E shtunë, 27 Korrik, 2024

MBI LIBRIN SI UNIVERS

Faktorë tjerë për nxitjen e lexueshmërisë janë: tradita, shkolla, politikat kulturore dhe arsimore. Lexuesi formohet në fëmijëri. Një fëmijë mund të joshet nga libri kur atë e gjen në shtëpinë e tij. Prandaj, janë të rëndësishme bibliotekat familjare. Nxënësi mund të nxitet ta sheh “kolumbrenë” që në shkollë fillore. Kërshërinë e nxënësit për librin mund ta nxis një mësues, mësuese ose një bibliotekar i mirë. Dhe kur nxënësit t’i ngjallet pasioni për leximin, atëherë nuk duhet ndërhyrje tjetër.

 Shkruan: Salajdin Salihu

Libri, si një ndër shpikjet më të mëdha të njerëzimit, mundësoi mbartjen e dijes, përvojës, kujtesës dhe imagjinatës njerëzore ndër breza. Falë librit dialogojmë me të ikurit dhe të paardhurit në këtë botë. Libri ofron dije e informacione që nuk vjetërsohen dhe vlejnë për të gjithë kohët, hapësirat, sistemet kulturore.

Libri si çudi

Shkrimtarët dhe mendimtarët krijuan krahasime e epitete të panumërta për librin. E krahasuan edhe me gjithësinë e magjishme e të mistershme, e cila, në vazhdimësi, njeriut i zbulon gjëra të reja dhe ia ndryshon perceptimin mbi ekzistencën e tij në gjirin e saj.

Gjenitë e epokës sonë vazhduan të mahniteshin nga libri dhe ishin shpërfillës ndaj zhvillimeve teknologjike.

Njëri nga lexuesit më mbresëlënës në epokën tonë, argjentinasi Jorge Luis Borges-i (1899 – 1986), i mbeti besnik planetit TLNU – botës së librave. Tregimi “Shtëpia e Asterionit” komentohet si metaforë për Borges-in. Derisa Minotauri s’del nga labirinti, sepse s’mund të orientohet në kaosin e botës, Borges-i e kaloi jetën në prani të librave, në bibliotekë, të cilën e përqasi me parajsën dhe labirintin. Për të, libri ishte instrumenti më mahnitës i njeriut, sepse kur s’hapet nuk thotë asgjë, por kur e lexojmë “ndodh çudia”. Libri na pasuron, por edhe pasurohet nga lexuesi. Këtë çudi nuk na ofron ndonjë medium tjetër.

“Gazeta lexohet për t’u harruar edhe pllaka dëgjohet për t’u harruar, kurse libri lexohet për t’u mbajtur mend”, shkruan ai.

Duke lexuar një libër të vjetër, e lexojmë kohën e kaluar, por edhe kohën tonë.

Epoka e hiperrealitetit

Në epokën tonë, në epokën e hiperrealitetit e të spektaklit, sondazhet thonë se libri lexohet gjithnjë e më pak. Dominimi kulturës së masës i ka zhgënjyer autorët e “letërsisë elitare”. Izet Sarajliqi, në Librin e lamtumirave, shprehej i zhgënjyer se kishte ikur koha e artit të madh, por ngushëllohej se kishte jetuar në atë kohë. Ka autorë që këtë dukuri s’e shohin si diçka negative. Mbase ngushëllohen.

“Sot pak njerëz lexojnë. Në thelb, kjo s’është diçka e keqe. Janë pozitive edhe gjërat që duken negative. Ata pak lexues ngjajnë me priftërinj e priftëresha. Ne lexuesit dhe shkrimtarët jemi anëtarë të kastës priftërore. Ne jemi të shenjtë”, thotë shkrimtari Joseph Suglia.

Në botën e konsumit ka autorë që njëherësh krijojnë për lexuesin elitar dhe lexuesit në masë, sipas parimit të “kodit të dyfishtë”. Njëri kod dekodohet nga lexuesi elitar dhe tjetri nga lexuesi mesatar.

Në epokën tonë libri nuk është medium dominues, por ende  libri i shtypur mbizotëron kundrejt librit elektronik. Besojmë se nuk do ndodh “vdekja” e librit të shtypur, për sa kohë leximi i tij është njëfarë rituali.

Secila epokë ka pasur zhanre ose mediume dominuese. Në antikë ishte teatri. Pas shpikjes së shtypshkronjës nga Gutenbergu medium dominues u bë edhe libri. Pasuan radioja, televizioni. Së fundmi është interneti. Bota e sotme, sipas Marshall McLuhan-it (1911 – 1980), është zonë e ndërmjetme dhe traumatike ndërmjet Galaktikës Gutenberg dhe Galaktikës Digjitale. Këto ndryshime teknologjike dhe shoqërore ndikojnë edhe në preferencat e lexuesve. Kështu ka ndodhur edhe përgjatë historisë.

