E premte, 26 Korrik, 2024

PROTESTË MASIVE ME 1 MAJ, SHPORTA KONSUMATORE E PAPËRBALLUESHME

Stafi i punonjësve në administratë dhe drejtësi sërish kanë bojkotuar nga ora 10 deri në 12 pasdite. Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, ka paralajmëruar për organizimin e një proteste masive më 1 maj. Punëtorët shpreh të revoltuar sepse paga për muajin prill nuk ka qenë në përputhje me ligjin e vendosur për pagën minimale.

 Shkruan: Puhiza Osmani

Nga Sindikata e punëtorëve menaxhues, organeve gjyqësore si dhe nga shoqatat e qytetarëve kanë njoftuar se bojkoti është organizuar për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre, që të paguhet paga minimale dhe rritja lineare e pagave të të gjithë punëtorëve për 2.806 denarë. Nga Gjykata Penale kanë njoftuar se gjatë grevës me përjashtim të lëndëve të paraburgimit dhe urgjencës, të gjitha rastet tjera janë trajtuar mbas orës 12.

Me festën e punëtorëve më 1 maj, për rritjen e pagave të tjera në përputhje me pagën minimale, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë paralajmëroi për organizimin e një proteste masive. Kryetari i LSM-së, Darko Dimovski, theksoi se sindikatat janë të hapura për bisedime me Qeverinë, dhe kjo e fundit duhet të përpiqet që të gjejë një zgjidhje.

“Në 1 maj lufta do të jetë në rrugë, dhe ne punëtorët duhet ta marrim seriozisht këtë mesazh, të dalim më 1 maj dhe të ushtrojmë të drejtat tona. Sot janë publikuar të dhënat për shportën konsumatore minimale sindikale e cila arrin në 36 786 denarë, e cila ka pasur rritje për 922 denarë sepse në muajin janar ka qenë 35 811 denarë. A thotë kjo se duhet të rriten sa më shpejt të gjitha pagat e tjera” tha Dimovski

Gjithashtu ai u bëri thirrje të gjitha sindikatave, konfederatave, punëtorëve dhe pensionistëve të pakënaqur që t’i bashkohen protestës së 1 majit në mbështetje të kërkesës së tyre.

Kryetari i Sindikatës së Komunës së Kërçovës, Tino Aleksov u shpreh se sot anëtarët e Sindikatës së punëtorëve të administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë në mbarë vendin, shprehin pakënaqësinë për mosrespektimin e ligjit për pagën minimale në administratë dhe gjyqësor.

“Ne të punësuarit në administratë dhe në drejtësi nuk kemi pasur rritje të pagave ndër vite dhe jemi dëshmitarë se Qeveria ka rritur në mënyrë drastike pagat për sektorë të caktuar në dy vitet e fundit. Paga për muajin prill u pagua si zakonisht, por kush do të mbajë përgjegjësi për mosrespektimin e Ligjit për pagën minimale?  A do të mbetemi ne punonjësit e administratës dhe gjyqësorit të vetmit në vend që do të marrim një pagë nën pagën minimale? Për këtë arsye kërkojmë menjëherë të paguhet paga minimale për të gjithë të punësuarit të cilët në këtë moment janë nën rrogën minimale, dhe për rritjen lineare të të gjitha pagave të tjera”, tha Tino Aleksov.

Punonjësit nga Ndërmarrja Publike Komunale në Kërçovë shprehen të revoltuar pasi që pagën e muajit prill e kanë marrë 16,053 denarë. Sipas tyre sindikata ka të drejtë për organizimin e grevës si pjesë përbërëse të procesit të negociatave kolektive.

“Këtë muaj kemi marrë pagë prej 16.053, dhe jemi të pakënaqur ngase kjo nuk përkon me pagën e miratuar nga ligji, prandaj kemi vendosur t’i bashkëngjitemi protestës së 1 majit. Ne besojmë se kjo grevë është thelbësore dhe do të jetë e suksesshme, por do të realizohet vetëm nëse njerëzit do të dalin në rrugë për të kërkuar të drejtat e tyre”, theksuan nga Ndërmarrja Publike Komunale në Kërçovë.

Të fundit