50 zyrtarë shtetëror në mesin e tyre 48 zyrtarë policorë dhe dy zyrtarë doganorë janë arrestuar gjatë së hënës pas në dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në mesin e të arrestuarve janë edhe dy komandantë të policisë kufitare, njëri në pikën kufitare të Qafë Morinës dhe tjetri të Qafë Prushit. Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, ka thënë se cak i hetimeve ishin 68 persona, 18 prej të cilëve ende janë në kërkim, disa prej tyre nuk janë shtetas të Kosovës.
Të arrestuarit dyshohen për veprat penale “Marrje ryshfeti” dhe “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”. Në mesin e të dyshuarve janë edhe disa shtetas të Shqipërisë, të dyshuar për dhënie ryshfeti.
Operacionit i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, e ka lavdëruar Prokurorinë Speciale për ketë aksion, ndonëse pyetjeve kryesore në konferencë nuk u ka dhënë përgjigje.
“Është e parakohshme të japim përgjigje në pyetjet e juaja të cilat i parashtruat. Këtë do ta bëjmë në momentin që do t’i ndërmarrim dhe kryejmë të gjitha veprimet hetimore”, tha Lumezi.
Në konferencë i pranishëm ishte edhe kryeprokurori special Blerim Isufaj. Ai është prokurori që e udhëheq këtë rast.
Isufaj është në garë për Kryeprokuror të Shtetit. Ky aksion është zhvilluar katër ditë para së Isufaj të intervistohet për këtë pozitë.
Por Lumezi nuk ka pranuar që ka ndonjë ndërlidhje të këtij aksioni e garës për pasardhësin e tij.
“Duhet t’i drejtohen lavde Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale dhe drejtorit të Inspektoratit e kurrsesi nuk duhet të lidhet me procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit”, tha Lumezi.
Aty të pranishëm ishin edhe kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, e drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Hodaj ka thënë se 50 zyrtarët e arrestuar janë të përfshirë në 400 veprime kriminale, ndërsa Mehmeti ka vlerësuar së pikërisht të tilla operacione kundër individëve brenda policisë tregojnë përkushtimin e tyre për të luftuar kriminalitetin brenda.
“Zyrtarët e arrestuar nga Policia dhe Dogana ishin përfshirë në mbi 400 veprimtari kriminale të veprës penale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Inspektorati ka realizuar operacionin ‘Pika’. Realizimi i operacionin është përkrahur nga AKI-ja dhe ka rezultuar i suksesshëm”, tha Hodaj.
“Policia e ka prioritet forcimin e integritetit duke identifikuar rreziqe brenda organizatës. Misioni dhe prioriteti ynë është integriteti policor, duke luftuar dukuritë negative të individëve të caktuar. Policia do të vazhdojë angazhimin e detyrave. Pikërisht kjo çka ndodh sot jemi duke ndërmarrë veprime operacionale. Pjesë e operacioni ka qenë edhe Policia e Kosovës”, deklaroi drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
/Koha