Predrag Matvejeviqi (1932 – 2017), te libri Epistolari lindor, thotë se në ish –Bashkimin  Sovjetik kudo shihje njerëz të humbur në lexim. Ata kërkonin te libri një dritare për ta parë “botën tjetër”. Në kësi sistemesh letërsia “kishte mision” t’i largonte njerëzit nga bota reale dhe ta simulonte realitetin. Por, kishte shkrimtarë që i bënin hile dogmës dhe u mundësonin lexuesve të lexonin “mes rreshtave”.

Sot sheh kudo njerëz të humbur në lexim. Lexohen informacione rrjetesh sociale. Informacione që lexohen dhe harrohen shpejt. Por, pak lexohet “mes rreshtash”.

Epoka jonë gulçohet nga banaliteti. Bota reale sfidohet nga virtualja. Njeriu sikur jeton në botën e “Matriksit”. Filozofi Jean Baudrillard-i ka shpikur termat “simulacrumi” dhe “simulacioni”. Sipas tij, realiteti më nuk është realitet. Ngjarjet nuk janë ngjarje. Lajmet nuk janë lajme. Dashuria nuk është dashuri. Në epokën tonë, që priret drejt gjërave kalimtare, argëtuese, banalja, sipas tij, është bërë kategori estetike.

Ka autorë që epokën digjitale e krahasojnë me personazhin Funes të Borges-it. Funesi, sikurse interneti, nuk harron asgjë, por nuk ka gjykim kritik ndaj botës. Ai e pranon pa filtrim të vërtetën dhe gënjeshtrën.

Umberto Eco (1932 – 2016), duke iu referuar tregimit, thotë se interneti është bërë “bibliotekë pa filtrim”. Sipas tij, funksioni i bibliotekës nuk është vetëm ruajtja e kujtesës, por edhe flakja e gjërave që një kulture nuk i duhen. “Kujtesa totale” e përmban të vërtetën dhe gënjeshtrën, që është “risk i madh, mbi të gjitha për të rinjtë”, thotë Eco.

Epoka e spektaklit, shajnisë dhe pagjuhësisë

Epoka jonë është epokë e spektaklit, e gjërave argëtuese, sipërfaqësore, e kiçit. Njerëzit i kanë adhuruar spektaklet. Në antikë adhuroheshin garat e gladiatorëve. Prej këtu vjen shprehja: “Bukë e festa”.

Erazmi i Roterdamit, ky “njeri i njerëzishëm”, ky “njeri i botës shpirtërore”, u ndje keq në një ndeshje demash. Ky spektakël ishte për të, siç thotë Cvajgu, një “zbavitje e përgjakshme” dhe “mbeturinë barbare”.

Servantesi e parodizoi letërsinë triviale kalorësiake me romanin Don Kishoti. Letërsia kalorësiake i fuste njerëzit në botën e shajnisë. Ngjashëm si ndodh sot me triumfin e botës virtuale kundrejt botës reale.

Epoka e sotme është edhe epokë e pagjuhësisë. Pagjuhësia është gjë me rrezik. Sipas Josif Brodskit, shoqëria që s’lexon poezi bëhet pre e demagogëve dhe e tiranëve që popujve u ofrojnë “spektakle të gjakderdhjes”. Brodski s’kishte iluzione se poezia mund ta mbronte botën nga tiranët. Ai na bën me dije kur njeriu e humb gjuhën fillon të joshet nga parullat, propaganda.

Bogdan Bogdanoviqi ishte ndër të parët që e kundërshtoi “stalinizimin e gjuhës” nga regjimi i Millosheviqit, i cili manipuloi, homogjenizoi dhe keqpërdori njerëzit për qëllime të mbrapshta politike.

Njeriu i librit

Njeriu i librave të mirë nuk pranon gjithçka që i ofrohet. Ai i filtron dhe i analizon informacionet. Për të është e huaj bota e pagjuhësisë.

Gjithçka që ndodh në shoqërinë tonë mund ta mësojmë nga librat e gjenive dhe jo nga mediat masive.

Nga Epi i Gilgameshit mësojmë për frikën e përhershme të njeriut nga vdekja dhe tentimin për të krijuar formë tjetër ekzistenciale. Ashtu siç mësojmë se njeriu i egër i natyrës, Enkidu, u qytetërua falë dashurisë, gruas.

