E shtunë, 27 Korrik, 2024

KONTESTOHET EMRI I KLUBIT KULTUROR BULLGAR NË MANASTIR

Të shtunën kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov ka vizituar qytetin e Manastirit në hapjen zyrtare të Klubit Kulturor Bullgar. Vizita e tij si dhe emërtimi i klubit me emrin e Vanço Mihajllovit sipas liderit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoskit është provokim dhe sjellje joevropiane ndaj vendit. Ka reaguar edhe presidenti, Stevo Pendarovski, i cili ka theksuar se si urë bashkëpunimi është përdorur emri i një bashkëpunuesi të regjimit të nazizmit.

 Shkruan: Puhiza Osmani

Pas hapjes së Qendrës Kulturore bullgare në Manastir ka pasur reagime të shumta nga opinioni i publik. Sipas Mickovskit këto veprime joevropiane të palës bullgare na kthejnë në kohën e okupacionit fashist bullgar gjatë Luftës së Dytë Botërore, prandaj ai u bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe Brukselit që t’u japin fund këtyre ekspozitave të Sofjes zyrtare. Gjithashtu Mickovski theksoi se hapja e klubeve të tilla duhej bërë edhe në Blagoevgrad dhe Sandanski, për maqedonasit që jetojnë në Maqedoninë e Pirint.

“Sipas meje nënkryetarja e Bullgarisë po vazhdon me vlerat joevropiane dhe mohimin e minoritetit maqedonas në Maqedoninë e Pirint dhe kjo realisht eviton vlerat evropiane që duhet të promovojnë këta politikanë. Përkundrazi, na kthejnë në kohët e kaluara, në kohën e pushtimit fashist bullgar gjatë Luftës së Dytë Botërore këtu në Maqedoni, në sakrificat e bëra nga populli i lirë maqedonas për të krijuar shtetin e tyre demokratik. Unë pas këtij provokimi nuk kam çfarë të shtoj, vetëm mundem me habitje të konstatoj se nuk e di se kush është ai politikan ose historian i cili do të ulet në tryezë së bashku me kolegët e tij të fqinjit tonë lindor dhe do të vazhdojë për të negociuar një marrëveshje të paktën deri në qershor. Nëse kjo është për të gjetur një justifikim për të bllokuar përsëri Maqedoninë, atëherë ata janë mjaft të suksesshëm”, theksoi Hristian Mickoski.

Për t’u dhënë fund këtyre vizitave të cilat sipas Mickovskit janë joevropiane, ai u bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe Brukselit.

“I bëj thirrje Bashkimit Evropian dhe Brukselit zyrtar që t’i japin fund këtyre synimeve fashiste dhe hegjemoniste të fqinjit tonë lindor për të bërë presion dhe për t’i mundësuar Maqedonisë që përfundimisht të fillojë negociatat. Ky komb e meriton sepse shumë herë në histori është treguar se qëndron krah për krah me vlerat evropiane”, shtoi Mickoski.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, u shpreh se ngjarjet e tilla nuk kontribuojnë për arritjen e zgjidhjes. “Fqinjët duhet të njihen mes vete. Mendoj se duhet të fillojnë me njohjen e ndërsjellë të pakicave. Këtu në Maqedoni të njihet pakica bullgare, ndërsa në Bullgari, pakica maqedonase. Ky do të ishte hap i mirë”, tha Sela.

Reagime shumë të ashpra ka pasur edhe nga komuniteti i hebrenjve në Maqedoni, sipas të cilëve klubi ka marrë emrin e bashkëpunëtorit të Hitlerit.

“Të fillojë procedurë për qëndrueshmërinë ligjore të qendrave kulturore dhe qendrave të tjera, shoqatave civile etj, që mbajnë emrat e fashistëve të dëshmuar dhe bashkëpunëtorëve të nazistëve”, thonë nga Komuniteti hebre në Maqedoni.

Kiril Petkov në hapjen e qendrës kulturore bullgare në Manastir u shpreh se komuniteti bullgar në Maqedoninë e Veriut është ura e vërtetë ndërmjet dy vendeve. Marrëdhëniet mes dy qeverive janë duke u përmirësuar. Kryeministri bullgar gjithashtu u shpreh se Dimitar Kovaçevski i ka siguruar personalisht që ndërmjet dy vendeve duhet të zhduket gjuha e urrejtjes dhe ta bëjnë komunitetin bullgar në Maqedoninë veriore të ndihet plotësisht i barabartë.

“Sot është dita e Kushtetutës bullgare, një ligj bazë që mbron të drejtat dhe liritë e çdo qytetari. Besoj se Kushtetuta me të drejtat kushtetuese të komunitetit bullgar janë shumë të rëndësishme. Nëse nuk punojmë bashkë në të dyja anët e kufirit, ekziston rreziku që problemet që kemi pasur ndër vite të vazhdojnë. Nga ana tjetër, ekziston një mundësi reale, nëse bashkohemi, nëse i shtrijmë duart në të gjitha drejtimet me Maqedoninë e Veriut, kemi mundësi të bëjmë hapa realë përpara”, tha Petkov.

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, u shpreh që ky është një provokim i vetëdijshëm dhe i paramenduar pasi që në Manastir si urë për t’u afruar të dy popujt është përdorur emri i bashkëpunuesit të regjimit nazist të Hitlerit.

 

 

 

 

Të fundit