E premte, 26 Korrik, 2024

GODET VUÇIQ: ÇFARË AVIONËSH POSEDOJNË PRISHTINA E PODGORICA?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin malazez Milo Gjukanoviq, se po përhapin “urrejtje të zhveshur ndaj serbëve dhe Serbisë” dhe se kanë rolin më të spikatur në fushatën e gënjeshtrave kundër Beogradit zyrtar. Këto akuza Vuçiq, transmeton KDP, i ka bërë në një prononcim për të përditshmen ’Informer’.

Sikurse njofton tv i pavarur N1, në një paraqitje përmes portalit të së përditshmes Informer, Vuçiq tha se fushata e ‘damkosjes së Serbisë” nga qendra të caktuara të pushtetit dhe pjesë të rajonit është intensive gjatë gjashtë muajve të fundit:

 “Jo që dje, roli më i theksuar në urrejtjen e zhveshur ndaj Serbisë vjen nga Albin Kurti dhe Milo Gjukanoviq. Kuptohet, ata gjithmonë shërbehen me gënjeshtra të zhveshura për të paraqitur veten kinse si viktima, ndërsa Serbinë si një agresor të egër që i kërcënon ata,”- tha Vuçiq.

Ai tha se ata të dy tani kanë shfrytëzuar blerjen “legjitime, plotësisht të rregullt dhe transparente” të sistemit defanziv kinez të Mbrojtjes Kundërajrore FK-3 për t’i thënë mbarë botës se Serbia është një mik kinez dhe rus dhe se po kërcënon dikë,  edhe pse është e rrethuar nga NATO-ja.

‘Si po i rrezikojmë me armë defansive, nuk janë në gjendje ta thon. Sepse ky është një sistem që shërben për t’u mbrojtur nga raketat kruiz dhe avionët që do të cënonin hapësirën ajrore të Serbisë. Si po e rrezikojmë Prishtinën dhe Podgoricën? Çfarë forcash ajrore posedojnë, do të ishte më mirë të blinim autan spre,”- citohet të ketë deklaruar presidenti serb duke kritikuar pohimet e kryeministrit të Kosovës se Serbia i bleu ato armë sepse është në panik të mbetet e vetmuar.

“Serbia, si një vend ushtarakisht neutral, është e vetme në të gjithë rajonin. Në cirk keni parë luanë, elefantë, tigra, por nuk keni parë kurrë ujkun e vetmuar. Gjithmonë do të isha më parë një ujk i vetmuar sesa një hienë e paturpshme dhe  e pamoralshme, sado hiena të ketë. Qofshin ato tri, pesë, gjashtë apo 19 … Hienës, të paktën duhet t’i shprehni mirënjohje për gjakpirësinë, në mos për asgjë tjetër. Është shumë më keq të jesh mizë zuzare që vërtitet  rreth hienës dhe pret që t’ia sjellë prenë, sikurse janë Kurti dhe Gjukanoviq,’ – ka akuzuar Vuçiq.

Sipas tij, kryeministri Kurti dhe presidenti Gjukanoviq kanë probleme më të mëdha, si krimi, korrupsioni dhe ekonomitë:

“Lutja ime për ju është që ta lini Serbinë të qetë. Serbia do ta gjejë rrugën e vet. Mburremi  me faktin se duam të ruajmë vendin tonë, e jo që NATO-ja ta bëj këtë në emrin tonë. Për këtë dallojmë dhe nuk turpërohemi nga kjo,’- transmeton KDP njoftimin e tv të pavarur serb N1.

Të fundit