E premte, 13 Dhjetor, 2024

A është e jashtëligjshme që të huajt të luftojnë për Ukrainën?

Teksa mijëra qytetarë të huaj po shkojnë në Ukrainë në mënyrë vullnetare, me qëllim që t’i ndihmojnë këtij shteti të mbrojë veten nga pushtimi rus, disa prej tyre mund të përballen me pasoja ligjore kur të kthehen në shtetet e tyre.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor sanksionojnë pjesëmarrjen në konflikte apo luftëra të huaja. Në Kosovë, shembull, që prej vitit 2015 ndalohet bashkëngjitja në konflikte të armatosura jashtë vendit. Qytetarët e Kosovës mund të dënohen deri në 15 vjet burgim nëse marrin pjesë në një konflikt të armatosur jashtë territorit të shtetit.

Pjesëmarrja në konflikte të huaj po ashtu u ndalohet shtetasve të Shqipërisë dhe ata mund të dënohen deri në dhjetë vjet burgim.

Në Maqedoni të Veriut gjithashtu ka një legjislacion të ngjashëm dhe qytetarët atje mund të dënohen nga tre deri në dhjetë vjet burgim nëse i bashkohen konflikteve jashtë vendit. Dënimi varet nga vepra penale dhe e kaluara e individit që ka shkelur ligjin.

Në Mal të Zi, që prej vitit 2015 është ligji që sanksionon deri me dhjetë vjet burgim pjesëmarrjen në konfliktet e huaja.

Legjislacioni në Kroaci po ashtu parandalon pjesëmarrjen e qytetarët në akte të dhunës që mund të kenë për qëllim rrëzimin e një qeverie apo cenimin e integritetit territorial të një shteti. Për këtë vepër penale, dënimi parashihet nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Ekstremistët djathtistë stërvitin fëmijët dhe pensionistët ukrainas për luftë

No media source currently available

0:000:03:460:00

Ndërkaq, për personat që marrin pjesë në konflikte të armatosura dhe kanë përfitime monetare nga pjesëmarrja e tyre në to, dënimi, sipas Kodit Penal kroat, nuk mund të jetë më i gjatë se tre vjet.

Edhe Bosnje e Hercegovina ndalon pjesëmarrjen në luftëra të huaja dhe nëse shkelet ky rregull, qytetarët mund të dënohen minimum me tre vjet burgim.

Në Serbi po ashtu parashihet dënim deri në dhjet vjet burgim për pjesëmarrje në konflikte të huaja. Më shumë se 300 shtetas serbë kanë shkuar në lindje të Ukrainës, ku separatistët pro-rusë kanë luftuar me trupat qeveritare ukrainase. Beogradi zyrtar, në periudhën 2015-2018 ka shqiptuar 32 dënime për pjesëmarrjen në konfliktin në lindje të Ukrainës. Dënimet, megjithatë kanë qenë kryesisht të buta.

Bratislav Zhivkoviq (R), anëtar i grupit paramilitar serb dhe një anëtar i njësisë lokale të vetëmbrojtjes duke drejtuar një pikë kontrolli në autostradën midis Simferopolit dhe Sevastopolit në gadishullin e Krimesë, 13 mars 2014.

LEXONI EDHE KËTË:

Vullnetarët nga Serbia në Ukrainë: Pengesa politike dhe ushtarake

Por, përveç qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, që sanksionohen për pjesëmarrje në luftëra të huaja, edhe shtete të tjera të botës kanë ligje që ndalojnë bashkëngjitjen në konflikte të armatosura.

Sa i përket pushtimit të Ukrainës, që Rusia e nisi më 24 shkurt, qytetarët e Kanadasë, Gjeorgjisë, Indisë, Japonisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara janë në mesin e vullnetarëve që i janë bashkuar luftimeve, kanë raportuar mediat ndërkombëtare.

Më poshtë mund të lexoni një artikull të Reuters, ku mund të mësoni për disa prej ligjeve që mund të aplikohen ndaj luftëtarëve të huaj, të cilët kanë vendosur që t’iu bashkohen luftës në Ukrainë.

A është e jashtëligjshme që amerikanët të luftojnë në luftëra të huaja?

Shtetasve amerikanë nuk u ndalohet që të shërbejnë për ushtri të shteteve të tjera, thuhet në ueb-faqen e Departamentit amerikan të Shtetit. Nëse ata shërbejnë si oficerë ose të luftojnë kundër një shteti që është në paqe me SHBA-në, kjo gjë mund të jetë si bazë që ata të heqin dorë vullnetarisht nga shtetësia amerikane, por precedentët në Gjykatën Supreme thonë se vetëm shërbimi ushtarak jashtë vendit, nuk mund të jetë arsyeja kryesore që dikujt t’i hiqet shtetësia amerikane.

