E premte, 26 Korrik, 2024

Ende asnjë ndihmë nga Kosova për të zhvendosurit ukrainas

Me gjithë thirrjet e disa organizatave humanitare në rrjetet sociale, Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka grumbulluar asnjë ndihmë për popullatën e zhvendosur nga lufta në Ukrainë.

Në tri javët e para të luftës, numri i refugjatëve që kanë ikur nga Ukraina ka kaluar tre milionëshin.

Pjesa më e madhe e tyre është vendosur në Poloni dhe vende të tjera fqinje të Ukrainës, por disa dhjetëra kanë arritur tashmë edhe në vende të Ballkanit Perëndimor, si Serbi, Bosnje e Hercegovinë dhe Mal të Zi.

Kosova ka shprehur, po ashtu, gatishmëri për pranimin e 5,000 refugjatëve.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë më 9 mars se Qeveria është duke shqyrtuar mundësinë e krijimit të një fondi, për t’iu dalë në ndihmë atyre që ikin nga dhuna në Ukrainë.

E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë për më shumë detaje rreth krijimit të fondit, MPJD-ja nuk është përgjigjur.

Nga shoqata humanitare “Nëna Terezë” në Kosovë thonë se janë në pritje të krijimit të këtij fondi, në mënyrë që më pas të nisin aksionin për mbledhjen e ndihmave.

“Ne ende nuk e kemi shpallur këtë aksion, sepse pres që të zyrtarizohet kjo iniciativë. Më pas të dal publikisht dhe të kërkoj ndihmë nga prodhuesit vendorë për të ndihmuar në këtë drejtim… Por, edhe qytetarët të japin, qoftë produkte ushqimore, apo materiale të tjera të nevojshme”, thotë kryetari i shoqatës “Nëna Terezë”, Zef Shala.

Kryqi i Kuq i Kosovës ka publikuar një llogari bankare në mediat sociale, duke iu bërë thirrje qytetarëve që të ofrojnë ndihmë financiare për ukrainasit e zhvendosur.

“Kemi preferuar që ndihmat të jenë në mënyrë financiare, në mënyrë që ato të transferohen më pas drejtpërdrejt në llogarinë bankare të Kryqit të Kuq të Ukrainës”, thotë Armend Shala, zyrtar për marrëdhënie me publikun në këtë organizatë.

Edhe pse llogaria bankare ka disa ditë që është publike, aty nuk është transferuar ende asnjë mjet.

 

*lexo me shume ne REL

Të fundit