E enjte, 30 Maj, 2024

Serbia i përgjigjet Kurtit: “Hitleri i vogël” nga Ballkani

Serbia i është kundërpërgjigjur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përmes të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Kundërpërgjigjja e Serbisë ka të bëjë me deklaratën e Kurtit, që të dielën e quajti presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç “Putini i vogël”, duke iu referuar miqësisë mes tyre dhe tensioneve që shkakton Beogradi zyrtar në rajon, sidomos në Kosovë.

Drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviç, e ka quajtur Kurtin “Hitleri i vogël nga Ballkani”, shkruan “B92”.
“Në ëndrrat dhe planet e tilla të Hitlerit, ai shqetësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili po lufton si luan për interesat e popullit serb në Kosovë dhe Metohi, i cili nuk do të lejojë askënd që të pastrojë etnikisht popullin tonë nga krahina jugore dhe kryejë spastrime e stuhi të reja”, ka thënë Petkoviç.
Zyrtari serb ka folur se si presidenti i tij Vuçiç është garantues i stabilitetit dhe paqes në rajon dhe se Serbia “po mundohet për të mirën e gjithë Ballkanit”.

“Ndërsa Beogradi i ndihmonte serbët dhe shqiptarët, Prishtina po rinovon shtëpinë përkujtimore të bashkëpunëtorit nazist Xhafer Deva, ndërsa Hitleri i vogël dëshiron të krijojë një Shqipëri të madhe, Beogradi po mbron nismën Ballkani i Hapur dhe ndërsa refuzon të formojë Asociacionin si garantues të paqes dhe stabilitetit, Kurti po e dërgon ROSU-n në mjediset ku jetojnë serbët”, ka shtuar Petkoviç.

Të fundit