Nga Prometheu i mbërthyer i Eskilit (ose i djalit të tij Eutherionit, siç hamendësojnë disa studiues për autorësinë e veprës) mësojmë për durimin dhe misionin e mendimtarit në kohën e pushtetit absolut që i privon njerëzit nga e vërteta dhe nga dija për t’i mbajtur të nënshtruar. Kjo praktikë ndodh edhe sot. Shtetet totalitare e privojnë njeriun nga dija duke ia kufizuar qasjen deri tek e vërteta.

Pasionin e frikshëm për pushtet dhe krimin që lind krimin mund të mësojmë nëpërmjet “stoikut të krimit”: Makbeth gjumëvrarin.

Politikën si pushtet dhe jo politikën si etikë e drejtësi, mund ta kuptojmë pasi ta kemi lexuar Princin e Makiavelit ose duke i lexuar veprat e Shekspirit. Do të shohim pastaj Hamletë, Makbethë, Lejdi Makbethë, Jul Cezarë, Mark Antonë, Brutë, Kasë e Jago të kohës sonë. Mund të shkojmë më larg në kohë. Nëpërmjet veprave të Eskilit, Sofokliut apo Euripidit do të mësojmë për intriga, rrjeta krimesh, flijime absurde për pushtet. Nëse zhytemi më thellë në kohë, deri te veprat e Homerit, do të mësojmë për përplasjet rreth Trojës, për Akil krenarin, Agamemnon mizorin, Odise dinakun, të fismin Hektor, por edhe eminencën gri, të urtin Nestor. Aty do të shohim se një qeveri e qiellit, ajo e Olimpit, është e njëjtë me qeveritë tokësore.

Për kokëfortësinë që çon në katastrofë mund të mësojmë nga Kreonti.

Për funksionimin e sistemit diktatorial mund ta mësojmë nga librat e Orwell-it, Kadaresë, Mario Vargas Llosës.

Nëse duam të mësojmë si funksionojnë gjyqet, ligjet dhe administratat, por edhe si na tjetërsojnë institucionet, atëherë mund t’i lexojmë veprat e Kafkës.

Për pritjen e kotë mund të mësojmë duke lexuar libra të Beckett-it ose Buzzat-it.

Nëse duam të mësojmë për krimin, ndëshkimin, shpengimin, botën e të fyerve e të poshtëruarve, mund ta lexojmë Dostojevskin.

Nëse duam të mësojmë sesi mediat (përfshirë edhe librin) na fusin në botë shajnie dhe na humbin kontaktet me realitetin mund ta lexojmë Don Kishotin e Servantesit.

Kësi shembujsh janë të panumërt. Dijet që i përfitojmë pasi të kemi lexuar libra, s’kemi për t’i fituar nëse jemi vetëm ndjekës të pasionuar të lajmeve të çdoditshme. Nga lajmet shpesh informohemi vetëm për efektet, për pasojat. Librat e gjenive mundësojmë ta njohim realitetin tonë dhe çdo realitet tjetër. Njerëzit, ndonëse duken qenie unikale e të papërsëritshme, kanë shumëçka të përbashkët. Njeriu, përkundër zhvillimeve teknike e teknologjike, nuk shpiku ndjenja të reja. Kohërat, që duken të ndryshme, në kushte të njëjta i përsëritin situatat e njëjta. Pra, e përhershmja dhe universalja gjendet te librat e gjenive. Kur lexojmë kësi librash, arrijmë ta “lexojmë” edhe kohën tonë.

Libri dhe “viktima”

Shpesh bëhet pyetja se përse (duhet të) lexojmë? Cilat janë mënyrat për t’i nxitur njerëzit të lexojnë libra? Shumë autorë kanë dhënë ide e sugjerime, por askush s’e ka tagrin për të vërtetën absolute.

Unë besoj se librat janë si Kolombreja nga tregimi i Dino Buzzatit. Kolombreja është një peshk simbolik që shihet nga viktima e tij. Personazhi Stefan Roji është i vetmi që e sheh atë, prandaj vendos mos t’i afrohet detit. Kalojnë vitet dhe ai tundohet për ta parë peshkun fatal. Dhe ndodh çudia. Kolombreja e nxjerr nga goja perlën e Zotit të Detit për t’ia dhënë atij.

Librin, pra, nuk e sheh secili, pavarësisht ligjëratave pedagogjike.

Ne mund të rendisim shumë faktorë dhe shkaqe që ndikojnë në uljen ose rritjen e shkallës së leximit.

