E premte, 26 Korrik, 2024

NJËQIND DITËSHI I QEVERISË, MES LAVDEVE DHE KRITIKAVE

Njëqind ditëshi i qeverisë është parë nga këndvështrime të ndryshme. Për kryeministrin Kovaçevski, në  këto 100 ditë janë realizuar shumë punë, ndërkohë që qeveria mbetet e përkushtuar që të ruaj vazhdimësinë dhe të mundësojë jetë më të mirë për qytetarët. Për partitë opozitare, ky 100 ditësh është një 100 ditësh mashtrimi, manipulimi dhe humbje shprese për qytetarët.

Shkruan: Enis Shaqiri

Lideri i ri i Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë së Veriut, këtë javë ka shënuar 100 ditëshin e formimit të qeverisë së re.
Ndryshe qeveria e re në krye me kryeministrin Dimitar Kovaçevski në kuadër të kësaj periudhe, organizon aktivitetet e ndryshme, ndërkohë që do të dilet në fund me një raport për punët e kryera.
Në një seancë tematike të qeverisë, ku pika e vetme ishte shënimi dhe arritja e Qeverisë në 100 ditët e para, Dimitar Kovaçevski tha se me shumë përgjegjësi , përkushtim dhe vëmendje të plotë u përqendrova në formimin dhe harmonizimin e ekipit të ri për të përgatitur dhe zbatuar përgjigjet më përkatëse të sfidave serioze që e presin vendin.
Kovaçevski i theksoi çështjet më të rëndësishme në këtë periudhë dhe potencoi se Qeveria aktuale mbetet në qëllimin e qartë, të sigurojë vazhdimësi dhe siguri në krijimin e kushteve për një jetë më të mirë, si dhe një të ardhme evropiane për qytetarët.
Sipas Kovaçevskit edhe pse 100 ditët e para ishin ditë të sfidave, ditë të krizës shëndetësore, energjetike, ekonomike, qeveria përsëri arriti të sigurojë pagesë të pandërprerë të të gjitha obligimeve të buxhetit, rrjet të të hyrave, mbështetje investimeve të bëra, mbështetje bujqësisë, dhe gjithçka që duhet të bëjë një Qeveri për qytetarët e saj në kohë krize.
“Për këtë nevojitet qeverisje efikase, të ndershme dhe të përgjegjshme. Këto janë cilësitë që i kërkova nga të gjithë ministrat, që pranuan të jenë pjesë e ekipit, i cili së bashku synon t’u shërbejë interesave të të gjithë qytetarëve pa përjashtim”, tha Kovaçevski.

Mes tjerash përmendi se Maqedonia e Veriut si anëtare në NATO tërësisht e ka harmonizuar politikën e jashtme, ku janë  miratuar të gjitha vendimet, të harmonizuara me vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së. Mes tjerash kryeministri nënvizoi se prioritet i parë kryesor është përballja me krizën energjetike, që para së gjithash është krizë energjetike evropiane, që ndjehet edhe tek ne, ku mori dimensione shqetësuese shtesë me luftën në Ukrainë dhe se të gjitha shtetet aleate të veprojnë të bashkuar dhe ta mbështesin Ukrainën.

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, e drejtuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, u votua më 16 janar.

Në fjalimin para deputetëve, Kovaçevski tha se e ka të qartë porosinë e qytetarëve që doli nga zgjedhjet lokale, që u mbajtën në vjeshtë, dhe u zotua se do të mbetet i fokusuar në zhvillimin e ekonomisë, rritjen e pagave dhe pensioneve, zgjedhjen e krizës energjetike dhe asaj pandemike, si dhe në zhbllokimin e procesit të integrimeve evropiane.

Nga ana tjetër Aleanca për Shqiptarët thotë se 100 ditëshi ishte 100 ditë mashtrimi dhe varfërie dhe mjerimi. Deputeti i Aleancës për shqiptarët, Elmi Aziri, thotë se këto 100 ditë, fatkeqësisht e kanë shtuar bindjen e qytetarëve, veçanërisht të rinisë që ta braktis vendin. Aziri tha se në 100 ditët e para të qeverisjes së Kovaçevskit, ka thellim të varfërisë, rritje të papunësisë, shtrenjtim të çmimeve, e për të gjitha këto pushteti nuk ka përgjigje.

“Janë 100 ditë më tepër mashtrim, 100 ditë më tepër gënjeshtra, janë 100 ditë më tepër manipulim dhe janë 100 ditë më tepër shpresë e humbur për qytetarët. Janë 100 ditë të thelluara në korrupsion, janë 100 ditë të thelluara më tepër në skandale, janë 100 ditë të thelluara më tepër në krim të organizuar, janë në 100 ditë më tepër gjyqësi të thelluar në padrejtësi, e dini 8% është besimi në sistemin gjyqësor kjo i bie që as familjet e gjykatësve e prokurorëve nuk i besojnë sistemit gjyqësor në Maqedoninë e Veriut”, tha Aziri.

Ndërsa nga VMRO-DPMNE, në një reagim me shkrim thonë se 100 ditët e Qeverisë aktuale janë vazhdim i qeverisjes dhe shprehive të pesë viteve të kaluara.

“Paaftësi dhe krim janë fjalët me të cilat përshkruhet kjo periudhë, tani e pasuruar me borxh të ri prej 900 milion euro të dedikuara për vjedhje të re, ose jetë për zyrtarët në kohë të katastrofës kombëtare. Aq janë të paaftë që me gabim i numëruan 100 ditët, të cilat janë vazhdim i pesë viteve paaftësi dhe kriminalitet”, thonë nga VMRO-DPMNE

Të fundit