E premte, 26 Korrik, 2024

NJË BOTË E TRONDITUR NË “KTHETRAT” E DEPRESIONIT

Informacioni i limituar, përhapja e vrullshme e keqinformacionit, limitimi i lëvizjes së lirë, izolimi për periudha të gjata kohore, frika për humbjen e familjarëve, humbja e vendit të punës e për pasojë dhe humbja e sigurisë ekonomike, stigma shoqërore e të qënit i infektuar, distancimi social janë ndër faktorët kryesor që kanë ndikuar në rritjen e nivelit të depresionit, duke e kaluar nga niveli individual në rangun e depresionit qytetar. Prej fillimit të pandemisë e deri më sot, vetëm në SHBA ka një rritje  prej 35 për qind të rasteve të prekura nga depresioni. Një përqindje e tillë, e konvertuar në shifra njerëzore është alarmuese

Shkruan: Valmisa Novi

Për një përiudhë të gjatë kohore vëmendja e botës ishtë fokusuar te pandemia, të cilën akoma nuk e kemi lënë pas. Një pjesë e jetës u paralizua kurse pjesa tjetër u vendos në funksion të luftimit të këtij armiku të padukshëm. Së bashku me të, me përmasa të frikshme, në mënyrë të heshtur dhe duke shërbyer si katalizator, pati një rritje eksponenciale ajo që quhet ndryshe e keqja e shekullit: depresioni. Sipas të dhënave të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 280 milion njërëz vuajnë prej depresionit. Por kjo është vetëm një pjesë e rasteve të konfirmuara, pasiqë shumë vuajnë në heshtje, duke iu frikësuar stigmës shoqërore që lidhet në përgjithësi me sëmundjet mendore. OBSH-ja e cilëson depresionin si shkaktarin kryesor të aftësisë së kufizuar në livel botëror. Prej fillimit të pandemisë e deri më sot, vetëm në SHBA ka një rritje të prej 35% të rasteve të prekura nga depresioni. Një përqindje e tillë, e konvertuar në shifra njerëzore është alarmuese.

Ndonëse jeta është e paparashikueshme, njeriu si natyrë e vendos një rregull vetjak brenda kësaj paparashikueshmërie, duke u munduar t’i japë drejtim jetës së vetë. Mungesa e kontrollit mbi drejtimin që marrin ngjarjet në jetën e gjithësecilit të shkakton një ndjesi pasigurie, aq më tepër kur rrethanat nuk varen nga vetë ne. Përjetimi i kësaj ndjesie për afate të gjata kohore mund të ndikojë në negativisht në psiqikën e njeriut. Informacioni i limituar, përhapja e vrullshme e keqinformacionit, limitimi i lëvizjes së lirë, izolimi për periudha të gjata kohore, frika për humbjen e familjarëve, humbja e vendit të punës e për pasojë dhe humbja e sigurisë ekonomike, stigma shoqërore e të qënit i infektuar, distancimi social janë ndër faktorët kryesor që kanë ndikuar në rritjen e nivelit të depresionit, duke e kaluar nga niveli individual në rangun e depresionit qytetar.

Njerëzit i drejtonin sytë nga bluzat e bardha në fytyrat e të cilëve lexonin hapur mungesën e përgjigjeve. Ky armik i padukshëm kapi të papërgatitur të diturin dhe të paditurin. E kur i dituri nuk di, çfarë do t’i mësojë të paditurit? Në një situatë të tillë gjeti fushë veprimi spekulimi. Shumë kush gjeti hapësirë të të shprehurit, duke përhapur hipoteza të cilat u pranuan si teori nga një pjesë jo e mirëshkolluar e njerëzve. Për pjesën dërrmuese të njerëzve, jeta ashtu siç e kishin njohur, ndryshoi rrënjësisht. Në momente të caktuara e kishe të ndaluar të dilje nga shtëpia, e çuditërisht njerëzit revoltoheshin më shumë me këtë fakt sesa me faktin që armiku tinëzar po bënte kërdinë me jetët njerëzore. Ndoshta revolta është pikërisht shprehja e fazes së parë të ndryshimit, që është mohimi. Realiteti i ri u konkretizua në momentin kur sëmundja filloi të mbërthejë të njohurit, të afërmit, familjarët, e më pas na kaploi trishtimi. Filloi distancimi, izolimi, ndërprerja e aktiviteteve të caktuara të sferës shoqërore, ekonomike, kulturore.

Shumë humbën mundësinë për sigurimin e fitimit të jetesës, për vetën e tyre, për familjen e tyre. E kështu vijuam te zemërimi. Megjithatë shpresat i mbanim se afër ishte përfundimi, por jo. Duke mos e parë dritën e bardhë në fund të tunelit, pas zemërimit erdhi depresioni. Tani e dy vjet prej fillimit të kësaj gjendjeje, duke vazhduar të dëshpëruar të shpresojmë për rikthimin në normalitet, bota fillon përballet me krizën e pasardhëse, pa e kaluar këtë në të cilën ndodhemi. Edhe ne po bëjmë luftën tonë, luftën për mbijetesë, me çmimet e produkteve të shportës që rriten çdo ditë, ndërsa të ardhurat ngelen konstante. Konstante sikurse faza e depresionit që na ka kapluar në kthetrat e saj, duke mos na lënë të zhvendosemi në fazën e rradhës.

Të fundit