Kryeministri Rama gjatë një takimi të mbajtur në Universitetin Bujqësor të Tiranës, me rastin e një bashkëpunimi me Michigan State University, ka ironizuar me ambasadoren, Yuri Kim, raporton Euronews Albania, përcjell KDP.
Rama tha se SHBA premtojnë shumë dhe bëjnë pak, duke iu referuar zotimit për marrjen e emigrantëve nga Afganistani.
Pas kësaj ironie, ambasadorja reagoi duke iu thënë kryeministrit Rama se çfarë pati duke shtuar se mos pati ndonjë problem me përkthimin.
Kreu i qeverisë e vazhdoi më tej shakanë duke thënë se ishte problem i përkthimit dhe se duhet të pushtojnë punonjësen.
Gjatë këtij diskutimi në fund të takimit mes Ramës dhe Kim, të regjistruar nga regjia e vetë qeverisë, pasi televizionet nuk kanë qenë të pranishme, zëri është bllokuar për disa sekonda.
Diskutimi:
Rama: Studentët afganë këtu kanë gjetur jo vetëm një mikpritje të mirë, por edhe një hapësirë ku ndihen mirë. Pas pak do të shkojnë përtej oqeanit dhe shpresoj të mos mërziten se nuk do t’i trajtojnë kaq mirë sa i trajtojmë ne këtu. Po do mësohen edhe ata si të mos i trajnojnë mirë të tjerët dhe në rregull do të jenë”, tha Rama.
Kanadaja ka marrë një pjesë të madhe, edhe SHBA po marrin, jo aq sa premtuan por një pjesë, se e kanë çik si këtë zakon që premtojnë shumë edhe bëjnë më pak se ç’premtojnë kur vjen puna tek gjërat konkrete, por kur vjen puna te standardet dhe vlerat pastaj, aty na japin pa pushim gjatë gjithë kohës se nga ato kanë shumë.
Po ne i marrim me kënaqësi edhe po qe puna për standard, për vlera dhe për predikime i kemi këtu, ditë, natë na japin me bujari të madhe çfarë duhet të bëni. Kur vjen puna te këto gjërat konkrete, japin por një çikë më me kujdes se nuk kanë të shkretët, nuk janë në pozitë që të japin shumë. S’ka problem.
Megjithatë, na vjen shumë mirë që sot jemi të gjithë bashkë këtu edhe me ambasadoren. Më pëlqeu shumë ajo pjesa që tha rektori: ju garantojmë zonja ambasadore… M’u kujtua koha kur vinte sekretari i partisë nga komiteti dhe i thoshte ai dekani i vjetër: Ju garantojmë shoku sekretar i komitetit të partisë se ne do punojmë që partia dhe populli të jenë krenarë për ne. Edhe ne ju garantojmë, patjetër. Faleminderit shumë, këto kisha unë edhe suksese dhe rroftë miqësia shqiptaro-afgane.
Kim: Si e ke hallin? Jam e sigurtë që kishte diçka me përkthimin, nuk ishte i saktë. Dëgjova diçka të çuditshme.
Rama: Sigurisht, është faji i përkthyeses shqiptare. Thjesht pushojeni nga puna. Ja do pushohet përkthyesi tani.
Përkthyesja: Mendojnë se do të pushohem.