E shtunë, 27 Korrik, 2024

A PO “ZHVENDOSET” GREVA NË “TERRENIN” POLITIK?

Greva e mësimdhënësve për paga më të larta tashmë duket se ka kaluar në “terrenin” politik. Mospranimi i rritjes prej 10 përqind nga SASHK-u ka përplasur pushtetin dhe opozitën. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski e ka vlerësuar si të turpshme dhe qesharake ofertën e qeverisë, ndërkohë që nga qeveria kanë theksuar se mësimi duhet të vazhdojë pa probleme dhe bashkë me këtë të vazhdojë edhe dialogu me sindikatën. BDI ka theksuar se refuzimi i rritjes së rrogës së arsimtarëve prej 2.500 denarë është agjendë politike kundër nxënësve dhe prindërve.

Shkruan: Enis Shaqiri

Moszgjidhja e problemit të pagës në sektorin e arsimit ka krijuar përplasje mes pushtetit dhe opozitës.
Qeveria ka theksuar se mësimet duhet të vazhdojnë, ndërsa SASHK-u të vazhdojë dialogun. Kurse kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski, e ka vlerësuar si të turpshme dhe qesharake ofertën e qeverisë për rritjen e pagës prej 10 për qind. Ndërkohë, nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se refuzimi i rritjes së rrogës së arsimtarëve prej 2.500 denarë është agjendë politike kundër nxënësve dhe prindërve.
Mësimdhënësit nisën grevën të hënën e kaluar me kërkesën për rritje të menjëhershme të pagës prej 18.4 % në përputhje me rritjen e pagës minimale prej 18 000 denarëve.
Së fundmi Sindikata e Arsimit nuk e ka pranuar ofertën e Qeverisë për rritjen e pagave prej 10 për qind. Kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov ka theksuar se greva do të vazhdojë edhe ditëve në vijim.
Nga ana tjetër përplasje mes pozitës dhe opozitës sa vjen dhe shtohet në lidhje me procesin e grevës.
Qeveria e udhëhequr nga LSDM thekson se mësimet duhet të vazhdojnë të zhvillohen pa probleme dhe se SASHK-u të vazhdojë dialogun.
Mësimet duhet të vazhdojnë të zhvillohen pa probleme, veçanërisht duke pasur parasysh faktin që kishim dy vite shkollore pas nesh në një pandemi kur nxënësit ndiqnin mësimet onllajn ose të kombinuara. Edhe këtë vit do të ketë rritje të pagave në arsim, këtë do ta arrijmë përmes dialogut me sindikatat dhe të gjithë aktorët. Prandaj, apelojmë te SASHK-u që të vazhdojë dialogun, që mësimi të vazhdojë, do të gjendet një zgjidhje që është në interes të mësimdhënësve. Të mos lejojmë që mësimi të zgjatet dhe kështu të rrezikohet regjistrimi, matura shtetërore dhe dhënia e provimit profesional të pesëqind mësuesve.”

Nga ana tjetër kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski ka reaguar mbi propozimin e Qeverisë për rritje mesatare të pagave prej 2.500 denarëve. Mickoski e ka vlerësuar si të turpshëm vendimin e Qeverisë. Ai ka potencuar se Qeveria në vend që të punojë për standardin e punonjësve të arsimit, po jep tensione dhe revolt.
Atë që e propozoi Qeveri është të vazhdojë të vjedh dhe t’i shpenzoj në mënyrë jo të duhur paratë. Siç kuptova gojarisht 10% rritje të pagave të mësimdhënësve dhe të punësuarve në çerdhe pa pasur marrëveshje të shkruar pas rebalancit të buxhetit për të cilin nuk dihet kur do të ndodh dhe a do të ndodh”, ka theksuar Mickoski.

Bashkimi Demokratik për Integrim, vlerëson se refuzimi i rritjes së rrogës së arsimtarëve prej 2.500 denarë është agjendë politike kundër nxënësve dhe prindërve. Sipas BDI-së, Qeveria  për vite me radhë ka treguar kujdes të madh ndaj arsimit, si një sektor  i rëndësishëm i shoqërisë tonë.
Refuzimi për rritje prej 2.500 denarë ose 10% të pagave nga ana e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) si dhe metodologjia për rritje graduale dhe zgjidhje të përhershme të statusit social të kuadrove arsimore është agjendë politike kundër nxënësve dhe prindërve,” theksojnë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

BDI konsideron se me refuzimin e ofertës së dhënë nga ana e Qeverisë, SASHK-u vendos interesat personale mbi interesat e nxënësve. Sipas BDI-së dëmi shkon në llogari të nxënësve, pikërisht në prag të përfundimit të procesit mësimor
“Është e pa tolerueshme humbja e mësimit në kushte si sot, kur mbarë globi përballet me pandeminë, krizën ekonomike dhe energjetike, derisa Qeveria dhe Ministria e Arsimit e Shkencës po bën përpjekje maksimale për normalizimin e procesit arsimor,” kanë theksuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim.Me këtë rast, Bashkimi Demokratik për Integrim bën thirrje deri tek të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit që të kthehen në bankat e shkollës dhe të vazhdojnë mësimin dhe gjithashtu apelon deri tek SASHK-u që të vazhdojnë dialogun deri në gjetjen e zgjidhjes dhe mos të lejohet që bojkoti i mësimit të ndikojë në procesin arsimor.
Nga ana tjetër , SASHK-u ka bërë të ditur se greva e përgjithshme do të vazhdojë, pasi Këshilli i Sindikatës në seancën e djeshme vendosi që të mos e pranojë propozimin e Qeverisë për rritje të pagave prej 10 për qind që do ta mbyllte grevën e filluar më 11 prill.
Një nga arsyet pse ky propozim nuk u pranua nga SASHK-u, ka të bëjë me faktin se është propozuar gojarisht, e jo me shkrim, ka bërë të ditur SASHK-u, ndërsa kanë theksuar se mbi 95 për qind e sindikatave të LSM-së kanë votuar për refuzimin e ofertës gojore.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska, vlerëson se SASHK-u duhet ta pranojë propozimin për rritje të pagave për 10%, ku sipas saj,  Qeveria ka ofruar përqindje të mirë për rritje të pagave, dhe se SASHK është dashur ta pranojë ofertën.
Fëmijët tashmë dy javë janë jashtë kopshteve gjë që është e papranueshme duke pasur parasysh se e drejta kushtetuese e çdo fëmije për të pasur akses në arsimin parashkollor. Zgjidhja e ofruar nga Qeveria për 10 për qind paga më të larta për edukatorët dhe kujdestarët, përfshirë arsimimin për mësimdhënësit, nënkupton pagë mesatare prej 2.500 denarë për edukatorët dhe 2.000 denarë për edukatorët. Nëse marrim përqindjen e rritjes së pagave nga fundi i vitit 2019 që është 21 për qind dhe këto 10 për qind, është 31 për qind rritje e pagave të kuadrove arsimor në kopshtet për fëmijë, që mendoj se është një përqindje e mirë e rritjes së pagave, veçanërisht duke pasur parasysh sot me krizën ekonomike, krizat e çmimeve, krizën e Kovid-it”, tha Trençevska.

Të fundit