E shtunë, 27 Korrik, 2024

IKJA E TË RINJVE, SHTERIM I KAPITALIT NJERËZOR DHE SOCIAL

Nga perspektiva e aktivistëve të organizatave rinore ikja e të rinjve shihet si një fenomen shqetësues dhe kompleks. Zëvendësdrejtoresha e LDA (Leadership Development Association) në Maqedoninë e Veriut, Dona Kuçi, e cilëson largimin e të rinjve si një fenomen tejet shqetësues. Sipas saj, shterja e kapitalit social dhe njerëzor ndikon negativisht në potencialin e zhvillimit dhe rritjes të vendit tonë, pasojat e së cilës do të fillojmë t’i ndjejmë së shpejti. Ndërsa, Gentuar Ismaili, anëtar i Forumit Rinor Shqiptar thotë se pavarësisht nga rrethanat është kundër largimit të të rinjve. Sipas tij, të rinjtë duhet të jenë zëri i ndryshimit dhe jo i nënshtrimit

Shkruan: Valmisa Novi

Rritja e numrit të të rinjve të cilët largohen nga vendi po kthehet në një eksod masiv, duke kapur përmasat e një emergjencë sociale. Dukuria e globalizimit apo internacionalizimit duket sikur i ka dhënë një natyralitet këtij fenomeni, madje shkëmbimi i eksperiencave të ndryshme jashtë vendit amë është i inkurajuar, por largimi nga vendi pa një perspektiv për rikthim përbën një shterim të kapitalit social dhe njerëzor të vendit.

Zëvendësdrejtoresha e LDA (Leadership Development Association) në Maqedoninë e Veriut, Dona Kuçi, e cilëson largimin e të rinjve si një fenomen tejet shqetësues, madje shton se gjatë punës së saj ka vëzhguar shumë raste të prekura prej kësaj dukurie.

Seria e faktorëve që i shtyjnë të rinjtë të ndërmarrin një hap të tillë është e njohur botërisht, ku faktorët ekonomik dhe social përbëjnë peshën më të madhe. Ëndrra për një jetë më të mirë e gjen realizimin përtej kufijve shtetëror, aty ku toka e premtuar i pret të rinjtë me krahë hapur. Po, me krahë hapur pasiqë procedurat për të udhëtuar dhe punuar jashtë vendit po lehtësohen gjithnjë e më shumë. Profesionistët e rinj po e ndiejnë mungesën e afirmimit dhe vlerësimit në vendin e punës, për këtë arsye, duke njohur kapacitetet vetiake, orientohen drejt vendeve më të zhvilluara për mundësi të reja avancimi në karrierën e tyre, mundësi që nuk i gjejnë në vend. Kuçi shprehet se nga vendi po largohen kuadro të mira profesioniste, duke shtuar gjithashtu se në vend po pakësohen zejet dhe zanatet. Fenomeni i largimit të kuadrove njihet ndryshe me termin “ikja e trurit”. Tregues konkret për këtë fenomen është pikërisht rritja e numrit të kërkesave për lëshimin e dokumenteve të nevojshme për procedurat e nostrifikimit të diplomave, pra ekuivalentimi i kualifikimit profesional të përfituar në një shtet prej një shteti tjetër. Përgjegjësi i zyrës për arsim në Universitetin e Tetovës, Ibrahim Neziri thotë se trendi i kërkesave për dokumentet e nevojshme për nostrifikim është në rritje dhe i vazhdueshëm, sidomos për njohjen e diplomave universitare në vendet e BE-s, por kryesisht në Gjermani dhe Zvicër. Neziri thotë se treguesi kryesor i largimit të të rinjve nga vendi është ulja e numrit të përgjithshëm të studentëve të regjistruar, gjegjësisht atyre që regjistrohen dhe më pas i pauzojnë studimet për periudha të caktuara, e në disa raste edhe duke i transferuar studimet jashtë Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Së fundmi, Gentuar Ismaili, anëtar i Forumit Rinor Shqiptar, shprehet se pavarësisht se një pjesë e madhe e të rinjve, përfshirë këtu dhe individë nga rrethi i ngushtë shoqëror dhe familjar kanë shprehur dëshirën për t’u larguar nga vendi, të motivuar kryesisht prej stadardit më të mirë ekonomik, kushteve më të mira të jetesës dhe sistemit më të rregullt shtetëror, është kundër largimit nga vendi. Ai shton se ndërtimi i shtetit është detyrë e rinisë, duke përmendur se qëllimi i tij si qytetar i mirë është të shkollohet, të punësohet dhe të japë kontributet e veta në shoqëri. Ismaili thotë se “dëshira ime do të ishte që të rinjtë tanë të rrinë këtu dhe së bashku ta forcojmë shtetin tonë, ta ndryshojmë atë, pra të jemi zëri ndryshimit e jo nënshtrimit, sepse ne jemi ardhmëria e këtij vendi.”

 

Ndërkohë Kuçi mendon se të rinjtë duhet të lihen të lirë për të ndjekur zemrat dhe ëndrrat e tyre, sidomos kur largimi nga vendi përkthehet në vlerë pozitive për individët në mënyrë të veçantë por edhe për kombin në përgjithësi, duke na bërë krenar jashtë kufijve tanë. Duke qëndruar në kornizat e reales, Kuçi pohon se ideja apo mendimi për t’u larguar nga vendi, në varësi të rrethanave, i ka kaluar çdokujt në mend. Gjithsesi, përtej përfitimit shpirtëror që mund të përcjellë ndjenja e krenarisë, shterja e kapitalit social dhe njerëzor ndikon negativisht në potencialin e zhvillimit dhe rritjes të vendit tonë, pasojat e të cilës do të fillojmë t’i ndjejmë së shpejti.

Të fundit