E shtunë, 27 Korrik, 2024

DHUNA NË FAMILJE, TË DOMOSDOSHME KAMPANJAT PËR NDËRGJEGJËSIM

Për më pak se një javë, në vendin tonë janë shënuar raste të rënda të dhunës në familje të cilat epilogun e patën me fatalitet. Sipas sociologes, Ardita Abduli, rastet e krimit dhe dhunës që kohë pas kohe po tronditin shoqërinë shqiptare janë pasojë e krizës së përgjithshme shoqërore nga e cila pason rënia e ndërgjegjes humane, rritja e depresionit, rrënimi i sistemit të vlerave deri në shkallën e kryerjes së akteve barbare në mjediset publike.  Ka shumë faktorë, thotë ajo, që janë bërë shkak kryesor i akteve të dhunës dhe krimit në shoqëri, të cilët në mënyrë sintetike do t’i kishim përmbledhur në ato të natyrës ekonomike, psikologjike dhe socio-kulturore.

Shkruan: Fatjona Abdullahi

Dhuna është shkelje e të drejtave themelore të njeriut dhe derivatet e saj prekin shumë sfera të jetës, duke e pamundësuar kështu qetësinë dhe rendin shoqëror. Dhuna në familje, është ndër degëzimet më të mëdha të dhunës si mohim i të drejtave njerëzore dhe konsiston në abuzimin e pushtetit dhe fuqisë në marrëdhëniet brenda një komuniteti familjar duke u përkufizuar edhe si një grup sjelljesh me qëllim vendosjen e kontrollit mbi të tjerët përmes përdorimit të forcës, frikësimit dhe manipulimit. Zakonisht dhuna në familje nënkupton përdorimin e vazhdueshëm të forcës fizike dhe mentale drejtuar ndaj anëtarëve të familjes dhe manifestohet si dhunë psikologjike, fizike, seksuale, ekonomike etj.

Dhuna në familje nuk është një fenomen i ri dhe ka ekzistuar gjithmonë. Hulumtimet empirike tregojnë se viktimat më të shpeshta të dhunës në familje janë gratë, pasuar nga fëmijët dhe të moshuarit. Pasojat e ekspozimit ndaj dhunës janë të shumta dhe ndikojnë ndjeshëm në shëndetin mendor të atyre që janë të ekspozuar drejtpërdrejt, por edhe të atyre që janë viktima indirekte të dhunës në familje. Pasojat më të zakonshme janë: vetëvlerësimi i ulët, tensioni, depresioni, agresiviteti, tentativat për vetëvrasje, varësia, paqëndrueshmëria në partneritet, reduktimi i funksionimit të punës, etj.

Për më pak se një javë, në vendin tonë janë shënuar raste të rënda të dhunës në familje të cilat epilogun e patën me fatalitet. Një vrasje makabre e nënës nga i biri i cili vuante nga problemet e shëndetit mendor, sulmi me mjet të mprehtë i së bijës kundrejt nënës së vet dhe shumë ngjarje të dhunshme të cilat e kanë tronditur opinionin, janë dëshmi se në sistemin tonë shoqëror diçka po çalon dhe shumë gjëra nuk po bëhen siç duhet.  Sipas sociologes dhe profesoreshës universitare Doc. Dr. Ardita Abduli, këto ngjarje janë hallkat e një zinxhiri gjithëpërfshirës që ndërlidh shumë problematika të cilat manifestohen më pas me eskalim situatash dhe me pasoja të rënda, siç ishin rastet e sipërpërmendura.

“Rastet e krimit dhe dhunës që kohë pas kohe po trondisin shoqërinë shqiptare janë pasojë e krizës së përgjithshme shoqërore nga e cila pason rënia e ndërgjegjes humane, rritja e depresionit, rrënimi i sistemit të vlerave deri në shkallën e kryerjes së akteve barbare në mjediset publike. Ka shumë faktorë që janë bërë shkak kryesor i akteve të dhunës dhe krimit në shoqëri, të cilët në mënyrë sintetike do t’i kishim përmbledhur në ato të natyrës ekonomike, psikologjike dhe social-kulturore. Papunësia, sëmundjet mendore, thyerja e barrierave të mentaliteteve tradicionale konsiderohen shkas i nxitjeve kryesore drejt gjendjeve afektive për të kryer akte dhunuese”, thotë profesoresha Abduli.

