E premte, 26 Korrik, 2024

NATO PËRGATITET PËR BALLAFAQIM ME RUSINË NË PLAN AFATGJATË

Shkruan: Enis Shaqiri

 

Brukseli sot ka mbledhur edhe një herë ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare të NATO-s. Lufta në Ukrainë dhe mungesa e vullnetit për paqe në Kremlin ka bërë që 30-anëtarët e Aleancës Veri-atlantike të shqyrtojnë hapat e ardhshëm në këtë drejtim.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili përfaqëson Maqedoninë e Veriut në këtë takim të NATO-s, është takuar me Pekka Haavisto, Ministrin e Punëve të Jashtme të Finlandës.

“Biseduam për avancimin e marrëdhënieve bilaterale ndërsa shkëmbyem mendime edhe për sfidat aktuale dhe pasojat mbi sigurinë e përgjithshme evropiane. U pajtuam se është e nevojshme për një përgjigje strategjike të Evropës, që do të përfshijë një proces të përshpejtuar të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, si dhe vazhdimi i politikave të dyerve të hapura të NATO-s,” ka shkuruar Osmani në Facebook.

Tema kryesore e sesioneve ishte situata aktuale e sigurisë e shkaktuar nga invazioni ushtarak rus mbi Ukrainën, si dhe masat dhe aktivitetet e marra nga Aleanca për mbrojtjen e territorit dhe garantimin e sigurisë së të gjitha vendeve anëtare të NATO-s.

Ministrat diskutuan edhe për Konceptin e ri Strategjik të NATO-s, marrëdhëniet me vendet partnere të Aleancës dhe mënyrat për rritjen e ndihmës politike dhe praktike për vendet partnere, të cilat janë të ekspozuara ndaj një rreziku më të madh.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se ende nuk kanë parë asnjë tregues se qëllimi i Putin për të kontrolluar të gjithë vendin ka ndryshuar.

Duke folur për gazetarët përpara një takimi në Bruksel, Stoltenberg paralajmëroi gjithashtu se lufta në Ukrainë mund të zgjasë me vite.

“Ne nuk kemi parë asnjë tregues se presidenti Putin ka ndryshuar ambicien e tij për të kontrolluar të gjithë Ukrainën dhe gjithashtu për të rishkruar rendin ndërkombëtar, kështu që ne duhet të jemi të përgatitur për një afat të gjatë. Duhet të jemi realistë dhe të kuptojmë se kjo mund të zgjasë për një kohë të gjatë, për shumë muaj apo edhe vite”, deklaroi Stoltenberg.

Të fundit