E premte, 26 Korrik, 2024

Hotel “Rusia” dyerhapur në Maqedoninë e Veriut

Duke nisur nga fakti se Rusia, pas fillimit të luftës në Ukrainë, do të dëshirojë të imponohet si njëri nga faktorët kryesore të multipolaritetit të globit, nuk do shumë mend se do të këmbëngulë ta shtrijë edhe më shumë dorën e ndikimit të saj edhe në Maqedoninë e Veriut. Pavarësisht se bëhet fjalë për agresion të Rusisë, i paprovokuar nga Ukraina, në rrjetet sociale nxorën kokën shumë intelektualë, por edhe politikanë që me “zemër” janë me Rusinë.

 

Shkruan: Sefer TAHIRI

 

Një deputet maqedonas, atëherë i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, e cila deklarohet si parti e majtë, me ide dhe vizione liberale dhe demokratike, parti që mbështet vlerat euroatlantike, në një bisedë private më pat thënë pa ekuivokë: “Nëse më pyet emocionalisht, unë me zemër jam me Rusinë, por pragmatikisht dhe politikisht jam me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Këtu nuk ka asnjë dilemë!”

Në fakt, tek fjalia e fundit e këtij deputeti nisin dilemat politike. Më kë është Maqedonia e Veriut, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë: me Rusinë apo me Perëndimin?

Me zemër me Rusinë, politikisht me Perëndimin!

Pavarësisht se bëhet fjalë për agresion të Rusisë, i paprovokuar nga Ukraina, në rrjetet sociale nxorën kokën shumë intelektualë, por edhe politikanë që janë me “zemër” me Rusinë. Jo që nuk ishte e ditur, por partia Levica (E Majta), përmes mosvotimit të Rezolutës për dënimin e sulmeve ushtarake ruse, i shprehu qartazi pozicionet e saj proruse. Të njëjtën gjë e bëri edhe Ivan Stoillkoviqi, deputet i Partisë Demokratike të Serbëve. Që komuniteti serb në Maqedoninë e Veriut është i orientuar kah Rusia, kjo nuk është ndonjë befasi e madhe, pasi këto janë lidhje historike-politike dhe ndikimi i Serbisë është i madh që ato të jenë më shumë emotive.

Por, maqedonasit etnikë, edhe pse në historinë e tyre nuk kanë pasur ndonjë mbështetje konkrete dhe reale nga Rusia, sërish një pjesë e madhe graviton kah hemisfera gjeopolitike ruse. Partie “E majta”, e drejtuar nga një politikan me ide majtiste, por edhe radikale etnocentrike, shpesh edhe albanofobe, sidomos kundër gjuhës shqipe në nivel zyrtar, është duke shënuar rritje në skenën politike të vendit. Idetë anti-NATO dhe proruse, takimi me ambasadorin rus në Maqedoninë e Veriut dhe antikosovarizmi e antishqiptarizmi, sikur kësaj partie të re politike janë duke i dhënë infuzion të madh dhe kanë ndikuar në ngritjen e saj, tashmë si subjekt me pretendime të qarta politike. Shumë qytetarë, por edhe intelektualë maqedonas, i përqafojnë idetë e saj, këtë parti dhe liderin e saj e mbështesin në forma të ndryshme. Përkrahja vërehet sidomos në rrjetet sociale. Edhe pse minore dhe me potencial margjinal politik, në Maqedoninë e Veriut funksionon partia e quajtur “Maqedonia e Bashkuar”, që ka emërtim të ngjashëm me partinë e Putinit “Rusia e Bashkuar”, e cila drejtohet nga një ish punonjës i sigurimit shtetëror, Janko Baçev. Natyrisht, që ndaj pozicionit prorus të një pjese të politikanëve dhe qytetarëve ndikon feja ortodokse, e njëjtë mes maqedonasve etnikë dhe rusëve, por mbi të gjitha ndikon ndjenja e përkatësisë në “botën sllave”, në të cilin grup bën pjesë edhe gjuha maqedonase. Maqedonia e Veriut, së bashku me Rusinë dhe Serbinë, vazhdon të kremtojë Krishtlindjen më 7 janar, sipas kalendarit julian dhe jo më 24-25 dhjetor, siç festohet në botën katolike perëndimore, përfshirë edhe një pjesë të madhe të botës ortodokse, siç është Kisha Ortodokse e Shqipërisë, krahas kishës greke, rumune, bullgare ose qipriote. Me siguri, kur Maqedonia e Veriut do të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, do të ëndodh edhe ky ndryshim, por tani për tani vendi është në një grup me shtetet sllavofolëse ortodokse.

