E shtunë, 27 Korrik, 2024

KOHË PROTESTASH, SINDIKATAT “VLOJNË” ME PARALAJMËRIME

Kriza ekonomike si pasojë e pandemisë dhe luftës në Ukrainë, si dhe vendimi për rritjen e pagës minimale, kanë sjellë pakënaqësi të madhe në më shumë sektorë. Brenda kohës janë aktivizuar sindikatat, të cilat kërkojnë harmonizim dhe rritje pagash. Ndërkohë ka paralajmëruar një protestë për 1 maj edhe Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, por që mbetet e paqartë nëse ky vendim vlen edhe për paralajmërimet SASHK-ut për fillimin e grevës në arsim më 11 prill

Shkruan: Eljesa Dervishi

Kriza ekonomike si pasojë e pandemisë dhe luftës në Ukrainë, si dhe vendimi për rritjen e pagës minimale, kanë sjellë pakënaqësi të madhe në më shumë sektorë. Vlojnë nëpër sindikata, administratë, arsim dhe punonjës të postës që kërkojnë paga më të larta dhe kushte më të mira punë. Në të kundërtën, paralajmërohen greva dhe ndërprerje të punës.

Rritja e pagës minimale nga 15 në 18 mijë denarë në sektorin privat, e cila subvencionohet nga shteti, ishte arsyeja fillestare që zgjoi apetit edhe në sektorët e tjerë. Tani të gjithë kërkojnë një pagë më të lartë. Por jo vetëm kaq, lista e kërkesave po zgjerohet vazhdimisht. Kështu sindikatat mendojnë së me rritjen e pagës minimale duhet të harmonizohen të gjitha pagat.

“Rritja graduale duhet të negociohet me punëdhënësit. Sipas ligjit, punëdhënësit janë të detyruar ta zbatojnë atë përputhshmëri brenda 6 muajve. Dhe kjo po zvarritet, edhe pse ne si punëtorë jemi në një situatë të vështirë, sepse tashmë ka inflacion të lartë. Ne kërkojmë që të mos taktizohet, të mbajmë punëtorin në Maqedoninë e Veriut, e jo të ndërtojmë ekonomi të tjera”, tha Darko Dimovski, kryetar i Federatës së Sindikatave të Maqedonisë së Veriut.

Pakënaqësi ka edhe te anëtarët e SASHK-ut, të cilët nuk mund të arrijnë marrëveshje me Qeverinë për kërkesat e tyre. SASHK kërkon rritje të pagave prej 18.4 përqind. Nëse nuk gjendet një zgjidhje e përbashkët, greva e përgjithshme në arsim dhe kopshte do të nisë të hënën (11 prill) dhe do të zgjasë deri në plotësimin e kërkesave sindikaliste.

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri ka theksuar se greva nuk shkon asnjëherë në favor të procesit arsimor dhe nxënësve që janë dhe duhet të mbeten fokusi dhe prioriteti ynë. Deri më tani, të gjitha sfidat me SASHK-un i kemi zgjedhur së bashku, në tavolinë dhe përmes dialogut konstruktiv. Kështu do të jetë edhe këtë herë.

“Edhe pse kushte krize, shëndetësore, ushtarake dhe ekonomike, ne debatojmë me Sindikatën për të gjetur një zgjidhje nga e cila nuk do të ketë palë të pakënaqur. Besoj se do të ndodhë së shpejti, pas së cilës do ta informojmë opinionin”, ka theksuar Shaqiri.

Në prag të grevës së paralajmëruar nga SASHK, Shaqiri thotë se pagat në arsim në tre vitet e fundit janë rritur për 21 përqind, në shumën absolute për 4.000 denarë për mësues me 10 vite stazh, dhe thekson se mësuesit janë hallka më e rëndësishme në procesin arsimor.

Shaqiri thotë se MASH në vazhdimësi punon në rritjen e motivimit të mësuesve dhe përmirësimin e kushteve për punë.

Mirëpo nga ana tjetër, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka vendosur që në vend të marsit, protesta masive të organizohet më 1 maj. Kryetari Darko Dimovski thotë se aty do të shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj mos nivelizimit të pagave me rritjen e pagës minimale.

Kemi vendosur në vend të marshit të 1 marsit, të bëjmë protestë për 1 maj, ku do ta shprehim revoltën tonë përshkak të mos rritjes së pagave të tjera, me rritjen e pagës minimale. Pse e them këtë? Sepse shohim që sot u publikua shporta konsumatore minimale sindikale e cila arrin në 36.786 denarë, e cila është rritur për 922 denarë për çka në janar ajo ishte 35.811 denarë. A thotë kjo se është e nevojshme që të gjitha pagat e tjera të rriten sa më shpejt, thotë Darko Dimovski, Kryetari i LSM-së.

Ndër të tjeras, ai u bëri thirrje të gjitha sindikatave, konfederatave dhe unioneve t’i bashkohen kërkesës së tyre e cila, tha, është zgjidhje korrekte për të gjithë tre partnerët social.

“U bëjmë thirrje të gjitha konfederatave të tjera, unioneve, sindikatave, punëtorëve të pakënaqur, pensionistëve t’i bashkohen protestës së 1 majit. Më 1 maj, lufta do të jetë në rrugë, jo në plazhe dhe vendpushimet e skive në mal. Ne punëtorët duhet ta marrim seriozisht këtë mesazh, të dalim më 1 maj dhe t’i realizojmë të drejtat tona”, u shpreh Dimovski.

Dimovski nuk e përjashton mundësinë që protesta të shndërrohet në grevë të përgjithshme nëse Qeveria dhe punëdhënësit në sektorin publik dhe privat nuk i përgjigjen kërkesës së tyre.

Të fundit