do të kërkojë ndër të tjera ngritjen e pikës në 103 denarë bruto, në mënyrë që paga më e ulët në sektorin publik të jetë rreth 18.200 denarë dhe të ruhet diapazoni i pagave tjera. Gjithashtu ata nuk pajtohen me propozim-ndryshimet e Ligjit për nëpunësit administrativë, me të cilat sipas tyre, pagat do të rriten për 100 deri në 200 denarë. Sipas KSL, ky problem prek rreth 100 mijë punëtorë në vend.

“Ne u qëndrojmë kërkesave tona. Do të protestojmë çdo ditë. Anëtarësimi është jashtëzakonisht i zhgënjyer dhe ndihet i manipuluar. Zgjidhja është shumë e thjeshtë, zbatimi i nenit 88 që shpjegon ligjin për nëpunësit administrativ, i cili thotë se Qeveria e ngre çështjen”, thotë Ralpovski.

Qeveria, ndërkohë kishte arritur marrëveshje me SASHK për rritjen e pagave në shkolla dhe çerdhe për 12 për qind në sektorin e arsimit dhe mbrojtjes së fëmijëve, për ndërprerjen e grevës në arsim, dhe kthimin e shpejtë të nxënësve nëpër shkolla pas një pauze dy javore. Mirëpo, ndërkohë SASHK-u kishte njoftuar se greva në shkolla do të vazhdojë, ndërsa në çerdhe do të ndërpritet.

Nga Sindikata e Pavarur e institucionit të punonjësve të Regjistrit, kanë shpallur se nesër nga ora tetë do të dalin në grevë. Në njoftim thuhet se për sa kohë do të zgjasë greva nuk do të lëshohen vërtetime nga amvisëria e lindjeve, martesave dhe vdekjeve.

LSDM-ja u bën thirrje sindikatave që kanë shpallur grevë dhe protesta, që të kthehen në negociata duke theksuar se qeveria i ka dëgjuar kërkesat e tyre.

“Siç e kemi theksuar edhe herë më parë, e drejta e grevës dhe protestës është një e drejtë e garantuar me Kushtetutë, por gjithmonë duhet t’i japim prioritet dialogut social, sidomos kur shohim se qeveria ka një dëgjesë për dialogun social. Tashmë ka pasur një takim me sindikatat përfaqësuese në sektorin publik për të harmonizuar pagat në të gjithë sektorin publik dhe për të rikthyer disa të drejta që nuk janë praktikuar prej vitesh siç është K-15 për sektorin publik. Prandaj i bëjmë thirrje të gjitha sindikatave që të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe ritheksojmë se qeveria po dëgjon dhe se do të ketë rritje të pagave”, tha deputetja Sanela Skrijelj.

Kryetari i Sindikatës së Komunës së Kërçovës, Tino Aleksov u shpreh se Konfederata po përpiqet që të vendosë në dukje interesin e evoluimit të situatës së sindikatave dhe të negociatave kolektive, veçanërisht në lidhje me të drejtën e punëtorëve për të krijuar organizatat e zgjedhjes së tyre. Ai gjithashtu theksoi se qeveria duhet të vendosë një komitet me përgjegjësi për shqyrtimin e legjislacionit social, duke marrë parasysh Konventat dhe Rekomandimet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës.

“Të drejtat e marrëveshjes kolektive injorohen rregullisht. Punëtorët nuk mund të bëjnë pazare për një pagë. Konfederata e sindikatave të lira ka për qëllim të përcaktojë parimet e bashkëpunimit të sindikatave në ndërmarrjet dhe çështjet që lidhen me përfaqësimin kolektiv dhe individual të të drejtave dhe interesave të punëtorëve në marrëdhëniet e tyre me drejtuesit e ndërmarrjeve dhe organet e vetëadministrimit të punëtorëve.Të sigurojë barazi të të gjitha sindikatave, duke përfshirë në veçanti të drejtat e barabarta të sindikatave që janë përfaqësuese për punëtorët e shumicës së ndërmarrjeve”, thotë Aleksov.

 

Të fundit