Ne jetojmë në shoqëri mbijetese dhe emergjence ku njerëzit detyrohen të merren me gjëra utilitare. Kësaj gjendjeje i përshtatet qasja e Sartre-it për “ekzistencën që i paraprin esencës”. Para se të joshemi nga “esenca”, për çka na duhet koha e ngeshme, duhet të kemi “ekzistencë” të sigurt.

Faktorë tjerë për nxitjen e lexueshmërisë janë: tradita, shkolla, politikat kulturore dhe arsimore. Lexuesi formohet në fëmijëri. Një fëmijë mund të joshet nga libri kur atë e gjen në shtëpinë e tij. Prandaj, janë të rëndësishme bibliotekat familjare.

Nxënësi mund të nxitet ta sheh “kolumbrenë” që në shkollë fillore. Kërshërinë e nxënësit për librin mund ta nxis një mësues, mësuese ose një bibliotekar i mirë. Dhe kur nxënësit t’i ngjallet pasioni për leximin, atëherë nuk duhet ndërhyrje tjetër.

Kur jemi tek fëmijët dhe leximi mund të parashtrojmë shumë pyetje: Çfarë lektyrash u ofrohet nxënësve? A e zgjojnë kureshtje e tyre? A ka libra nga listat e lektyrave që s’u pëlqejnë nxënësve? Çfarë zhanresh pëlqehen nga nxënësit? Sa u jepet hapësirë nxënësve që të lexojnë libra që vetë i pëlqejnë? Sa bisedohet për librat që s’janë në plane e programe shkollore?

Sot kemi libra leximi që edhe lexuesit më të pasionuar ia shuajnë kureshtjen për lexim. Kemi libra që mezi lexohen për shkak të dizajnit. Kemi libra që shumëfishojnë urrejtje ndëretnike…

Sot duhet që fëmijët të nxiten të lexojnë sipas mënyrës klasike. Këtë e thotë edhe studiuesja Anita Peti – Shantiq, autorja e librit Leximi për të (mirë)kuptuar (2019). Ajo, pasi u referohet studiuesve që merren me këtë problematikë, thotë se është e rëndësishme që digjitalja mos lejohet të hyjë para kohe në jetën e fëmijëve. Veçanërisht para se fëmijët ta kenë përvetësuar leximin në mënyrën klasike.

Sigurisht, nuk duhet t’i paragjykojmë librat elektronikë. Të njëjtin libër të mirë ne mund ta lexojmë si libër të shtypur ose elektronik. Lexuesit do të joshen nga libri jo pse është i shtypur ose elektronik, por pse është interesant e sfidues.

Sot ka shumë biblioteka dhe librari virtuale që na mundësojmë të gjejmë me lehtësi libra zhanresh të ndryshme. Do të ishte mirë që të kemi lëndë të posaçme në shkolla fillore, të mesme dhe universitete për libraritë e bibliotekat online ku gjejmë libra që studiuesit s’kanë mundur t’i gjejnë përkundër hulumtimeve të shumta nëpër biblioteka dhe arkiva.

Duhen edhe studime për nxitjen e leximit. Megjithatë, sot kemi shumë studiues që leximin e barazojnë vetëm me argëtimin, lojën, si zëvendësim për TV dhe internetin. Leximi është më shumë se argëtim. Më shumë se lojë. Më shumë se mënyrë për ta përballuar të nxehtin në plazh. Librat e mirë nuk janë shkruar për të na flladitur dhe as dijen nuk e japin lehtë. Te dija arrihet vështirë. Ajo nuk blihet me para. Duhen net pa gjumë, sakrifica. Mjafton ky fakt që t’i respektojmë më shumë njerëzit e librit, të cilët sot janë të përçmuar. Është bërë modë e turpshme përçmimi i dijes, i librit. Për shkak të kësaj atmosfere duhet t’u shpjegohet nxënësve se leximi i librave është në dobinë e tyre, se i urti nuk duhet ta ndjekë rrugën e të paditurit që e përçmon dijen. Ata duhet ta dinë se librat më të mirë janë shkruar edhe nën dritë qiriri, kur nuk ka pasur kompjuterë, rrymë elektrike, internet. Librat  e këtillë nuk i ka mposhtur tirania e kohës. Lexohen sot e do të lexohen edhe nesër. Dhe do të na mundësojnë t’i kuptojmë më mirë të vërtetat që vlejnë për secilën kohë.

 

Kjo analizë është prodhuar në kuadër të projektit të mbështetur nga NED. Qëndrimet e shprehura në këtë tekst janë eksluzivisht të autorit.

Të fundit