E shtunë, 27 Korrik, 2024

RRITJA E EUROSKEPTICIZMIT PASOJË E VONESËS SË INTEGRIMIT

Sipas një ankete në Maqedoninë e Veriut ka rënë ndjeshëm besimi në BE-në. Analisti politik Xhenur Iseni, thotë se euroskeptizimi  vjen për shkak të vonesave në procesin eurointegrues. Edhe analisti Petar Arsovski mendon se rritja e mosbesimit në BE vjen si pasojë e vonesave në procesin e eurointegrimeve, mirëpo sipas tij,  qytetarët edhe pse kanë deklaruar se nuk kanë besim tek BE-ja prapë ato BE-në e shohin si të vetmen zgjidhje.

Shkruan: Gentuar Ismaili

Ulja e besimi të qytetarëve të vendit në Bashkimin Evropian sa vjen e rritet. Sipas njohësve të rrethanave politike kjo ndodh për shkak se Maqedonisë së Veriut disa herë i është shtyrë marrja e dritës jeshile dhe nisja e procesit eurointergues. Aktualisht për shkak të vetos bullgare.

Analisti politik Xhenur Iseni, thotë se euroskeptizimi në vendin tonë është për shkak të vonesave në procesin eurointegrues. Skepticizmin dhe si rrjedhojë ikjen e të rinjve nga vendi, shton më tej Iseni,  e ka shkaktuar mungesa e kushteve elementare për jetë.

“Pakujdesia me vite të kushteve për mbijetesë të të rinjve, siç janë punësimet në bazë të profesionit dhe ekonomia e dobët e pagës në sektorin privat, rezultojnë me ikje të të rinjve në vendet e huaja dhe mosbesim të institucioneve. Shtesë, mosbesimi në institucionet e vendit të cilët promovojnë eurointegrimin të kushtëzuar me reforma, pasqyrohet ndaj mosbesimit në institucionet evropiane dhe presionit të butë që rezulton me euro-skepticizëm. Po flasim vazhdimisht për data që shtyhen dhe pas të cilave rritet euroskepticizmi. Por në përgjithësi nëse flasim, qytetarët kanë të drejtë të jenë të dekurajuar dhe të jenë skeptik me ngjarjet e ndodhura deri më tani”, thekson Iseni.

Edhe analisti Petar Arsovski mendon se rritja e mosbesimit në BE vjen si pasojë e vonesave në procesin e eurointegrimeve, mirëpo sipas tij,  qytetarët edhe pse kanë deklaruar se nuk kanë besim tek BE-ja prapë ato BE-në e shohin si të vetmen zgjidhje.

“Edhe pse ka disa zvogëlime të besimit në BE, përsëri përqindja e qytetarëve që deklarojnë mbështetjen në integrimet euroatlantike mbetet i lartë, përafërsisht 80 përqind. Qytetarët çdoherë kanë të drejtë që të ndjehen ashtu siç duan, shqetësimi i tyre është i drejtë. Përsëri mosbesimi nuk është aq i theksuar. Sigurisht që do të ketë destabilizime në rajon. Shqipëria do të kërkojë ndarje, që me siguri do të ndodhë, dhe ne do të mbesim të fundit. Në Maqedoni dhe në rajon do të ketë pasoja, për shkak se vendet e mbetura nuk do i besojnë më BE-së”, thekson Arsovski.

Sipas një ankete të realizuar nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis”, të prezantuar në shkurt të këtij viti, besimi i qytetareve të Republikës së Maqedonisë së Veriut ndaj BE-së është ulur ndjeshëm. Sipas kësaj ankete besimi i qytetarëve ka rënë nga 34 % në vitin 2019, në 9.

Përndryshe, Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-së kurse nga viti 2004 është kandidate për anëtarësim në BE.

Të fundit