E shtunë, 27 Korrik, 2024

QYTETARËT NË PANIKË, QEVERIA GARANTON PËR REZERVA TË QËNDRUESHME

Është vërejtur ditëve të fundit një pasiguri tek qytetarët për sa i përket mungesës me produktet bazë për jetesë. Kjo pasiguri furnizimi ka bërë që të zbrazen edhe raftet e marketeve. Përfaqësues të qeverisë kanë apeluar që qytetarët të mos bien pre e spekulimeve. Sipas tyre, Maqedonia e Veriut ka rezerva të mjaftueshme të mallrave dhe nuk ka nevojë për panik. “Dua të përsëris edhe një herë dhe t’u garantojë qytetarëve se rezerva shtetërore të mallrave janë më se të qëndrueshme”, ka theksuar ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Shkruan: Eljesa Dervishi

Ndërkohë që vazhdon luftimet në Ukrainë pas pushtimit rus, tashmë kemi çrregullim të çmimeve në nivel global, i cili ka shkaktuar turbulenca të shumta edhe në Maqedoninë e Veriut. Lëvizja e çmimeve, por edhe keqinformimi dhe format tjera të dezinformimit kanë ngjallur panik dhe pasiguri te njerëzit.

Qytetarët për çdo ditë e më tepër po përballen me rritje të çmimeve, por edhe me pasigurinë për furnizim me gjërat e domosdoshme për jetesë. Në gjithë këtë situatë, përfaqësues të qeverisë kanë dhënë shpjegime për t’i qetësuar qytetarët nga kjo pasiguri. Si dilemë jetike qëndron nëse Maqedonia e Veriut ka rezerva të mjaftueshme të mallrave për ta tejkaluar këtë situatë, e cila vjen si pasojë e krizës së përgjithshme që ka kapluar tregjet ndërkombëtare.

Në rast nevoje, shteti është i gatshëm të plotësojë rezervat e mallrave, por për momentin nuk ka nevojë për këtë, thotë ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Ai siguron se shteti ka mjaftueshëm rezerva të drithërave.

“Dua të përsëris edhe një herë dhe t’u garantojë qytetarëve se rezerva shtetërore të mallrave janë më se të qëndrueshme. Maqedonia e Veriut ka sasi të mjaftueshme të grurit dhe misrit për të mbuluar nevojat vendore. Mullinjtë apo kompanitë private në vend kanë mbi 50 mijë tonelata grurë, mbi 10 mijë tonelata misër dhe mbi 8 mijë tonelata elb, për shkak të rritjes së prodhimit vendor të grurit nga 195 mijë tonelata në vitin 2017, në 253 mijë  tonelata në vitin 2021”,  thekson  Bekteshi.

Po ashtu, për shkak invazionit të Rusisë në Ukrainë dhe krizës ekonomike botërore, nga sot e deri më 20 mars Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka ndaluar eksportin e disa drithërave dhe produkteve tjera. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka bërë të ditur se qëllimi i kësaj mase, është mbrojtja e tregut dhe prodhimit vendor që do të zgjasë 10 ditë.

“Grurë dhe thekër, elb, misër, miell nga gruri dhe thekri, farë luledielli, vaj nga fara e lulediellit. Duke marrë parasysh invazionin e Rusisë në Ukrainë dhe reperkusionet që në një situatë të këtillë janë jo vetëm për tregjet evropiane, por edhe ato botërore, mund të them se tani jetojmë në një nga krizat më të mëdha ekonomike botërore”, thotë Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Sekretari shtetëror i Ministrisë së Bujqësisë, Trajan Dimkovski thotë se rezervat vihen në funksion kur ka çrregullim më të madh të tregut.

“Në pjesën e rezervave të mallrave kanë rolin e mbajtjes së balansit në mes të kërkesës dhe ofertës, konkretisht në këtë rast bëhet fjalë për grurin, që e shohim si produkt bazë në ushqim, ku më së shumti përdoret, deri në këto momente nuk ka nevojë për aktivizimin e rezervave të mallrave, sepse kemi mjaftueshëm nëpër mullinj”, thotë Dimkovski.

Asnjë tregtar nuk do të ketë humbje nga vendimi për kufizimin e marzhave, duke marrë parasysh që kostot operative njihen në formimin e çmimit dhe jemi konsultuar më Odat Ekonomike, ka theksuar ministri Bekteshi. Vetëm për tre produkte nuk do të kenë fitim dhe nuk ka asnjë super market apo treg që ka nën 300 apo 400 produkte, ka bërë të ditur ai.

Gjithashtu, Bekteshi ka bër apel tek qytetarët që të mos bien preh e spekulimeve.

Të gjitha masat e qeverisë, por edhe shpjegimet që për çdo ditë vijnë nga përfaqësues qeveritarë tregojnë për një situatë të qëndrueshme furnizimi deri më tash. Sidoqoftë, brenda këtyre ditëve nuk kanë munguar spekulimet për mungesë furnizimesh dhe kjo ka bërë që shumë qytetarë të ndjehen të pasigurt me furnizimin me produktet bazë.

Të fundit