E premte, 26 Korrik, 2024

NJË DORËHEQJE MES VLERËSIMIT DHE SULMEVE

Dorëheqja e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha ka ngjallur reagime të shumta në Shqipëri. Ambasadat e huaja e kanë vlerësuar si një akt përgjegjësie “Vënia e interesave të partisë dhe të vendit mbi ato personale është shenjë e udhëheqjes së vërtetë”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-ve. Edhe ambasada britanike e ka vlerësuar dorëheqjen dhe shpreh bindjen se tashmë hapet një garë demokratike brenda PD-së që do ta çojë këtë partie të ecë përpara. Nuk kanë munguar as sulmet nga analistë politikë dhe bashkë partiakë të cilët dorëheqjen e kanë cilësuar si “hipokrizi” dhe për “skema të interesave personale”.

Shkruan: Enis Shaqiri

Lulzim Basha ishte kryetari i pestë i partisë Demokratike, ndërkohë që ditë më parë dha dorëheqje. Basha udhëhoqi selinë e demokratëve nga 15 shtatori i 2013 deri më 21 mars 2022.
Menjëherë pas dorëheqjes Basha kujton zgjedhjet e 30 viteve më parë kur fitoi PD-ja. Basha këtë rrugëtim e përshkroi si një nga rrugëtimet e vështira ku mes sukseseve kishte edhe dështime.
Një ditë pasi dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike, Basha shkruan se “demokratët sot meritojnë dhe do të kenë një Parti Demokratike të fortë, parimore, në krah të njerëzve dhe të aleatëve strategjikë, e gatshme për t’u përballur dhe për të fituar mbi të keqen që i ka zënë frymën vendit”.
Rrugëtimin e së djathtës, Basha, e konsideron të gjatë dhe shumë të vështirë “me suksese që kanë shënuar për mirë jetën e shqiptarëve, dhe dështime që na kanë ndarë nga ajo shumicë dërrmuese shqiptarësh që në 1992-shin i dhanë jetë ëndrrës për një Shqipëri evropianë”.
Ndërkohë nuk kanë munguar kritikat dhe sulmet për dorëheqjen e tij.
Deputeti i PD-së, Edmond Spaho, në një postim në rrjetet sociale,  Bashën e ka cilësuar si një matrapaz dhe hileqar i pabesë pasi “dorëheqja” e tij ishte skemë për interesat e tij personale. Spaho thekson se Basha po mundohet të kontrollojë PD-në për të shpëtuar nga dënimi që mund të vijë nga larja e parave ruse në Amerikë dhe çështja e “Toyota Jaris” në Belgjikë.
“Për këto probleme te tija te mëdha dhe detyrimet ende të pambyllura që ka me Ramën, ai do vazhdojë të tentojë të mbajë litarin zvarrë në PD me 3-4 sejmenët e tij. Demokratet duhet te bashkohen, t’i besojnë votës së lirë dhe të zgjedhin në krye të PD-së atë kandidat që ata i besojnë dhe ka dhënë prova. Imponimet dhe skemat nga Heminguej Bar nuk prodhojnë drejtues që të çojnë në fitore dhe do mbajnë Ramën në pushtet”, shkruan Spaho
Nga ana tjetër ambasada amerikane dhe ajo britanike në Tiranë, vendimin e marrë nga Lulzim Basha e cilësojnë si shenjë e udhëheqjes së vërtetë.
“Vendimi i marrë nga Lulzim Basha sot për t’u dorëhequr si kryetar i Partisë Demokratike meriton respekt. Vënia e interesave të partisë dhe të vendit mbi ato personale është shenjë e udhëheqjes së vërtetë”.
“Shpresojmë që vendimi do të përcaktojë rrugën që Partia Demokratike të ecë përpara drejt së ardhmes; do të forcojë marrëdhënien e veçantë të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara; do të përforcojë mbështetjen për reformat dhe përpjekjet e tjera për qëllimin e Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së dhe do të ritheksojë parimet dhe idealet demokratike mbi të cilat u themelua”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-vë në Tiranë.
Ndërsa në reagimin e ambasadës së Britanisë së Madhe thuhet se inkurajimi dhe procesi zgjedhor do të lejojë PD-në të ecë përpara, në mbështetje të së ardhmes Euro-Atlantike të Shqipërisë.
“Respektojmë vendimin e Lulzim Bashës për t’u dorëhequr si Kryetar i Partisë Demokratike. Ne inkurajojmë tashmë një proces zgjedhor të brendshëm të lirë dhe të ndershëm, që të lejojë PD-në të ecë përpara, në mbështetje të së ardhmes Euro-Atlantike të Shqipërisë. Çdo demokraci ka nevojë për një opozitë të fortë, që mban përgjegjëse qeverinë dhe ofron një alternativë sa më të mirë për qytetarët. Të gjitha partitë politike duhet të promovojnë dhe zgjedhin përfaqësues me standardet më të larta etike dhe profesionale”, thuhet në postimin e plotë të Ambasadës Britanike.
Gazetari dhe publicisti politik, Andi Bushati largimin e Bashës e cilëson si të pasinqertë. Bushati dorëheqjen e sinkronizon me thënien “më mirë e pasinqertë sesa hiç fare.”
Sipas tij, akti i Bashës nuk është as fryt i një kredoje morale, e as pasojë e një procesi reflektimi,  ky akt më shumë i ngjan një lëvizje që e bëjnë të gjithë ata që gjenden me shpatulla për muri.
“Pra, parë në këtë aspekt, akti i Bashës nuk është as fryt i një kredoje morale, as pasojë e një procesi reflektimi. Më shumë ai ngjan me lëvizjet e dëshpëruara që bëjnë të gjithë ata që gjenden me shpatulla për muri. Por, përtej këtyre nuancave që zakonisht në politikë i lë në hije veprimi, dorëheqja e Bashës nuk është nga ato që janë për t’u marrë shembull dhe që mbahen mend gjatë në shoqëri. Dhe këtë më qartë se kudo mund ta lexosh në tekstin që e shoqëroi. Aty bien në sy disa gënjeshtra të mëdha”, ka deklaruar Bushati.
Së fundmi mësohet se drejtuesi tranzitor i Partisë Demokratike do të jetë nënkryetari i partisë dhe kryetari i Grupit Parlamentar, Enkelejd Alibeaj.

 

Të fundit