E premte, 26 Korrik, 2024

MASAT ANTI-KRIZË PARA DEPUTETËVE, PAKOJA “PESHON” 400 MLIONË EURO

400 milionë euro llogaritet t’i kushtojnë Qeverisë pakoja me 26 masat e miratuara për zbutjen e krizës ekonomike. Do të ketë ulje të TVSH-së nga 5 ne 0% për produktet ushqimore bazë si dhe ngrirje e marzhave. Parashihen edhe vauçerë për 35.000 qytetarë. Gjithashtu përfaqësues të qeverisë kanë paralajmëruar kontrolle në zinxhirin e tregtisë

Shkruan: Eljesa Dervishi

Pakoja anti-krizë që parasheh 26 masa për përballje me krizën ekonomike, do të jetë nesër para deputetëve.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka caktuar seancën për nesër, në ora 15 me dy pika të rendit të ditës: 0% TVSh për produktet ushqimore bazë dhe TVSh-ja dhe akciza për derivatet e naftës nga 18% ulet në 10%.

Ndërkaq, 400 milionë euro llogaritet t’i kushtojnë Qeverisë pakoja me 26 masat e miratuara për zbutjen e krizës ekonomike. Do të ketë ulje të TVSH-së nga 5 ne 0% për produktet ushqimore bazë si dhe ngrirje e marzhave. Parashihen edhe vauçerë për 35.000 qytetarë.

Në bazë të paralajmërimeve të mëhershme të autoriteteve është e mundur që TVSH-ja e energjisë të mbetet 5 përqind deri në fund të vitit edhe pse duhet të kthehej në masën 10 përqind deri në qershor.

Janë paraparë edhe masa të tjera. Një pjesë e bizneseve ditë më parë kishin  kërkuan nga Qeveria uljen e akcizës së naftës.

Pikërisht këto masa që pritet të miratohen në parlament, brenda dy ditëve të fundit janë kumtuar nga përfaqësues të qeverisë, të cilët kanë theksuar se këto masa do ta lehtësojnë jetën e qytetarëve në një kohë krize, kur çmimet po rriten vazhdimisht.

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, dje në konferencën për shtyp njoftoi se Qeveria ka miratuar gjithsej 26 masa dhe rekomandime për ballafaqim me krizën ekonomike. Poashtu përmendi edhe heqjen e TVSH-së për produktet bazë të ushqimit.

“Ulje të TVSH-së për produktet bazë nga 5 në 0 përqind. (bukë, miell, vaj, sheqer, qumësht, mishi i freskët, oriz dhe vezë)”, tha Kovaçevski.

Ndërkohë, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi tha se ka realizuar takim me tregtarët e derivateve të naftës dhe se është siguruar që kanë sasi të mjaftueshme. Bekteshi thotë se ndryshimi i çmimit të karburantit në bazë ditore ka qenë kërkesë nga ana e vetë tregtarëve pasi ka ndyshime të vazhdueshme në bursën botërore, gjë që iu shkakton humbje.

“Kërkesa e tyre ishte që çmimi nga ana e KRRE-së të formohet në bazë ditore, jo në bazë javore siç ishte më parë, për shkak se ka fluks në pjesën e çmimeve në bursë dhe aty mund të kenë humbje të mëdha,” deklaroi Bekteshi.

Po ashtu në një paraqitje televizive Bekteshi tha se janë marrë masa në zinxhirin e tregtisë, dhe se ka nënshkruar udhëzimin administrativ që marzha mos të jetë me e lartë se 3 përqind deri në 31 maj.

“Me siguri që kemi marrë parasysh edhe masa të tjera të cilat kanë të bëjnë më shumë me masat tregtare në veçanti në zinxhirin e tregtisë duke filluar nga prodhuesi te tregtarët e mëdhenj dhe tregtarët e vegjël. Sot kisha mundësinë që të nënshkruaj edhe udhëzimin administrativ apo vendimin ku të gjithë tregtarët me pakicë, pra këtu kemi fjalën për të gjithë zinxhirin e super marketeve në të gjithë Republikën e Maqedonisë së Veriut për ushqimet bazë se nuk mund të kenë marzh më shumë se 3 përqind deri në 31 maj”, tha Bekteshi.

Buka, vaji dhe mielli tip-400 do të shiten pa marzhë fitimi. Shitësit me pakicë janë të obliguar që këto produkte t’i shesin me çmimin blerës nga prodhuesit deri më 31 maj. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, tha se shitësit me pakicë dhe marketet nuk do të kenë humbje sepse bëhet fjalë vetëm për 3 produkte, thjesht nuk do të kenë fitim.

“Bëhet fjalë vetëm për 3 produkte. Shumica e tregtarëve me pakicë, marketet ose supermarketet kanë mijëra produkte tjera që do të thotë se nuk do të kenë humbje nga këto produkte, nuk do të kenë vetëm fitim sepse flasim për 3 produkte”, tha Bekteshi.

Nga sot vendi ka ndaluar edhe eksportin e vajit të gatimit, me qëllim që të kemi mjaftueshëm për nevojat vendore. Bekteshi tha se vetëm për 8 ditë janë eksportuar 330 tonë vaj gatimi në vendet fqinje dhe në BE.

“Kuptohet që ne jemi për tregti të lirë, i respektojmë të gjitha marrëveshjet që i kemi nënshkruar dhe forumet që jemi anëtarë, megjithatë së pari duhet të kujdesemi për tregun vendor. Kjo është masë e përkohshme”, tha më tej Bekteshi.

Në bazë të nevojës vendi do të ndalojë edhe eksportin e miellit, misrit dhe grurit, sepse kërkesa për këto produkte është në rritje, veçanërisht nga Greqia. Marzha e kufizuar do të hiqet nga frutat dhe perimet sepse analizat kanë treguar se çmimet e këtyre produkteve do të ulen.

Ai gjithashtu shtoi se, për kategoritë më të prekura të japin shtesë edhe mjete në formën e subvencioneve nga ana e Qeverisë.

“Andaj ne kemi vendosur që kategoritë sociale apo kategoritë më të prekura vurnerable t’u japim shtesë edhe mjete drejtpërdrejt në formën e subvencioneve nga ana e Qeverisë diku rreth 20 euro, për çdo qytetar i cili fiton nga shteti dhe nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, por njëkohësisht të rrisim edhe vlerën apo shumën, ne e quajmë për varfëri sa i përket energjisë, qoftë ajo për energji elektrike, qoftë ajo për naftë apo emergjenca të tjera të cilat ato i përdorin në amvisëritë e tyre,” tha Bekteshi.

Ndërkaq ai shtoi, se nëse vazhdon kriza atëherë me siguri që do të sjellim masa për subvencionim të kulturave të ndryshme duke marrë parasysh që jemi të varur nga importi nga Republika e Serbisë.

 

Të fundit