Në të kaluarën, në opinionin e këtushëm politik ka pasur deklarime publike, edhe nga eksponentë të VMRO- DPMNE-së, partisë opozitare djathtiste maqedonase, se nëse nuk anëtarësohemi në NATO dhe BE, duhet të mendohet për alternativë! Por, lideri i kësaj partie, Hristijan Mickovski, edhe pse i kritikuar nga pushteti se nuk ka pasur qëndrim të prerë mbi agresionin rus, ka qenë decid se është kundër tij. “Kam pasur takim me ambasadorin e Federatës Ruse në selinë e VMRO-DPMNE-së dhe duke e parë në sy i thashë qartë se e mbështes integritetin territorial dhe sovranitetin e çdo shteti të pavarur, siç është Ukraina”, ka thënë Mickovski.

Shteti rus asnjëherë nuk e ka fshehur se është kundër anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Aleancën e NATO-s dhe përmes formave të ndryshme ka tentuar të pengojë zgjerimin e kësaj organizate, madje ka pasur edhe raportime mediatike se ka ndikuar në përgatitjen e skenarëve destabilizues në Ballkan, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut me theks të posaçëm.

Ndikimi rus në Maqedoninë e Veriut gjithmonë ka pasur një emërues të përbashkët: pansllavizmin dhe vëllazërinë sllave. Nuk mungojnë as disa media, kryesisht portale, që kanë orientim të qartë prorus dhe antiperëndimor, në të cilat Zelenski prezantohet si komedian ose si personazh filmash, ndërsa glorifikohet figura e Putinit. Ndërkaq në rrjetet sociale shpesh hasen lajme të rreme dhe dezinformacione, por edhe komente që favorizojnë diskursin politik dhe ideologjik rus.

Samsonenko dhe “Llukoil”, filiala ruse në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoni të Veriut, Rusia është e pranishme edhe simbolikisht. Në një lagje të Shkupit, funksionon hoteli “Rusia”, një emërtim që sikur dëshiron të tregojë se ideologjia ruse është e pranishme në vend. Në vjeshtën e vitit 2006, pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE-së dhe Nikolla Gruevskit në pozitën e kryeministrit, në Shkup gjoja rastësisht ka ardhur dhe ka mbetur këtu njëri ndër biznesmenët më të suksesshëm të vendit, Sergej Samsonenko. Sipas rrëfimit të tij me tone emotive, në një mëngjes kur është zgjuar në Vodno, ka parë gjelbërim dhe i ka pëlqyer shumë Shkupi dhe Maqedonia! Por, Samsonenko ka pasur vizion të qartë biznesi. Shteti do t’ia japë truallin e një salle të vjetër në lagjen Aerodrom, me koncesion në kohëzgjatje prej 35 viteve, në të cilin gjendet edhe hoteli dhe ai do të ndërtojë një kompleks në vlerë prej 15 milionë eurosh. Përballë sallës u vendosën themelet edhe të një objekti kishtar rus, i cili u bekua nga Kisha Ortodokse Maqedonase. Por, Kisha Ortodokse e Rusisë, njësoj si ajo e Serbisë, nuk e njeh autoqefalitetin (autonominë) e Kishës Maqedonase, duke e ditur se ajo është element i rëndësishëm për përdëftimin e identitetit të veçantë etno-kulturor të popullit maqedonas!

