E shtunë, 27 Korrik, 2024

Petkov optimist për rezultatet e negociatave me Maqedoninë

“Unë jam optimist dhe shpresoj për rezultate sa më shpejt të jetë e mundur,” tha kryeministri bullgar Kiril Petkov, i pyetur për bisedimet mes Shkupit e Sofjes. Ai vuri në dukje se aktualisht është duke u zhvilluar formulimi i një marrëveshjeje të mundshme dhe negociatat do të intensifikohen në javët në vijim. Sipas kryeministrit bullgar, një lajm i mirë vjen edhe nga Komisioni i Përbashkët Historik.

“Nuk do të hyja ende në detaje konkrete, por nga Komisioni Historik jam informuar se kanë arritur marrëveshje të plotë, sidomos për figura të rëndësishme historike. Detajet e plota do t’jua tregoj së shpejti. Ka përparim në disa tema historike, në një mënyrë shumë konstruktive dhe realiste, dhe kjo do të ndihmojë në përshpejtimin e procesit të negociatave”, tha Kiril Petkov – Kryeministër i Bullgarisë.

Bashkëkryetari i Komisionit të Përbashkët Historik, Dragi Gjorgiev, tha për Alsat se takimi i fundit i historianëve është mbajtur në fund të shkurtit, ndërsa takimi i radhës është caktuar për këtë të enjte në Shkup. Gjorgiev nuk i vlerësoi rezultatet si “progres”, por tha se tani puna e Komisionit po zhvillohet në një atmosferë shumë më konstruktive.

Petkov, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, theksoi se ka tema të caktuara, siç janë të drejtat e bullgarëve në vend, të cilat ende janë duke u diskutuar, por nga ana tjetër ai është i kënaqur me rezultatet e grupeve të punës të sapoformuara mes dy vendeve. Këtë qëndrim e ndan edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski.

“Për sa i përket çështjeve politike, ministrat e jashtëm të dy vendeve janë duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Tani janë në nivel të shkëmbimit të ideve dhe dokumenteve, por ende nuk ka dokument përfundimtar për të cilin është arritur marrëveshje dhe sapo të kemi marrëveshje të tillë do ta ndajmë me institucionet përkatëse”, u shpreh Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

Kovaçevski është në vizitë në Sofje me ftesë të Petkovit, i cili u bëri thirrje krerëve të përbashkët të qeverive të vendeve anëtare të NATO-s nga Evropa Juglindore, të cilët u angazhuan për bashkëpunim më të madh ekonomik dhe ushtarak.

Të fundit