Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov paralajmëroi Perëndimin që të mos nënvlerësojë rrezikun nga shpërthimi i një lufte bërthamore për shkak të Ukrainës duke thënë se NATO-ja në thelb është në luftë me Rusinë për shkak se po furnizon Kievin me armë. Në një intervistë për televizionin shtetëror rus, Lavrov tha se përfundimi i konfliktit në Ukrainë do të varet nga situata në terren,- transmeton KDP njoftimin e Zërit të Amerikës.
Një nga pyetjet që iu shtruan Lavrovit ishte edhe ajo se sa e rëndësishme është shmangia e Luftës së Tretë Botërore dhe nëse situata aktuale mund të krahasohet me Krizën kubane të raketave të vitit 1962, kur marrëdhëniet midis Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara ishin shumë të këqija.
Lavrov thotë se Rusia po përpiqet t’i përmbahet parimit për pengimin me çdo çmim të luftës bërthamore. “Ky është pozicioni ynë kyç mbi të cilin bazohet çdo gjë tjetër, ndërsa rreziqet tani janë të konsiderueshme. Nuk do të doja t’i shtoja artificialisht ato rreziqe, megjithëse shumëkush do ta dëshironte këtë. Rreziku është serioz dhe real dhe ne nuk duhet ta nënçmojmë atë.”
Pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në muajin e tretë dhe është sulmi më i madh i një shteti kundër një shteti tjetër në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Mijëra njerëz janë vrarë ose plagosur, janë shkatërruar qytete, kurse mbi pesë milionë ukrainas kanë braktisur vendin.
Moska e quan luftën një “operacion special” që synon çarmatosjen e Ukrainës dhe mbrojtjen e saj nga nazistët. Ukraina dhe Perëndimi pohojnë se ky është një pretekst i rrejshëm për agresionin e Vladimir Putinit.
Lavrov ka fajësuar Uashingtonin për mungesë gatishmërie për dialog.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërprerë praktikisht të gjitha kontaktet vetëm sepse jemi të detyruar të mbrojmë rusët në Ukrainë”.
Shefi i diplomacisë ruse shton se armët që vijnë nga Perëndimi vetëm e zgjasin konfliktin, në vend që t’i japin fund.
“Ky armatim do të jetë një objektiv legjitim i forcave ruse në operacionin special. Depot e armëve në Ukrainë janë sulmuar disa herë. Dhe si të mos sulmoheshin? NATO-ja, në thelb, është në luftë me Rusinë duke armatosur aleatët e saj. Lufta do të thotë luftë .”
Lavrov pohon se autoritetet në Kiev nuk po negociojnë në mirëbesim dhe se presidenti Volodymyr Zelensky, një ish-aktor, është “i njëjtë si kryeministri britanik Boris Johnson – aktron në publik, përpara se të zgjidhë problemin në negociata”.
“Ata janë të ngjashëm në kuptimin që luajnë rol. Për shembull, për të aktruar negociata,”- citon KDP deklaratën e Sergej Lavrovit për televizionin shtetëror rus.