E shtunë, 27 Korrik, 2024

MALIQI: KURTI THELLOI HENDEKUN ME NDËRKOMBËTARËT, BEOGRADI I FËRKON DUART

Analisti i njohur Shkëlzen Maliqi është shprehur i zhgënjyer me qeverisjen një-vjeçare të kryeministrit Albin Kurti. Ai ka bërë me dije se pas një viti nuk sheh asnjë arritje thelbësore. Maliqi ka vlerësuar se gjatë kësaj qeverisjeje është vërejtur vetëm vazhdim i trendeve të pamatura populliste dhe vetizoluese. Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka thënë se euforia e “qeverisë së shpresës” s’ka mundur të konvertohet në qeverisje efikase. Sipas tij, kjo nuk ka ndodhur sepse Kurti bëri një qeveri me ministra pa përvojë, përcjell KDP.

“Pas një viti nuk shoh asnjë arritje thelbësore, por vetëm vazhdim të trendeve të pamatura populliste dhe vetizoluese që filluan më qeveritë e mëparshme, sidomos me Ramush Haredinajn, i cili edhe si opozitë edhe si pozitë promovonte axhamillëkun e moskoordinimit me SHBA-të dhe BE-në, në çështjet kyçe për të cilat Kosova nuk mund të udhëheqë politikat e veta “sovrane”, përderisa nuk e ka sovrenitetin e plotë dhe domosdo duhet të koordinohet me vendet perëndimore aleate, para së gjithash me SHBA-të, por edhe BE-në. Sot kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë”, ka thënë Maliqi.

Sipas tij, verdiktin më të saktë për qeverisjen e Kurtit e kanë dhënë votuesit në zgjedhjet lokale në tetor të vitit 2021, kur pas 6 muajve në pushtet, binomi Kurti – Osmani humbi një të tretën e votave që i kishte në shkurt.

Maliqi ka vlerësuar se qeveria e Kurtit i ka notat pozitive në dy çështje: në luftimin e korrupsionit dhe në demonstrimin e vendosmërisë që të mos lejohen më praktikat e tolerimit të sjelljeve “separatiste” në veri të Kosovës. “E thashë se janë kushtimisht pozitive sepse në disa raste demonstrimi i të drejtave sovrane në tërë territorin e Kosovës është përputhur me fushatat elektorale, dhe janë dukur si veprime populliste me rrezik të konsiderueshëm sepse dyshohej se janë bërë pa bashkëpunimin paraprak me faktorët ndërkombëtar”.

Notën më negative Qeveria Kurti, sipas Maliqit, e ka në raportet me shtetet aleate të Kosovës kur ndaj tyre edhe hapur shfaq qëndrime “sovraniste”. “Kështu, për vazhdimin e dialogut me Serbinë Kurti nuk nguronte që BE-së, si facilitatore e procesit, pa konsulta paraprake, t’i japë mësime mbi “ndryshimin e formatit të dialogut” dhe se çfarë duhet të jetë roli i BE-së në dialog. Kjo mendjemadhësi e tij i ka lënë gojëhapur përfaqësuesit e Brukselit, por edhe ata të Beogradit. Këta të dytit fërkonin duart që vetë Kurti po e hap hendekun në raportet e Kosovës me Perëndimin”.

Maliqi ka thënë se Kryeministrin Kurti fansat e tij të shumtë e konsiderojnë si njeri të lexuar dhe të mençur, por ka theksuar se “ai është formuar intelektualisht dhe si aktivist politik në një frymë ideologjike eksluziviste, që nuk e lejon të mendojë dhe të veprojë jashtë suazave të dogmave revolucionare dhe progresiste, që ai i ka kombinuar edhe me idenë e çlirimit dhe të bashkimit të kombit shqiptar”.

“Që Kurti aspak nuk ka qenë vigjilent dhe i përgatitur për proceset e reja gjeostrategjike, si kriza e energjisë, nevoja për ringjalljen ekonomike dhe rritjen e punësimit, për planifikime të tërheqjes së investimeve të huaja etj., këto shihen qartë. Në të vërtetë për çdo projekt që është paraqitur si shans që, në këto aspekte, të bëhen hapat parandalues ose hapat përpara, ai është treguar bllokues. Shembulli më i mirë është refuzimi i 200 milionë dollarëve amerikane për sigurimin e gazit si burim alternativë të energjisë që sot ashiqare shihet si gabim i pafalshëm”, ka thënë Maliqi.

Shembulli i dytë, sipas tij, është vazhdimi i injorimit nga ana e Kurtit e Marrëveshjes së Shtëpisë së Bardhë nga koha e Presidentit Trump, që përmban paketën e stimulimit të fuqishëm të ekonomisë kosovare, e aprovuar edhe nga administrata e re e Presidentit Baiden. “Ky rast tregon se Kurti më shumë motivohet nga inati ndaj atyre që e kanë arritur marrëveshjen, në këtë rast ish-kryeministri Avdullah Hoti, se sa i analizon pa emocione përfitimet reale nga marrëveshjet e nënshkruara, që përndryshe edhe hynë në korpusin e obligimeve ndërkombëtare të shtetit.”

I obsesionuar me teoritë konspiracioniste për qëllimet e errëta të imperializmit amerikan, Maliqi ka nënvizuar se “Kurti e refuzon edhe projektin Open Balkan, që po kështu hyn në planet për stimulimin e ekonomisë së rajonit dhe e ka përkrahjen e SHBA-së dhe BE-së”.

Opozita, sipas tij, pas tronditjes së madhe që përjetoi para një viti, i ka mbledhur forcat, bëri përtëritje serioze të posteve udhëheqëse, u forcua me kuadro të reja dhe punoi mjaft në riorganizimin e brendshëm. “Suksesi në zgjedhjet lokale ka qenë një satisfakcion premtues, por kanë ende punë për t’u stabilizuar. Në disa raste, gjatë pandemisë dhe për projektet e ndihmave për qytetarët dhe bizneset, kanë treguar se mund të ngriten mbi interesat partiake në favor të interesave të përgjithshme dhe të shtetit.”

“Ky vit dhe kriza aktuale pas agresionit të Rusisë në Ukrainë besoj se ua hap mundësinë partive opozitare që të paraqiten me ide kreative për bashkërenditje të platformave vepruese sepse sot edhe kriza e rendit botëror kërkon hartimin e një platforme koncesuale politike karshi situatës gjeostrategjike. Kjo duhet të bëhet edhe me Qeverinë, por nëse ajo nuk pranon bashkëpunimin, atëherë mund ta bëhet edhe si një formë e bashkëpunimit opozitar që do të fuqizonte edhe presionin ndaj qeverisë për të qenë më e përgjegjshme, dhe do të ndihmonte opozitën të ketë ndikim më të madh në opinion”, ka thënë Maliqi.

Të fundit