Thuajse çdo ditë në mediume bëhen të ditura shkeljet ligjore dhe ngjarjet kriminale qoftë brenda familjes, qoftë jashtë saj, megjithatë mungon sensibilizimi dhe vetëdijesimi për seriozitetin e çështjes dhe për njohjen e rrugëve të cilat do të çonin në prevenimin e krimeve dhe të dhunës. Deri tani, i gjithë mobilizimi kundër fenomenit dhunë, mbetet mjedisi familjar, i cili theksojmë, jo çdo herë gëzon mundësitë dhe njohuritë për mënyrat e mbrojtjes, prevenimit dhe denoncimit të dhunës.

Sociologia Abduli, konsideron se “familja është katalizatori kryesor i edukimit dhe socializimit, mirëpo në rastet kur nuk arrin të përmbushë nevojat e domosdoshme, mirëqenien, dashurinë dhe sigurinë e individit, atëherë ky i fundit i kthehet në hakmarrje duke kryer akte të dhunës nga rrahjet, goditjet deri në format makabre të krimit. Përpos rasteve kur bëhet fjalë për persona me patologji mendore të cilët ekskluzivisht duhet të trajtohen nëpër reparte psikiatrike dhe qendra rehabilitimi gjithnjë nën përkujdesin e personelit gjegjës dhe kurrsesi të lëshohen të lëvizin nëpër ambiente publike ku rreziku potencial mund të jetë me përmasa fatale. Nga ana tjetër, institucionet janë po aq përgjegjëse për rastet e dhunës dhe krimit në shoqëri dhe mosrespektimi i ligjeve. Mosaprovimi i masave sanksionuese ndaj shkelësve janë stimul që aktet e dhunës dhe krimit të përsëriten çdo ditë e më tepër. Qendrat e rehabilitimit po ashtu janë përgjegjëse për ngjarjet e tilla kur nuk kryhet kurimi i plotë i personave me sëmundje mendore dhe emocionale.”

Profesoresha shprehet se duke iu adresuar problemit, masave preventive, kujdesit intensiv ndaj personave me probleme, kontrollit tē vazhdueshëm nga organet përgjegjëse do të mund t’i parandalojmë dukuritë devijante në shoqëri

Ndërkaq, konsiderojmë se pavarësisht rasteve të shumta të dhunës në familje, janë të pakta qendrat ose organizatat të cilat do të duhej të merreshin aktivisht me luftimin e këtij fenomeni dhe me adresimin e viktimave të dhunës nëpër qendrat më të afërta të denoncimit dhe natyrisht me pjesën e strehimit të viktimave të dhunës, të trajtimit të ushtruesve të dhunës dhe të edukimit të popullatës për gravitetin e kësaj dukurie. Kujdesi dhe mbikëqyrja ndaj të dhunuarve dhe dhunuesve duhet të shkojë proporcionalisht me rastet të cilat shpesh janë të ditura vetëm në kontekst familjar apo lokal dhe nuk denoncohen në instanca më të larta, kur situata agravon dhe rreziku bëhet më madh.

Kampanjat e ndërgjegjësimit, linja telefonike e disponueshme për konsultë dhe denoncim si dhe garantimi i një mbështetjeje financiare dhe morale, janë disa nga mekanizmat që minimizojnë dukurinë e dhunës, në cilëndo formë qoftë ajo. Por njëherit, ndëshkimi dhe sanksionimi konform ligjit dhe të drejtave të njeriut, ndaj ushtruesit të dhunës qoftë ai dhunues aktiv ose pasiv, është masa imediate e cila i pamundëson metastazat e kriminalitetit dhe e zvogëlon predispozitën që viktima ka për ta fshehur dhunën. Gjithashtu një raportim publik me të dhëna të sakta për rastet e krimit dhe dhunës në familje, i përditësuar dhe i qasshshëm për gjithë opinionin, i jep rëndësinë e duhur këtij fenomeni dhe peshën të cilën realisht ka reagimi ndaj dhunës, që në fazat fillestare ose që në format e lehta të saj.

 

Të fundit