E premte, 26 Korrik, 2024

MILANOVIQ: SERBËT PLOTË TALENT, SHARM E VETËSHKATËRRIM – E DUAN RUSINË E AJO ËSHTË LARG!

Presidenti kroat Zoran Milanoviq ka uruar Aleksandar Vuçiqin për fitoren në zgjedhjet presidenciale të së dielës në Serbi.  ‘Kam bërë thirrje për bashkëpunim me Serbinë dhe për të vendosur se ku duan të jenë, sepse Rusia është larg. Sikurse fliste Nikola Shubiq Zrinski – cari është larg, Zoti lartë,‘- citon KDP deklaratën e Milanoviqit bërë të hënën në forumin kroato-amerikan me rastin e 30 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike në Zagreb.

Ai thotë se i përgëzon fituesit, me të gjitha, siç tha, deformimet e demokracisë: ‘I përgëzoj, e them pa cinizëm. Serbia duhet të vendosë nëse është Perëndim. Është një perëndim gjeografik e çfarë është në kuptimin e përcaktimit politik – këtë duhet ta vendosin ata. Unë kam folur se përparimi kroat gjatë 30 viteve të fundit është një rrëfim i dyfishtë. Ne prisnim të jemi të zhvilluar si Spanja – po nuk jemi. Por  jemi më të zhvilluar se Serbia, ama kjo nuk mjafton’- tha Milanoviq.

Presidenti kroat tha se dëshironte fqinjë normalë.

‘Serbia nuk është mjerim, por disa fenomene janë. Mjerim është frustrimi kur nuk përparon me tempin që je i aftë, kurse Serbia është. Serbia pati një politikë kameleoni, e duan Rusinë për të cilën janë një fusnotë e vogël dhe e njollosur. Tani Rusia ka marrë një rrugë, ku ka mbetur Serbia? Tani duhet të vendosin se ku janë. Kjo me Rusinë është e gjitha fiksion, deluzion,’- tha Milanoviq  duke shtuar se serbët janë një kategori e veçantë politike.

‘Plot talent, sharm, herë-herë me autodestruksion. Unë dëshiroj të kem fqinjë normalë. Njerëz që nuk do të mburren se blenë dofarë avionë të përdorur dhe do të maten me Kroacinë kush është më i fortë,’- transmeton KDP.

Të fundit