E shtunë, 27 Korrik, 2024

GREVA NUK KA MOTIVE POLITIKE, ËSHTË SHPREHJE E PAKËNAQËSIVE TË SHTRESUARA ME DEKADA

Analistët politikë theksojnë se greva në arsim nuk ka të bëjë me motive politike, por thjesht me statusin e mësimdhënësit që është nën dinjitetin e jetës profesionale. Sipas tyre, kërkesat e organizatave sindikaliste janë shprehje dhe reflektim i pakënaqësive të grumbulluara me dekada mbi statusin e mësuesit në shoqëri dhe sidomos sa i përket nivelit të pagës mujore.

 Shkruan: Puhiza Osmani

Maqedonia e Veriut po kalon në një fazë protestash, në një tronditje sociale që po iniciohet nga lëvizjet sindikaliste. Në shumë sektorë të jetës sociale po protestohet, ndërkohë që mësuesit tashmë janë futur në grevë për rritje pagash dhe kushte më dinjitoze. Rritja e pagës minimale ka ndikuar që edhe në sektorë të tjerë të kërkohet normalizimi i pagave në bazë të marrëveshjeve kolektive. Në gjithë këtë trazim shoqëror, janë shfaqur hamendësime nëse gjithë këto lëvizje mund të jenë të motivuara politikisht.

Analistë politik theksojnë se greva në arsim nuk ka të bëjë me motive politike, por thjesht me statusin e mësimdhënësit që është nën dinjitetin e jetës profesionale. Sipas tyre, kërkesat e organizatave sindikaliste janë shprehje dhe reflektim i pakënaqësive të grumbulluara me dekada mbi statusin e mësuesit në shoqëri dhe sidomos sa i përket nivelit të pagës mujore.

Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka mbajtur ditën e dytë të grevës, ku është vënë re një rritje e numrit të grevistëve. Si pasojë e kësaj janë paraqitur hamendje se këto protesta mund të jenë të motivuara për arritjen e qëllimeve politike.

Ish zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Arafat Shabani u shpreh se greva e mësimdhënësve nuk ka motive politike apo partiake, por është thjeshtë lufta e tyre kundër anormalitetit të pagave.

“ Greva e mësimdhënësve dhe kërkesat e tyre janë për një pozicion më dinjitoz në shoqëri, sepse pagat e të punësuarve në arsim janë nën dinjitetin e jetës profesionale. Ashtu siç është e garantuar me ligj e drejta për mësim, ashtu është e garantuar edhe e drejta për grevë si e drejtë elementare në çdo vend të botës. Me harmonizimin e pagës minimale dhe shumëzimin e saj me kompleksitetin e vendit të punës, do të shmanget barazuesi, ku njerëzit me punë të ndryshme dhe kompleksitete të ndryshme të punës marrin të njëjtën pagë”, thotë Shabani.

Analisti politik Sefer Tahiri, theksoi se greva është rezultat i pakënaqësive për mosrespektimin e marrëveshjes kolektive për rritjen e pagave.

“Mendoj se kërkesat e organizatave sindikaliste nuk janë të motivuara politikisht dhe janë shprehje dhe reflektim i pakënaqësive të grumbulluara me dekada mbi statusin e mësuesit në shoqëri dhe sidomos sa i përket nivelit të pagës mujore. Këto pakënaqësi u theksuan pas rritjes së pagës minimale, gjë që ka ndikuar që kjo pagë të jetë e përafërt me të atyre që kanë kryer shkollim fillor apo të mesëm. Prandaj, duhet respektuar marrëveshja kolektive mes qeverisë dhe sindikatave, sipas së cilës duhet të bëhet nivelizimi i pagës mesatare pas rritjes së pagës minimale”, thotë Seferi.

Analistët politik pajtohen me mendimin se pagat janë një motivues i fuqishëm që u mundësojnë mësimdhënësve të bëjnë atë që është më e mira për organizimin e tyre të përgjithshëm. Sipas tyre, rritja e pagave është thelbësore në këto momente për kthimin e mësuesve në klasë.

Të fundit