E shtunë, 27 Korrik, 2024

LISTA E ZEZË AMERIKANE, PËRPLASEN LSDM DHE VMRO-DPMNE

Futja në listën e zezë e ish kryeministrit Nikolla Gruevski dhe ish shefit të policisë sekrete, Sasho Mijallkov ka përplasur dy partitë më të mëdha maqedonase LSDM dhe VMRO-DPMNE. Ata kanë akuzuar njëra-tjetrën për lidhje me korrupsionin dhe krimin. Ka reaguar ndërkohë edhe ish kryeministri Gruevski, i cili e ka ndërlidhur përfshirjen në listë me lobime në Maqedoninë e Veriut. Ndërsa, Ish shefi i policisë sekrete, Sasho Mijallkov ka theksuar se vendimi i DASH-it nuk është i drejtë, dhe se dezinformatat e tilla me kalimin e kohës do të rezultojnë të paqëndrueshme.


Shkruan: Enis Shaqiri

Zyra e Departamentit Amerikan të thesarit për kontrollin e pasurive të huaja, së fundmi në listë ka shtuar edhe ish kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski dhe ish shefin e policisë sekrete, Sasho Mijallkov
Gruevski në një postim në facebook, ka shkruar se “ajo që u publikua sot është folur prej kohësh. Zyrtarët e lartë në Maqedoni nuk fshihnin në qarqe joformale se kishin vite që lobonin që të ndodhte e njëjta gjë.”  Mes tjerash, ai, ka theksuar se mundi i tij shumë vjeçarë për ta zgjidhur çështjen e emrit, ka tërhequr shumë kundërshtarë, madje edhe si George Soros, i cili me shumë përpjekje dhe fonde ka rrëzuar qeverinë e tij.

Përpjekjet e mia shumëvjeçare për ta zgjidhur çështjen e emrit në një mënyrë të ndryshme nga ajo që u zgjidh përfundimisht, vendimet që lidhen me krizën e emigrantëve dhe mbylljen e korridorit ballkanik në vitin 2016 dhe disa vendime të tjera për të mbrojtur shtetin,  interesat kombëtare,  interesat e Maqedonisë ka acaruar disa vende dhe ka tërhequr shumë kundërshtarë, si George Soros, i cili bëri shumë përpjekje dhe fonde për të rrëzuar qeverinë që unë drejtova.  Më vjen keq për vendimin e DASH që ndër të tjerë, më referohet dhe mua. Akuzat për të cilat unë jam në listë janë informacione të pasakta ndaj të cilave ata janë dorëzuar dhe kryesisht rrjedhin nga përndjekja e gjatë politike kundër meje në Maqedoni. Nga ky aspekt, edhe pse nuk kam asnjë pronë në SHBA, ndjej një padrejtësi të madhe, sepse kam punuar me shumë ndershmëri dhe me shumë përgjegjësi, duke luftuar për interesat shtetërore dhe kombëtare dhe jam përpjekur me aq sa kam mundur të mos i rrezikoj interesat e aleatëve të Maqedonisë, unë kurrë nuk kam punuar për përfitime personale financiare apo materiale”, ka shkruar Gruevski.

Në listë është edhe kompania që Gruevski hapi në Hungari vitin e kaluar. I.C.I.C. LTD, e cila u hap më 15 korrik 2021, ndërsa Departamenti i Shtetit e lidh me ish-kryeministrin Gruevski.
Qeveria amerikane në shpjegimin e saj për Gruevskin dhe Mijallkov thekson se vendosi të ndërmarrë një hap të tillë si kundër-përgjigje ndaj përfshirjes së tyre në korrupsion të madh. “Veprimet e tyre minuan sundimin e ligjit, institucionet demokratike dhe proceset publike në të dy vendet dhe minuan besimin e publikut”.

Ish shefi i policisë sekrete, Sasho Mijallkov thotë se vendimi i DASH nuk është i drejtë, dhe se dezinformatat e tilla me kalimin e kohës do të rezultojnë të paqëndrueshme
Më vjen keq për vendimin e DASH dhe mendoj se nuk është i drejtë. Ai bazohet në dezinformata që me kalimin e kohës do të rezultojnë të paqëndrueshme. Unë gjithmonë i kam mbrojtur dhe do t’i mbroj interesat e Maqedonisë. Besoj se drejtësia do të fitojë dhe vendimi i administratës amerikane do të korrigjohet”, ka shkruar Sasho Mijallkov
Ndryshe të dyve dhe familjeve të tyre u ndalohet të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara.
Darko Kaevski  nga radhët LSDM-së thotë se Hristijan Mickoski është njëri nga bashkëpunëtorët, dhe krahu i djathtë i Nikolla Gruevskit.

Hristijan Mickoski është njëri nga bashkëpunëtorët e Nikolla Gruevskit, krahu i tij i djathtë, këshilltari i tij, sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së. Deri më sot Hristijan Mickoski nuk është shprehur asnjëherë për gjithë krimin e VMRO-DPMNE-së. Nuk kemi dëgjuar as dënim për veprat e kryera, as neveri, as kërkim falje nga qytetarët”, ka theksuar Kaevski.

Nga ana tjetër partia opozitare, “lideri i së cilës parapëlqeu të mos flasë për kohën dhe për veprat e Gruevskit”, ka arritur vetëm kundërgoditje drejt pushtetit. VMRO-DPMNE pohon se  LSDM-ja është në koalicion me dy persona që janë në “ listën e zezë” nga ana e SHBA-ve

Në qoftë se LSDM-së i pengon lista e zezë e SHBA-ve a do të thotë kjo se Lube Boshkoskin dhe Menduh Thaçin të cilët janë në listën e zezë të SHBA-ve, do t’i përjashtojnë nga koalicioni me të cilin e ndajnë pushtetin? LSDM-ja për pushtet dhe për para bën gjithçka, madje edhe hynë në koalicion me politikanë që janë në listën e zezë të SHBA-ve. Pushteti i LSDM-së bën edhe biznes me kompanitë që janë në listën e zezë të SHBA-ve dhe të cilat janë kundër NATO-s”, kanë theksuar nga VMRO-DPMNE.

Mes tjerash zyra e kontrollit për pasuri të huaja ka zgjeruar listën e saj duke përfshirë edhe 7 persona tjerë nga 4 vendet e Ballkanit Perëndimor, ku pjesë e kësaj liste janë edhe pronarë mediash,  si dhe ish deputet, të cilët janë objektivi i Dekretit Ekzekutiv 14033, ku ndëshkon të gjithë ata që paraqesin kërcënim për stabilitetin e rajonit përmes akteve të korrupsionit, aktiviteteve kriminale dhe sjelljeve të tjera destabilizuese, bëhet e ditur nga Departamenti i Shtetit.

Të fundit