E diel, 19 Maj, 2024

Vritet një shtetas amerikan në Ukrainë

Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi të enjten se një shtetas amerikan u vra në një sulm rus në qytetin ukrainas Çernihiv.

Identiteti i amerikanit të vrarë nuk është bërë i ditur. Ai është shtetasi i dytë amerikan që u vra në konflikt, pas vrasjes së gazetarit dhe regjisorit Brent Renaud javën e kaluar.

Policia e Çernihivit tha se kishte një sulm me artileri të rëndë në qytet dhe se në mesin e civilëve të vrarë ishte një shtetas amerikan.

Në Çernihiv, qytet në veri të Kievit, gjatë 24 orëve të fundit u vranë të paktën 53 persona, gjatë sulmeve të rënda ajrore ruse.

Edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të enjten se një shtetas amerikan u vra në Ukrainë në mes të pushtimit të vazhdueshëm rus.

“Unë mund të konfirmoj se një shtetas amerikan është vrarë. Nuk kam më shumë detaje”, u tha Blinken gazetarëve në një konferencë për shtyp.

Blinken tha se pajtohet me presidentin, Joe Biden, se në Ukrainë janë kryer krime lufte.

Ai tha se ekspertët amerikanë janë në proces të dokumentimit dhe vlerësimit të krimeve të mundshme të luftës të kryera në Ukrainë.

Të fundit