E shtunë, 27 Korrik, 2024

Gërvalla: Serbia dhe Rusia, kërcënimet më të mëdha të stabilitetit në Ballkan

Serbia dhe Rusia janë kërcënimet më të mëdha të stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, tha më 20 prill para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla.

“Serbia është kërcënimi më i madh për normalizim të raporteve dhe stabilitet në rajon”, tha Gërvalla.

Ajo tha se Kosova është pjesë e Perëndimit, “ndërkaq Serbia vazhdon të jetë satelit i Rusisë”, duke shtuar se sipas saj, kjo është arsyeja pse rajoni i Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë i paqëndrueshëm. Ajo tha se me armatosjen e vazhdueshme të Serbisë, të gjitha vendet e rajonit janë të kërcënuara nga Serbia, pasi tha se ky shtet ka një “ushtri që është e gatshme të sulmojë”.

Gjatë fjalimit të saj, Gërvalla po ashtu foli edhe për sulmet e fundit ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në afërsi të pikëkalimeve kufitare me Serbinë, duke i cilësuar si “terroriste” dhe duke fajësuar Beogradin se po lejon që ato të ndodhin.

“Sulmet po vijnë nga territori i Serbisë dhe ato do të ishin të pamundura nëse [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq nuk do t’i toleronte ato”, tha Gërvalla.

Kosova, sipas kryediplomates Gërvalla, është e gatshme për dialog me Serbinë, si mënyrë për të ecur përpara, por ajo tha se Serbia fillimisht duhet të “pranojë realitetin” se Kosova është shtet i pavarur, duke përsëritur kërkesën e Kosovës se ky proces, që ndërmjetësohet nga BE-ja, duhet të përfundojë me njohje reciproke.

Serbia: Qeveria e Kosovës me qasje diskriminuese ndaj serbëve

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Sellakoviq, përmendi vendimet e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e një referendumi kushtetues serb, dhe më pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të 3 prillit.

“Kjo ishte hera e parë që prej 1999 që qytetarëve serbë iu ndalua marrja pjesë në zgjedhje. Institucionet në Kosovë edhe njëherë demonstruan qasjen e tyre diskriminuese”, tha ai.

Sellakoviq kujtoi protestat e serbëve në shtator të vitit të kaluar, për shkak të masës së reciprocitetit për targat nga Serbia, duke thënë se ky vendim kishte për qëllim “frikësimin e serbëve”.

Ai tha se serbët në Kosovë po përballen me kërcënime dhe qasje diskriminuese nga institucionet e Kosovës.

“Serbët po kërcënohen, po inkurajohen të largohen nga shtëpia e tyre dhe të zhvendosin po dekurajohen të kthehen në shtëpitë e tyre”, tha ai.

Duke folur për dialogun e ndërmejtësuar nga BE-ja, ai kërkoi që Kosova të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura, veçmas atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“[Qeveria e Kosovës] thotë se themelimi i Asociacionit nuk do të lejohet. Kjo vetëm që nuk minon dialogun, por direkt poshtëron faktorin ndërkombëtar, së pari BE-në”, tha Sellakoviq.

Të fundit