E shtunë, 27 Korrik, 2024

AKADEMIK BEXHETI I PËRGJIGJET PAVLOVSKIT E QULAVKOVËS

‘I ftoj kur të duan dhe ku të duan për një ballafaqim-debat shkencor e besa, nëse duan, edhe politik!’ Kështu ka deklaruar për portalin KDPOLITIK.COM akademik Abdylmenaf Bexheti pas kritikave të së shtunës të dy anëtarëve të ASHAM-së, Bozhin Pavlovski e Katica Qulavkova lidhur me rezultatet e shpallura të regjistrimit të popullsisë. Sipas tij, tani duhet hequr nga Kushtetuta normën e  ‘20 përqindshit’ që përcakton të drejtat e shqiptarëve.

Në reagimin e tij të parë lidhur me rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Maqedonin e Veriut, që për arsye politike u shty disaa herë, ish-nënkryetari i Komisionit Shtetëror për Regjistrim, më 2011, Abdylmenaf Bexheti, thotë se ‘pa analizuar thellë detajet e rezultateve, me një gjykim racional, mendoj se epilogu i regjistrimit të popullsisë dha rezultate të pritshme’.

Duke folur për portalin kdpolitik.com, Bexheti u shpreh se tani ‘sfida jonë mbetet të punojmë në procesin e përfshirjes sa më të lartë të diasporës. Mbështetur në analizat e dy dekadave të fundit dhe të publikuara, numri i përgjithshëm i diasporës është i ulët dhe, konform kësaj, edhe përqindja shqiptare (rreth 2/3), po ashtu. Çështja e dytë sfiduese ështe numri relativisht i lartë i të paregjistruarëve. Analizat hulumtuese do të duhet të orientohen në përllogaritjen etnike të 132.000 banorëve të paregjistruar. E treta, duhet të jetë e vërteta – të ndryshojë formulimi kushtetues dhe ligjor i gjuhës nga ‘gjuhë e 20 përqindshit’, në ‘gjuhë shqipe’’– thotë ai.

Bexheti i cili është edhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut, i cilëson si ‘fataliste’ kritikat e fundit të dy anëtarëve maqedonas nga ky institucion, Bozhin Pavlovski e Katica Qulavkova, se politikanët shqiptarë Ahmeti, Grubi e Osmani, por edhe Presidenti i Shqipërisë dhe Kryeministri i Kosovës, kanë ndikuar në rezultatin e Regjistrimit të popullsisë (Pavlovski’, përkatësisht se ai ‘është një tjetër tregues se maqedonasit janë ‘në fazën përfundimtare, terminale, të shuarjes së shtetit kombëtar maqedonas dhe të delegjitimimit të kombit maqedonas’(Qulavkova): ‘Për sa u përket disa deklaratave fataliste të dy kolegëve nga ASHAM, njëri nga Australia, të cilit sipas Statutit të Akademise duhet t’i pushojë statusi akademik, sepse mbi një vit është jashtë vendit dhe merr shpërblime, kompensime, akademike nga tatimpaguesit e vendit, kurse kjo tjetra, ‘paternalistja kujdestare’ e maqedonizmit, ka problem me komplekset e veta identitare, nuk dëshiroj të komentoj më tepër! I ftoj kur të duan dhe ku të duan për një ballafaqim-debat  shkencor e besa, nëse duan, edhe politik!’ – tha akademik Bexheti për KDP-në.

Të fundit