"Fëmijët tanë po vdesin": Banorja e Harkivit kërkon ndalimfluturim mbi Ukrainë

No media source currently available

0:000:02:280:00

Ndërkaq, një ligj tjetër amerikan, që daton nga viti 1794, i ashtuquajtur Akti i Neutralitetit, ua ndalon qytetarëve që të luftojnë kundër qeverive të huaja që janë në paqe me Uashingtonin, dhe sipas këtij legjislacioni, ata mund të dënohen deri në tre vjet burgim. Ky ligj, që teknikisht mund të aplikohet për veprime ushtarake kundër Rusisë, u përdor për të ndjekur penalisht amerikanët e përfshirë në një tentim grusht-shteti në Gambi më 2014. Por, përndryshe, ky ligj është zbatuar rrallë në historinë moderne, tha David Malet, profesor në Universitetin Amerikan në Uashington D.C.

“Në mungesë të lidhjeve me terrorizmin brenda vendit, mua më duket e vështirë ta imagjinoj që amerikanët mund të ndiqen penalisht për shkuarjen në Ukrainë”, tha Malet.

Po vullnetarët nga Australia, Britania dhe India?

Britanikët që shkojnë për të luftuar në Ukrainë mund të jenë subjekt i ndjekjes penale sapo të kthehen në atdhe, thuhet në ueb-faqen e Zyrës së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, në pjesë e këshillimit të qytetarëve për udhëtimet jashtë vendit, që është përditësuar javën e kaluar. Të pyetur nga Reuters se me çfarë veprash mund të përballen vullnetarët britanikë, një zëdhënës nga kjo zyre refuzoi që të përgjigjet.

Sipas Aktit të Regjistrimit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, që për herë të fundit është përditësuar më 1870, qytetarëve u ndalohet që t’iu bashkohen ushtrive të huaja, shtetet e të cilave janë në paqe me Britaninë, por ky ligj nuk është aplikuar në konfliktet moderne. Zyra e Jashtme britanike fillimisht ka ofruar mbështetje për qytetarët që janë paraqitur vullnetarë për të luftuar në Ukrainë, por më pas i ka paralajmëruar ata që të mos udhëtojnë drejt këtij shteti.

Ushtarët ukrainas në Irpin, që gjendet në veriperëndim të Kievit. 13 mars 2022.

LEXONI EDHE KËTË:

Javët e ardhshme, vendimtare për luftën në Ukrainë

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, u ka bërë thirrje qytetarëve të vendit të tij që të mos i bashkohen luftës në Ukrainë. Muajin e kaluar, ai u tha gazetarëve se ka shumë “paqartësi” rreth pozicionit ligjor të luftëtarëve të huaj civilë.

Në Ministrinë e Brendshme indiane nuk i janë përgjigjur kërkesës për përgjigje lidhur me ligjshmërinë e shtetasve indianë për pjesëmarrje në luftë përkrah forcave ukrainase. Në një rast të përfshirjes së indianëve, që udhëtuan për në Irak më 2015, ministria i tha Gjykatës së Lartë të Delhit se lejimi i indianëve që të marrin pjesë në një konflikt të një shteti të huaj “mund të çojë në pretendime se Qeveria indiane po promovon terrorizmin në shtetet tjera”.

A ka shtete që i lejojnë qytetarët të marrin pjesë në luftëra të huaja?

Gjermania ka thënë se nuk do të ndjekë penalisht personat që vullnetarisht do t’iu bashkohen luftimeve.

Ndërkaq, liderët e Danimarkës dhe Letonisë kanë thënë se do të lejojnë që qytetarët e tyre të shkojnë vullnetarisht në Ukrainë.

Ministrja e Mbrojtjes së Kanadasë, Anita Anand, tha se “është vendim individual” nëse kanadezët duan të shkojnë të luftojnë në Ukrainë.

Një luftëtar pro-rus në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut kalon pranë një tanku që ka të vizatuar simbolin 'Z'. 6 mars 2022,

LEXONI EDHE KËTË:

‘Z’ – Simboli i luftës së Putinit në Ukrainë

Çka nëse luftëtarët e huaj kapen rob në Ukrainë?

Ligji ndërkombëtar kërkon që forcat ruse të trajtojnë luftëtarët e huaj si të burgosur të luftës, pavarësisht nacionalitetit të tyre, tha Daphné Richemond-Barak, profesoreshë në Shkollën Lauder në Izrael për Qeverisje, Diplomaci dhe Strategji. Kjo nënkupton që ushtarët rusë duhet t’u japin ushqim, ujë dhe tretman mjekësor vullnetarëve që mund të zihen rob.

Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë tha javën e kaluar se “mercenarët” perëndimorë, që po luftojnë për Ukrainën, nuk do të trajtohen si luftëtarë të ligjshëm dhe do të përballen me ndjekje penale apo edhe më keq, raportoi agjencie ruse e lajmeve, TASS.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

LEXONI EDHE KËTË:

Zelensky, nënave ruse: Mos i dërgoni fëmijët në luftë

A munden vullnetarët të ndiqen penalisht për kryerje të krimeve në luftë?

Për shkak se vullnetarët do të luftojnë si pjesëtarë të ushtrisë ukrainase, ata kanë pak gjasa që të përballen me vepra penale për veprime specifike në luftë kur të kthehen në shtetet e tyre. Megjithatë, këtu bëjnë përjashtim krimet e luftës apo vepra të ngjashme, për të cilat ata do të ndiqen penalisht, vlerësojnë ekspertët.

Të fundit