E martë, 28 Maj, 2024

BE hap proces kundër Hungarisë, po si funksionon ky mekanizëm?

Për vite me radhë në Bashkimin Europian është diskutuar një temë e rëndësishme: Si duhet t’i trajtojë BE-ja qeveritë e vendeve anëtare që shkelin në mënyrë sistematike vlerat demokratike bazë dhe shpërbëjnë shtetin e së drejtës në vendin e tyre? Debati për këtë çështje ka zgjatur një dekadë të tërë para se sa Brukseli të binte më në fund dakord për vënien në funksionim të të ashtuquajturit mekanizëm i shtetit të së drejtës, që hyri në fuqi në fillim të vitit 2021.

Pas ankimeve të Hungarisë dhe Polonisë kundër këtij mekanizmi, u desh edhe një vit tjetër deri sa Gjykata Europiane ta shpalli mekanizmin në muajin shkurt të këtij viti, si mekanizëm në përputhje me ligjet e BE dhe si të tillë të zbatueshëm. Tani ai vihet faktikisht në përdorim për herë të parë kundër Hungarisë, atij vendi anëtar të BE, i cili që prej 2010 shkaktoi në BE hapjen e debatit për shkak të aktiviteteve jodemokratike të qeverisë së kryesuar nga kryeministri, Viktor Orban.

Ditën e mërkurë (27.04.2022) zëvendëspresidenti i Komisionit të BE-së, Margaritis Schinas bëri të ditur në Bruksel se Komisioni i BE ka hapur një proces kundër Hungarisë, sipas mekanizmit të shtetit të së drejtës. Argumentet më të rëndësishme janë një numër i madh dyshimesh për korrupsion dhe parregullsi në tenderat publikë si dhe vënia në rrezik e pavarësisë së drejtësisë.

Për këto akuza Hungaria mund të dënohet me sanksione të mëdha financiare. Konkretisht mund të humbasë qindra milionë euro subvencione nga BE. Meqenëse ato janë të rëndësishme për ekonominë dhe kapin në vit nivelin e katër përqindshit të prodhimit të brendshëm bruto, mosdhënia do të ishte një mjet për të ndaluar shpërbërjen e shtetit të së drejtës nga qeveria e Orbanit. Të paktën kështu shpresojnë ata që kritikojnë kryeministrin hungarez.

Të komplikuara dhe me shumë detaje

Ajo çka tingëllon si e thjeshtë në pamje të parë është e komplikuar dhe me detaje. Hapi i parë është që Komisioni i BE-së i dërgon një letër qeverisë hungareze, në të cilën i shpreh shqetësimin për shkeljet e shtetit ligjor në vend dhe ngre pyetjet e veta. Konkretisht bëhet fjalë për parregullsi sistematike në tenderat publikë. Shpesh ndodh që tenderat publikë t‘i fitojnë persona që vijnë nga rrethi familjar dhe miqësor i kryeministrit Orban ose nga partia e tij, Fidesz. Në to ndodh që në lojë të jenë paratë e BE.

Ungarn | Passagierzug

Ka dyshime se tenderat projektohen me qëllim në mënyrë të atillë, që prej tyre të përfitojnë ky rreth i caktuar personash. Pas kritikave nga BE, ministri i Shtetit në qeverinë e Orbanit, Gergely Gulyas pati deklaruar para disa muajsh se në të ardhmen tenderat publikë do të projektohen nga e para. Por deri tani nuk ka ndryshuar asgjë.

Pengesa në zbatim

Nga ana tjetër kemi të bëjmë me parregullsi sistematike gjatë shitjes së tokës bujqësore tek sipërmarrësit e afërt me Orbanin, me transferime vlerash të mëdha pasurie publike tek fondacione që nuk kontrollohen dhe me mungesë bashkëpunimi midis Zyrës së BE për luftimin e mashtrimeve, OLAF, dhe Prokurorisë hungareze. OLAF ka bërë hetime vitet e fundit për mashtrime dhe korrupsion me paratë e BE dhe ia ka kaluar dosjet Prokurorisë hungareze. Por ajo nuk ka hapur gati asnjë proces ose i ka mbyllur ato pa ndonjë rezultat edhe në rastet e mashtrimeve shumë të dukshme.

Ungarn | Lehrer Streik

Qeveria hungareze ka tre muaj kohë për t’i kthyer përgjigje letrës së Komisionit të BE. Pastaj ajo mund të bjerë në ujdi me Komisionin për propozimet konkrete, si dhe në çfarë kohe mendon të mënjanojë problemet. Nëse Komisioni nuk do të kënaqet me përgjigjet, mund të ngrerë sanksionet financiare. Ato do jenë të zbatueshme për gjashtë ose nëntë muaj. Pengesa është se Këshilli i BE, organi i kryetarëve të shteteve dhe qeverive, duhet t’i aprovojë sanksionet me shumicë kualitative votash. Kjo shumicë arrihet me 15 nga 27 vendet anëtare të BE, pra të paktën 65 përqind të popullsisë së BE.

Kjo është pengesë e madhe, megjithëse jo e pakapërcyeshme, si në rastet e proceseve që bazohen në nenin 7 të Pakteve të BE. Me anë të këtij neni, një vendi anëtar të BE i hiqet e drejta e votës në BE, pra është një lloj përjashtimi nga Unioni, pa bërë një nxjerje jashtë zyrtare. Ky vendim kërkon aprovimin e të gjitha vendeve të tjera anëtare. Gjë që ndodh rrallë, kështu për shembull Polonia do vendoste veton në rastin e Hungarisë.

Lojë e re politike?

Një pengesë tjetër është hapësira e zbatueshmërisë së mekanizmit të shtetit të së drejtës: Ky instrument mund të përdoret në shkeljet e shtetit të së drejtës kur në to janë në lojë, në një formë apo tjetër paratë e BE-së. Nëse nuk kemi të bëjmë me një rast të tillë, BE nuk mund të ndërhyjë edhe po të bëhet fjalë për korrupsion të rëndë. Në fund të fundit rrezikimi i përgjithshëm i pavarësisë së drejtësisë mund të jetë një nga arsyet për të hapur proces për vendosjen e sanksioneve.

Kritikët shohin tek ky mekanizëm më shumë një instrument për luftimin e korrupsionit se sa një mjet efektiv për të luftuar shkeljet e shtetit të së drejtës në përgjithësi. Në situatën aktuale të luftës ruse kundër Ukrainës mund të ndodhë që qeveria hungareze të mundohet të mbrohet kundër kërcënimeve me vendosje sanksionesh duke ngritur nga ana e saj veton kundër sanksioneve të caktuara antiruse të BE. Kështu që zbatimi i mekanizmit të shtetit të së drejtës së BE, mekanizmit të shumëlëvduar,  mund të kthehet sërish në një lojë politike, si ajo që ka bërë Viktor Orban prej vitesh me BE./DW

Të fundit