E diel, 3 Nëntor, 2024

MESAZHET EUROPIANE TË BORELLIT: E ARDHMJA JUAJ ËSHTË E ARDHMJA JONË

Vizita e shefit të diplomacisë evropiane, Josef Borelli, në Shkup, ka përcjellë mesazhin e angazhimeve të BE-së për integrim të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane. Në Shkup kjo vizitë është vlerësuar si “dritë e realitetit të ri gjeopolitik në Evropë”. “Ne jemi plotësisht të përkushtuar për të mbështetur një rajon demokratik, të begatë dhe të sigurt të Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar Borelli. Analistët politik theksojnë se rajoni i Ballkanit mbetet zonë gjeopolitike tërheqëse për fuqitë botërore. Por, sipas tyre kemi një rikthim domethënës të vëmendjes së SHBA-së dhe BE-së ndaj rajonit.

Shkruan: Enis Shaqiri

Shefi për diplomaci evropiane, Josep Borell, në kuadër të vizitës 3 ditore në Ballkanin Perëndimor, vizitën e ka filluar nga Shkupi i Maqedonisë së Veriut.
Kryediplomati përmes një postimi në Twitter, shprehi kënaqësinë për vizitën në Shkup dhe shprehi optimizmin për të mbështetur një rajon demokratik siç është Ballkani.
“Gëzohem që nis udhëtimin tim në Ballkanin Perëndimor në Shkupin magjepsës. Ne jemi plotësisht të përkushtuar për të mbështetur një rajon demokratik, të begatë dhe të sigurt të Ballkanit Perëndimor. Ne qëndrojmë të bashkuar. E ardhmja juaj është e ardhmja jonë ”, ka theksuar Borelli.
Gjatë vizitës në Maqedoni, shefi i diplomacisë europiane ka takuar presidentin e vendit, Stevo Pendarovski.
Nga presidenca kanë njoftuar se, Pendarovski e vlerësoi vizitën e përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme në Maqedoninë e Veriut dhe se përkushtimi dhe mbështetja e BE-së për Ballkanin Perëndimor  shënohet si dritë e realitetit të ri gjeopolitik në Evropë.
Presidenti Pendarovski nënvizoi se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë vendim për fillim të negociatave inkuadruese nga këshilli i BE-së që nga marsi i vitit i vitit 2020 dhe se fillimi i negociatave për vendin është test për kredibilitetin e Bashkimit Evropian.
“Me dinamikat e reja gjeopolitike, ne nuk flasim për përshpejtimin e procesit tonë, duke pasur parasysh se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë vendim për fillim të negociatave inkuadruese nga Këshilli i BE-së që nga marsi vitit 2020”, ka theksuar Pendarovski gjatë takimit.
Mes të tjerash  Pendarovski ka theksuar se Maqedonia e Veriut është dëshmuar si Partner kredibil i BE-së, ndërsa bllokimi i mëtejmë i negociatave, së bashku me Shqipërinë, është i pakuptimtë.
Takimi i Josep Borell në Maqedoninë e Veriut ka vazhduar me kryeministrin e vendit, Dimitar Kovaçevski.
Në takimin Borell-Kovaçevski, u përshëndet vendimi i RMV-së për vendosje të sanksioneve ndaj Rusisë, ndërkohë që është njoftuar se Bashkimi Evropian është kah fundi i miratimit të pakos së katërt të sanksioneve ndaj Rusisë, dhe se lufta e Putinit nuk është vetëm luftë me Ukrainën, por bëhet fjalë për siguri në gjithë kontinentin evropian.
Mes të tjerash, Borelli ka komentuar edhe për kontestin mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Ai ka inkurajuar të dyja palët që të arrijnë një zgjidhje të pranueshme, sa më shpejt të jetë e mundur.

“I inkurajoj të dyja palët që të zgjidhin çështjet bilaterale, sepse procesi i zgjerimit nuk mund ta vazhdojë pa zgjidhjen e çështjeve bilaterale. Te gjithë aktorët duhet të punojnë në zbatimin e reformave, në përmbushjen e agjendës evropiane. Biseduam për shqetësimin që kanë edhe qytetarët, për çështjen e sigurisë dhe rritjes së çmimeve të energjisë dhe të ushqimit”, ka theksuar Borelli.

Sipas tij, vlerësimet e KE-së janë se Maqedonia e Veriut e ka vendin në BE dhe se i plotëson të gjitha kushtet për nisjen e bisedimeve për anëtarësim, por ende nuk mundë të jepet një premtim i tillë.

Ndërsa Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, e falënderoi Borrellin për vizitën në kohën e duhur, si shenjë konkrete e partneritetit të fuqishëm. Sipas tij, anëtarësimi i rajonit në BE është një vlerë e shtuar thelbësore sigurie, politike dhe ekonomike për unionin.
“Besoj se këto janë momente historike që kërkojnë vendime kyçe dhe në kohë, por edhe unitet në veprimin e Bashkimit Evropian dhe vendeve të tija anëtare. Procesi ynë i ngecur i integrimit në BE është burim i një ndjeshmërie sistematike, të cilin aktorët e jashtëm e përdorin lehtësisht në aktivitetet e tyre. Prandaj, nuk ka vend për mëdyshje ndaj atyre vendeve që me gatishmëri i përmbahen vlerave, parimeve dhe standardeve të përbashkëta evropiane. Situata e këtillë është imperativ që vendet anëtare të BE-së të bëjnë përpjekje të përbashkëta, të krijojnë konsensus dhe të sjellin vendim për fillim të negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Anëtarësimi i rajonit në BE është një vlerë e shtuar thelbësore sigurie, politike dhe ekonomike për unionin”, ka theksuar Osmani.
Profesori universitar Nijazi Halili, rajonin e Ballkanit Perëndimor e sheh si një zonë gjeopolitike tërheqëse me interes për disa fuqi botërore.
Sipas tij, rajoni i Ballkanit, për shkak të heterogjenitetit të tij të veçantë dhe pozicionit të tij gjeografik, si udhëkryq mes Perëndimit dhe Lindjes, ka qenë gjithmonë një zonë gjeopolitike tërheqëse me interes për disa fuqi botërore.
Halili e sheh Ballkanin në prirjet e liderëve rajonalë që e shpërqendrojnë popullsinë nga reformat e nevojshme, duke luajtur me çështjet e ndikimit emocional dhe duke ngarkuar problemet e pazgjidhura të tre dekadave të fundit.
Sipas tij, kjo ka rezultuar në ngadalësimin e procesit të zgjerimit të BE-së në rajon dhe ndërhyrja e SHBA-së pas largimit nga paradigma “Amerika së pari”, edhe njëherë e vendos rajonin e Ballkanit Perëndimor si një lojtar të rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara si dhe për Bashkimin Evropian në përpjekjet për ta bërë këtë zonë të përparuar dhe sa më “perëndimore” të jetë e mundur.
Në një konferencë shtypi më 8 qershor 2021, Shtetet e Bashkuara njoftuan angazhimin e tyre për të luftuar korrupsionin në Ballkanin Perëndimor dhe angazhimin e tyre në garantimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon për të ofruar një demokraci solide dhe të begatë.
Mes të tjerash, sipas profesorit situatë e pasigurt në rajonin e Ballkanit është padyshim ajo mes Serbisë dhe Kosovës, ku sipas tij nuk ka asnjë marrëveshje në horizont që do të çonte në një zgjidhje të konflikteve mes dy vendeve.

Të fundit