E shtunë, 27 Korrik, 2024

“MAKTHI” I RREZATIMIT BËRTHAMOR, SHTOHET INTERESIMI PËR TABLETAT E JODIT

Njerëzit nga shumë vende të Evropës mes makthit të pasojave bërthamore, të frikësuar nga një përshkallëzim në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, kanë filluar të grumbullojnë tableta jodi. Në Ukrainë janë dërguar tableta të jodit të cilat janë shpërndarë falas. Nëpër disa barnatore edhe në Maqedoninë e Veriut është vërejtur interesimi për tableta të jodit, por që mbetet i ulët. Sipas informacioneve këto tableta ka kohë që nuk importohen. Ekspertët thonë se një gjë e tillë është e panevojshme. Sipas tyre, Maqedona e Veriut nuk rrezikohet nga një aksident i mundshëm në termocentralet bërthamore të Ukrainës për shkak të distancës së madhe.    

Shkruan: Puhiza Osmani

Rreziku i mundëshëm i një shpërthim bërthamor nga lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, ka nxitur frikë tek njerëzit në të gjithë Evropën për të grumbulluar tableta jodi kundër radioaktivitetit.

Nga momenti kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi forcat e parandalimit bërthamor në gatishmëri të lartë dhe luftimet shpërthyen në vendet e dy prej centraleve bërthamore të Ukrainës, Çernobilit dhe Zaporizhzhisë, ka patur një hov kërkesash në lidhje me jodin në farmacitë e nëntë vendeve të BE-së.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian gjithashtu njoftoi të dielën se Franca i kishte dërguar Ukrainës tableta jodit për të ndihmuar vendin të mbrojë qytetarët e tij në rast të një aksidenti bërthamor.

Në Maqedoninë e Veriut nuk ka pasur numër aq të madh kërkesash nga ana e njerëzve, megjithatë nëpër barnatoret në të cilat janë pyetur, kanë theksuar që një produk i tillë ka vite që nuk importohet. Tableta të ngjajshme që janë gjetur janë kapsulat me acid folik dhe jodur kaliumi që kushtojnë 243 denarë, por që nuk reduktonin efektet e rrezatimit.

Në një barnatore tjetër kërkesat për jod kanë qenë më të larta ku një paketim prej 180 kapsulash me jodur kaliumi ka kushtuar rreth 1.150 denarë.

Kryetari i Kuvendit të Odës së Mjekëve, Xhabir Bajrami, u shpreh që deri më tani nga Ministria e Shëndetësisë nuk ka pasur ndonjë vendim apo paralajmërim për shpërndarjen e këtyre tabletave. Sipas tij tabletat duhet të merren vetëm me udhëzimin e ekspertëve të shëndetit publik.

“ Tabletat e jodit mund të merren për të reduktuar rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjendrës tiroide në rast të një aksidenti bërthamor. Jodi radioaktiv i çliruar gjatë një ngjarjeje të tillë mund të përthithet nga gjëndra tiroide kur thithim ajrin e kontaminuar, por tabletat e jodit ndihmojnë në ndalimin e kësaj përthithjeje duke zvogëluar rrezikun e zhvillimit të kancerit të kësaj gjendre”, thotë Bajrami.

Zoran Velkovski nga Sektori për mbrojtje nga rrezatimi në Institutin e Shëndetësisë Publike gjithashtu konsideron se nuk ka nevojë për blerje të tabletave me jod.

“Tabletat e jodit merren në afërsi, le të themi, të një aksidenti në termocentralin bërthamor, hipotetikisht, kështu që ato duhet të merren sidomos nga të rinjtë nën 40-45 vjeç. Se cila do të jetë katastrofa dhe çfarë ndikimi do të ketë në mjedis dhe popullatë, një gjë e tillë nuk mund të parashikohet paraprakisht””, thotë Velkovski.

 Në raste të një katastrofe të tillë ISHP dhe Drejtoria për Sigurinë e Rrezatimit ka pajisje për të monitoruar radioaktivitetin dhe kontaminimin e mundshëm të ajrit, tokës, ujit, ushqimit, përveç sistemit të automatizuar me stacione matëse.

Inspektori për siguri nga rrezatimi, Goran Trajkov, nuk pret që Maqedonia të ketë pasoja të mëdha nga një aksident i mundshëm në termocentralet bërthamore të Ukrainës, për shkak të distancës së madhe.

Spasevska, theksoi se me pushtimin e një pjese të termocentraleve bërthamore të Ukrainës janë shkelur të gjitha parimet e sigurisë së një objekti bërthamor, megjithatë beson se incidenti i paqëllimshëm apo aksidenti i planifikuar nuk është i mundur, sepse Rusia do t’i vuajë pasojat.

 

 

Të fundit