E shtunë, 27 Korrik, 2024

‘UKRAINA NUK ËSHTË LARG’

Agjencitë e lajmeve njoftojnë se në fundjavë gjashtë avionë transporti të Ushtrisë kineze kanë fluturuar mbi Bosfor dhe për destinacion kanë pasur aeroportin ushtarak serb të Batajnicës për të dorëzuar versionet e armatimeve FC-3 të Sistemit Kinez të Mbrojtjes kundërajrore me rreze të mesme veprimi. Agjencia Associated Press vlerëson se livrimin e armëve nëpër territoret e së paku dy vendeve anëtare të NATO-s(Turqisë dhe Bullgarisë), ekspertët e shikojnë si demonstrim të depërtimit global në rritje të Kinës. Në Perëndim, transmeton KDP, ekziston frika se armatimi i Serbisë nga Rusia dhe Kina mund ta shtyjë këtë vend në një luftë të re, veçanërisht kundër Kosovës, por Beogradi zyrtar, edhe përmes Kishës Ortodokse Serbe, nuk është indiferent as ndaj Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi.

Përgatiti: KDP

Në fund të vitit 2014, i pari  i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, pati deklaruar se vullnet i padiskutueshëm i shqiptarëve është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Sipas tij, anëtarësimi në këto struktura nënkupton ‘marrëdhënie të mira ndëretnike, pavarësisht se ca ‘të mençur’ bëjnë sikur nuk e dinë se anëtarësimi në NATO, jo vetëm që prodhon marrëdhënie të mira  ndëretnike, por edhe ndërfqinjësore në tërë rajonin e Ballkanit Perendimor’. Atëbotë, kur Rusia ndezi fitilin e konflikt aktualisht të rindezur në Ukrainë, kreu i integristëve, tërhoqi vërejtjen: ‘… Nuk është larg Ukraina, që në çdo kohë duhet ta kujtojmë se ç’ngjarje dhe ç’zhvillime ndodhin në Ukrainë. Të pakëndshme dhe të papëlqyeshme për askënd. Deri më tani rreth 5 mijë njerëz të vrarë,’- pati deklaruar Ali Ahmeti.

Pavarësisht se qarqet opozitare, shqiptare, por edhe maqedonase, atëherë e shikuan këtë paralajmërim me një shpërfillje të stilit ‘ky po na frikëson me Ukrainën’, agresioni i Rusisë në këtë ish-republikë sovjetike, i dha Ahmetit të drejtë – katërcipërisht. Që nga përpjekjet e Moskës për pushtimin e Ukrainës, sot është dita e 46 e agresionit, gati-gati të gjithë shtetarët e vendeve Perendimore (anëtare të BE-së dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës) kanë ngritur shqetësimin për syçeltësi karshi përpjekjeve të Putinit për të destabilizuar edhe Ballkanin Pere ndimor.

“Pa dyshim ka një histori të përpjekjeve të Rusisë për të ndërhyrë në rajon duke u përpjekur të nxisë tensione. Dhe mendoj se ne po shohim që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Jam vërtet e kënaqur jo vetëm nga niveli i vëmendjes së Shteteve të Bashkuara ndaj rajonit, por edhe se mendoj se edhe partnerët tanë të BE-së janë investuar shumë në sigurimin e stabilitetit”,- deklaroi këtë fillim-muaj për Zërin e Amerikës, Zëvendës Ndihmës Sekretarja amerikane e Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Eurazinë, Laura Cooper.

Mes praktikave që ajo mendon se Rusia mund të përdorë të destabilizojë Ballkanin, janë, sipas saj, ndërhyrja kibernetike, përfshirë manipulimin e hapësirës së informacionit, shenja të së cilave sipas saj vazhdojnë të shihen. Moska mund të përdorë si mjet korrupsionin, që ka efekt veçanërisht gërryes në rajon, si edhe shitjet e armëve.

Dhe, ekspertë të sigurisë, strategë ushtarakë e zyrtarë të shërbimeve të inteligjencës kanë shënjestruar se Serbia mund të jetë përçuesja kryesore e influencës ruse, jo vetëm malinje. Përtej kësaj, ata nuk përjashtojnë edhe  ndikimin kinez në rajon. Agjencitë e lajmeve, të dielën raportuan se gjashtë avionë transporti të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Aviacionit Kinez të Luftës kanë fluturuar mbi Bosfor dhe për destinacion kanë pasur aeroportin ushtarak serb të Batajnicës për të dorëzuar versionet e armatimeve FC-3 të Sistemit Kinez të Mbrojtjes kundërajrore me rreze të mesme veprimi. Agjencia Associated Press vlerëson se aleati rus Serbia ka pranuar livrimin e sistemit të sofistikuar kundërajror kinez në një operacion gjysmë të fshehtë, ndërkohë që Perendimi mbetet i shqetësuar se grumbullimi i armëve në Ballkan në kohën e luftës në Ukrainë mund të rrezikojë paqen edhe ashtu të brishtë në rajon. Agjencia e thotë se livrimin e armëve nëpër territoret e së paku dy vendeve anëtare të NATO-s(Turqisë dhe Bullgarisë), ekspertët e shikojnë si demonstrim të depërtimit global në rritje të Kinës.

TV i pavarur serb N1  vlrëson se sistemi raketor kinez krahasohet gjerësisht atë amerikan ‘Patriot’ dhe sistemet ruse të raketave tokë-ajër të tipit S-300, megjithëse ka një rreze më të shkurtërveprimi se S-300 që është më i avancuar. Serbia do të jetë operatori i parë i projektileve kineze në Evropë.

Gjatë viteve nëntëdhjetë Serbia ishte në luftë me fqinjët e saj. Ajo, aktualisht kërkon të anëtarësohet në BE, ka pajisur tashmë forcat e veta të armatosura me armë ruse dhe kineze, përfshirë këtu avionë luftarakë, tanke luftarake dhe pajisje të tjera.Në Perëndim, ndërkaq ekziston frika se armatimi i Serbisë nga Rusia dhe Kina mund ta shtyjë këtë vend në një luftë të re, veçanërisht kundër Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Beogradi zyrtar, edhe përmes Kishës Ortodokse Serbe, nuk është indiferent as ndaj Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi. Së këndejmi, kancelaritë perendimore nuk duhet të mbetet vetëm në konsatimin e rrezikut, por të veprojnë për parandalimin e tij. Mënyra më e mirë, këtë e thonë edhe ekspertët, por edhe politikanë të shquar, është integrimi euro-atlantik i rajonit./KDP/

 

Të fundit