E hënë, 20 Maj, 2024

Analiza e Lubonjës/ Çfarë i nxori shqiptarët në rrugë, të vetmit në Europë që protestojnë

Shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja thotë se shpërthimi i protestave erdhi si pasojë e akumulimit të zemëratës qytetare. Sipas Lubonjës në asnjë vend të Europës nuk ka ende protesta për rritjen e çmimeve sepse atje ka një lloj solidarizimi të qytetarëve ndërsa këtu shqiptarët e shohin veten të vjedhur nga qeveria dhe oligarkia.

“Modeli i krijuar këtu është një model që kemi kaq kohë që flasim se si një pakicë nuk e ka problem rritjen, por është një pakicë ama. Shumica janë me rroga minimale që unë nuk e di se si jetojnë.

Karburanti, celulari, energjia elektrike, nuk dihet se si jetojnë njerëzit. Ka 30 vite kjo gjendje. Ky është sistemi oligarkik, shto edhe pastrimin e parave të pista. Shteti është i këtyre, jo i atyre të tjerëve.

Këtu për fat të keq, është filozofia që kush merr shtetin e shef si mënyrë për t’u pasuruar. Kështu ka funksionuar edhe komunizmi. Isha para ca kohësh te “5 maji”, sepse më ftuan. Aty ka investuar ai qytetari gjithë jetën, kanë bërë vila, banojnë, nuk kanë nevojë për strehim, është investim jete.

Tani çfarë ndodh. Shteti u vë ruspat. Edhe nga pikëpamja ekonomike, pse e shkatërron një shtëpi, pse? Po sepse kanë para këta trafikantët e drogës, ndërtojnë kulla. Të tjerët dalin në rrugë, sepse këta duan ato kullat atje.

Çfarë shteti është ky, një shtet që në moment krize, njerëzit ndjekin luftën, ndërsa ne protestat. Askush në Evropë nuk proteston për karburantin akoma. Ka një lloj besimi te shteti.

Këtu ka një akumulim. Shko merr njerëzit te Astiri, e prish shtëpiat. Tani prish këndej, andej. Trajto njerëzit si miza për projekte absurde për një Shqipëri. Me çfarë logjike ekonomike drejtohen këtu? Nëpër shkolla ndërtohen kulla akoma. Ky është një fragment. Një moment krize shpërthejnë njerëzit, ngaqë është mbushur kupa.

Ju thatë investime strategjike? Po kush janë këto? Ato turistiket e ndryshme atje quhen investim strategjik? Jo ato janë investim luksi oligarkiko-pastrim parash.

Pse nuk funksionon shteti? E thjeshtë, e ka kapur oligarkia. Kullat te “5 maji” qenka investim strategjik. Nëse do mendimin tim se e kam ngritur tërë kohën. Gabimi më i madh i klasës politike, është grumbullimi i shqiptarëve në Tiranë-Durrës.

Kush është industria që keni ju këtu? Është vetëm ajo e pastrimit të parave të pista. E masni se sa shqiptarë po ikin? Pse ikin ato?

Unë sot erdha nga Italia dhe atje nuk kishte protesta. I pari njeri që takova më tha që “nga këtu të ikësh natën e jo më ditën” – e mbylli Lubonja në një intervistë në studion e News 24. ©LAPSI.al

Të fundit