E shtunë, 27 Korrik, 2024

Vijon beteja për Mariupolin, arrihet marrëveshje për të evakuuar civilët

Ukraina tha sot se është arritur një marrëveshje paraprake me Rusinë për të evakuuar civilët nga qyteti i rrethuar i Mariupolit, ndërsa Moska kërkoi përsëri dorëzimin e trupave që mbrojnë qytetin.

Zv/kryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se marrëveshja për një korridor humanitar do të lejonte gratë, fëmijët dhe të moshuarit të largoheshin.

Rusia i ka dhënë një tjetër ultimatum forcave që mbrojnë Mariupolin për ditën e sotme që të largohen. Ky është i fundit i një sërë ultimatumesh që Ukraina i ka hedhur poshtë. Afati i djeshëm skadoi dhe Rusia tha se forcat ukrainase nuk e pranuan ofertën të dorëzohen në shkëmbin të sigurisë.

Rusia vazhdon të shtojë numrin e forcave në rajonin strategjik të Donbasit. Sekretari britanik i Mbrojtjes tha sot se luftimet në rajon janë intensifikuar ndërsa forcat ruse po përpiqen të çajnë mbrojtjen e Ukrainës.

Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel bëri sot një vizitë të paparalajmëruar në Kiev në shenjë mbështetjeje për Ukrainën.

Po sot Norvegjia njoftoi se do t’i japë Ukrainës rreth 100 raketa të mbrojtjes ajrore “Mistral”. Norvegjia ishte duke i nxjerrë nga përdorimi, por thotë se ato janë sisteme moderne të efektshme, që do t’i hyjnë në punë Ukrainës.

Ndërkohë në Uashington, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se Presidenti Biden zhvilloi një takim virtual dje me udhëheqës të Britanisë, Kanadasë, Komisionit Evropian, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, NATO-s, Polonisë dhe Rumanisë për të disktuar rreth ndihmave të mëtejshme ushtarake për Ukrainën.

Presidenti Biden tha se aleatët e NATO-s ranë dakort dje të nxjerrin në treg 240 milionë fuçi nafte në ditë për 6 muajt e ardhsëm, si një hap për t’i hequr mundësinë Moskës të përdorë burimet e saj energjitike si mjet lufte./VOA

Të fundit