E diel, 16 Qershor, 2024

GJND-ja urdhëron Rusinë që ta ndalë pushtimin e Ukrainës

Gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara e ka urdhëruar Rusinë që ta ndalë operacionin e saj ushtarak në Ukrainë, teksa gjyqtarët thanë se ishin “thellësisht të shqetësuar” nga pushtimi i paprovokuar i Moskës, që nisi muajin e kaluar.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) publikoi vendimin më 16 mars, duke thënë se 13 gjyqtarë votuan për dhe dy kundër këtij vendimi. Ky urdhër jen pasi Kievi ka ngritur një rast për pretendimet ruse se Ukraina po kryen gjenocid në shtet, gjë që ishte edhe një prej preteksteve të Rusisë për të nisur pushtimin më 24 shkurt.

“Gjykata është e vetëdijshme për shtrirjen e tragjedisë njerëzore që po ndodh në Ukrainë. Gjykata është thellësisht e shqetësuar për përdorimin e forcës nga Federata Ruse në Ukrainë, që ngre çështje shumë serioze të së drejtës ndërkombëtare”, tha gjyqtarja Joan Donoghue gjatë leximit të vendimit të gjykatës.

Në urdhrin e Gjykatës po ashtu u tha se Moska duhet të sigurojë se “çdo formacion i parregullt ushtarak apo i armatosur, që mund të drejtohet apo mbështetet nga ajo, por edhe organizatat dhe personat që mund të jenë nën kontrollin e saj, duhet të ndalojnë veprimet ushtarake”.

Të dy urdhrat u lëshuan teksa ende nuk është marrë një vendim final për rastin.

Gjykata po ashtu tha se të dyja palët “duhet të përmbahen nga çdo veprim i mëtejmë që mund ta përkeqësojë mospajtimet para gjykatës, duke e bërë më të vështirë që gjykata t’i zgjidhë ato”.

GJND-ja zgjidh kërkesat që dorëzojnë shtetet lidhur me pretendimet për shkelje të ligjit ndërkombëtar. Ky është institucioni më i lartë juridik i Kombeve të Bashkuara.

Të fundit