Samsonenko u bë pronar i klubit të hendbollit për femra dhe meshkuj “Vardar”, me të cilin në vitin 2017 u bë kampion i Europës dhe ishte pronar i klubit të futbollit që e mban emrin e lumit. Samsonenko e ka ndërtuar edhe hotelin “Meriot”, i cili u bë pronë e ish drejtorit të Drejtorisë së Sigurimit dhe Kundërzbulimit, Sasho Mijallkov, ndërsa u bë pronar ose bashkëpronar në shumë biznese në vend.

Përderisa shumë bizneseve ruse iu hap dera gjatë qeverisjes së Gruevskit dhe VMRO-DPMNE-së, kompania ruse e naftës “Llukoil” ka nisur punën e saj në Maqedoni, që në vitin 2006, kur në pushtet ishte Lidhja Socialdemokrate, ndërsa sot kjo kompani është shtrirë në shumë rajone, edhe në ato që banohen me shqiptarë.

Euroskepticizmi e rrit prorusizmin

Duke u nisur nga fakti se Rusia, pas fillimit të luftës në Ukrainë, do të dëshirojë të imponohet si njëri nga faktorët kryesore të multi-polaritetit të globit, nuk do shumë mend se do të këmbëngulë ta shtrijë edhe më shumë dorën e ndikimit të saj edhe në Maqedoninë e Veriut. Këtë do të tentojë ta bëjë, duke instrumentalizuar edhe më shumë figura intelektuale dhe qarqetë caktuara akademike-shkencore, si dhe duke përdorur eksponentë në rrjetet sociale.Një strategji tjetër do të jetë tentimi për përfitimin e partive politike kah vetja, por deri më tani kjo është treguar e pasuksesshme, pasi jo vetëm LSDM-ja, por edhe VMRO-DPMNE-ja, natyrisht edhe partitë shqiptare, të paktën nuk i shmangen deklarativisht kursit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Kjo luftë dhe sinjalet e Kremlinit kundër NATO-s duhet t’i ndezin alarmet edhe në Maqedoninë e Veriut për t’u rreshtuar edhe më fuqishëm krah fuqive perëndimore, të cilat duhet të shikohen si partnere miqësore. Njëkohësisht, lufta ruso-ukrainase duhet të kthjellojë Bashkimin Europian, i cili nuk duhet të mendojë më “gjerë e gjatë” mbi anëtarësimin e vendit në BE, kur Rusia po shfaqet me ambiciet e saj për të qenë lojtar i skenës gjeopolitike në nivel global, rrjedhimisht edhe me shumë ndikim në Ballkan, si në Bosnjë, Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut. Nëse BE-ja vazhdon me deklarimet e tipit “Ne kemi vullnet, por nuk mund t’u japim datë”, euroskepticizmi dhe prorusizmi do të jenë në raport të zhdrejtë.

Edhe pse mbështetja e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut ndaj BE-së dhe SHBA-së vazhdon të jetë e madhe, anketa e re e Qendrës për Hulumtime të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) tregon rritje të ndikimit rus, por edhe atij kinez, në Maqedoninë në Maqedoninë e Veriut. 60 për qind e qytetarëve pajtohen se marrëdhëniet e forta me Rusinë janë në shërbim të interesave të tyre! Rritja është për 6 për qind më e lartë, krahasuar me shkurtin e vitit 2020. Kjo rritje eksponenciale e ndikimit rus ka të bëjë me angazhimin e Rusisë dhe qarqeve të ndryshme të proveniencës ideologjike pansllave. Kjo nuk është fitore e Rusisë, por disfatë e Perëndimit!

 

Teksti fillimisht është botuar në Revistën Shenja

Të fundit