E shtunë, 25 Maj, 2024

Osmani: Do të vazhdojnë përpjekjet për një marrëveshje për targat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më 22 prill se në ditët në vijim do të ketë përpjekje që të arrihet një zgjidhje e përhershme për targat e makinave, pasi një ditë më parë, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, dështuan që të arrinin një marrëveshje për këtë çështje.

Bashkimi Evropian u bëri thirrje palëve që të vazhdojnë bisedimet, pasi më 21 prill ishte data kur skadonte një marrëveshje e përkohshme për targat, e cila parasheh mbulimin me letra ngjitëse të simboleve shtetërore në targa.

“Në ditët në vijim do të ketë akoma përpjekje. Ajo çka unë mund t’iu siguroj është që Kosova do të jetë palë konstruktive dhe Kosova do të vazhdojë të jetë palë e cila respekton parimet dhe standardet më të larta evropiane”, tha Osmani gjatë një konference në Prishtinë së bashku me homologun e saj nga Estonia, Egils Levits, i cili po qëndron në Prishtinë.

Letrat ngjitëse “arnojnë” marrëveshjen për targat

Presidentja Osmani fajësoi Serbinë për dështimin e arritjes së marrëveshjes për targat, duke thënë se që prej vitit 2011, kur ka nisur dialogu me ndërmjetësimin e BE-së, Serbia nuk ka zbatuar marrëveshjet, veçmas ato për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, gjë që, sipas Osmanit, u ka shkaktuar probleme qytetarëve dhe bizneseve.

“Republika e Kosovës ka dhënë maksimumin si një palë konstruktive në dialog që të arrihet një marrëveshje, ashtu siç ka kërkuar edhe BE-ja, në përputhje me kriteret, parimet dhe standardet e BE-së, por ne nuk mund të marrin përgjegjësi për bllokadën që e po shkakton pala serbe”, tha presidentja e Kosovës.

Ajo shtoi se nuk e di se si do të sillet Serbia, “por fatkeqësisht sjella e tyre e deritanishme vetëm e ka bllokuar progresin në dialog”.

Petkoviq: Marrëveshja e përkohshme për targat është ende në fuqi

Pavarësisht se marrëveshja e përkohshme e targave skadoi më 21 prill, të premten, në pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, gazetarët e Radios Evropa e Lirë kanë parë se makinat me targa serbe dhe ato kosovare, po përdorin letrat ngjitëse për të mbuluar simbolet shtetërore në targa dhe qarkullimi i tyre po zhvillohet normalisht.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka paralajmëruar se autoritetet nuk do të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe do të aplikojnë të njëjtat veprime sikurse Serbia, ndërkaq, kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, ka thënë se regjimi i letrave ngjitëse do të vazhdojë.

Të fundit