E enjte, 12 Dhjetor, 2024

LARGIMI I SHQIPES NË QIK, KËRKOHET DËNIM PËR DREJTORIN NGA INSPEKTORATI

Largimi i gjuhës shqipe në QIK ka ngjallur reagime në opinion. Lideri i ASH-së, Ziadin Sela ka kërkuar dënim për drejtorin e ri nga ana e Inspektoratit për Zbatimin e Gjuhëve. Nga ky inspektorat theksojnë se kanë bërë vërejtje për më shumë institucione që nuk e respektojnë ligjin. Pas vërejtjeve, theksojnë nga ky institucion, do të pasojnë gjobat.

Shkruan: Eljesa Dervishi

Drejtori i  ri në Qendrën Informative Kulturore, Antonio Dimitrov, ka hequr gjuhën shqipe menjëherë pas marrjes së postit drejtues në këtë institucion. Ndërkohë që me udhehëqisinë paraprake ky institucion komunikonte edhe shqip, tashmë QIK komunikon vetëm në gjuhën maqedonase.

Gjithashtu, njoftimi i drejtorit është vetëm në gjuhën maqedonase.

I pari i cili ka komentuar rreth heqjes së gjuhës shqipe nga faqja e internetit të Qendrës Informative Kulturore pas emërtimit të Antonio Dimitrov si drejtor na ana e Qytetit të Shkupit, është kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Ai tha se i takon Inspektoratit për Implementimin e gjuhës shqipe që të shqiptojë dënim ndaj drejtorit në fjalë.

“U bëj apel Inspektoriatit pë Implementimin e gjuhës shqipe që të shkojë dhe ta dënojë atë drejtor, çdo ditë dhe sa herë që ai shkel ligjin, jo vetëm atë, por çdo drejtor që shkel ligjin. Unë formë tjetër nuk kam sepse nuk jam kryetar i Qytetit të Shkupit, nëse do të isha, ai nuk do të ishte as 24 orë më në krye të asaj detyre”, ka theksuar Sela.

Drejtori Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Ylber Sela ka theksuar se nëpërmjet nenit 19 të ligjit, AZGJ-ja nuk ka për detyrë të merret me institucionet për t’iu dhënë vërejtje apo gjoba, përveç se t’i mbështes ato.

Ndërsa, Fatmir Iseni tha se nga Inspektoriati për Përdorimin e Gjuhëve janë dhënë 23 vërejtje në institucionet të cilët nuk e zbatojnë ligjin, dhe nëse edhe pas vërejtjes së bërë nuk ka zbatim të ligjit atëherë bëhet gjobitja.

Kujtojmë se në bazë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në komunat ku 20% i qytetarëve janë shqiptarë, institucionet që gravitojnë në atë komunë duhet të komunikojë edhe në gjuhën shqipe.

Të fundit