E shtunë, 27 Korrik, 2024

Debati në Parlamentin Evropian: BE-ja ftohet t’i mbajë premtimet ndaj Kosovës

Në Komisionin e Parlamentit Evropian për politikë të jashtme është zhvilluar të enjten, 21 prill, debati për draftin e raporteve për Kosovën dhe Serbinë. Për përmbajtjen e këtij raporti ka folur Viola von Cramon, raportuese për Kosovën. Radio Evropa e Lirë ditë më parë ka publikuar pjesët kryesore të këtij dokumenti.

Disa folës në debatin e së enjtes kanë shprehur mirënjohje për shpejtësinë, me të cilën Kosova kishte mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë dhe kishte dënuar agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Në debat kanë folur edhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe ata të shërbimit të Jashtëm të BE-së.

Vasilis Maragos nga Komisioni Evropian ka shprehur mirënjohje për qëndrimet e Kosovës rreth luftës në Ukrainë. Ai ka përshëndetur në veçanti edhe pjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në konferencën e donatorëve për Ukrainën.

Maragos ka paralajmëruar se Komisioni do ta ndihmojë Kosovën për t’u përballur me pasojat ekonomike. Në mënyrë të veçantë Maragos ka përmendur nevojën për investime në sektorin e energjisë duke e quajtur krizën e fundit të furnizimit me energji në Kosovë, si alarm për t’u zgjuar nga gjumi.

PE-ja përsërit thirrjen për liberalizim të vizave për Kosovën

Përfaqësuesi i Komisionit Evropian në këtë debat ka përsëritur se vlerësimi i Komisionit Evropian vazhdon të jetë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe se mbështetja nga Parlamenti Evropian në këtë drejtim mbetet kyçe.

Elsa Fenet, nga shërbimi i veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) po ashtu ka vlerësuar qëndrimet e Kosovës rreth luftës në Ukrainë. Ajo ka thënë se Kosova formalisht nuk është e obliguar që t’u përshtatet qëndrimeve të BE-së në politikën e jashtme, por gjithsesi një përshtatje e tillë është e mirëseardhur. Ajo ka theksuar se Kosova do të duhet të tregojë më shumë fleksibilitet në bashkëpunimin rajonal.

Rruga deri te viza

Të fundit