E shtunë, 27 Korrik, 2024

AHMETI POSTON VIDEO TË RE: LSDM DHE VMRO-DPMNE KANË NJË QËLLIM PËR BDI-NË

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka postuar sot një video të re në Facebook, ku i ka përmbledhur të gjitha deklaratat e VMRO-DPMNE dhe LSDM kundër BDI, përcjell KDP.

“Dikur LSDM, sot VMRO DPMNE, e njëjta fushatë, i njëjti narrativ, e njëjta strategji me qëllim të njejtë”, shkruan Ahmeti për orvatjet e vazhdueshme të dy partive maqedonase që BDI-në ta dërgojnë në opozitë.

“Janë qytetarët ata që vendosin fatin e partive politike në vend dhe përcaktojnë përgjegjësinë për udhëheqjen e shtetit në përputhje me pritshmëritë e tyre”, vlerëson Ahmeti.

Për fushatën e liderit të VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, Ahmeti shkruan: “Asgjë e re, film i pamë, me skenar të vjetër dhe jokreativ, me ritransmetime të shpeshta me aktorë të ndryshëm.”

“Ne, punën tonë në të mirën e shoqërisë dhe të qytetarëve si dhe të instalimit të politikave konstruktive dhe bashkëpunimit midis subjekteve në të mirën e vendit, do ta vazhdojmë dhe i ftojmë të gjitha partitë politike të miren me proekte e programe dhe jo me njerëz e parti”, apelon Ahmeti.

Sipas tij, vota e qytetarit në demokraci dhe shoqëri multietnike është e shenjtë dhe përcaktuese për stabilitetin institucional të vendit. ” Me doemos duhet respektuar (vota) nga të gjithë që synojnë të bartin përgjegjësi për ta drejtuar vendin duke ndërtuar politika të qëndrueshme, pa i përsëritur gabimet e të kaluarës”, përfundon postimin Ahmeti.

 

Link deri te videoja: https://fb.watch/c09O2XDv-U/

Të fundit