E premte, 26 Korrik, 2024

PRAPASKENAT E MUNDSHME PRO RUSE NË BALLKAN

Analistë politikë, njohës të mirë të zhvillimeve në rajonin e Ballkanit kanë shfaqur shqetësimin e tyre për një lojë të mundshme ruse në Ballkan nëpërmjet Serbisë. Analisti serb, Dushan Janjiq thekson se veprimet ruse në Ballkan janë në zenit, ndërkohë që vë theksin te protestat pro ruse dhe rrezikimi i qeverisë së pakicës të Dritan Abazoviçit. Ndërkohë, në një shkrim autorial në revistën gjermane “SPIEGEL” , Walter Mayr shkruan: “sikur të kishte një çmim për një qytet në Evropë, që mund të ofrojë këto ditë spektaklin publik më bizar, Beogradi do të ishte me siguri në krye të listës. Së bashku me flamujt rusë, portretet e Putinit dhe kryqe druri”.

Shkruan: Enis Shaqiri

Sipas analistit dhe profesorit serb Dushan Janjiq, synimi i Kremlinit është të destabilizohet qeveria e pakicës së Dritan Abazoviçit që t’i imponojnë personele që janë të lidhur me shërbimet ruse.
Janjiq tha se veprimtaria ruse është në zenit, ndërkohë që po tenton të bllokojë institucionet. Sipas tij, tashmë ia kanë dalë të arrijnë cakun e parë që ishte organizimi i tubimeve në mbështetje të Putin në Mal të Zi, dhe Serbi.
Ai thekson se famëkeqi Nikolai Patrushev nuk erdhi në Serbi, mirëpo udhëzimet e tij nga Rusia arritën në kohë se si duhet të veprojnë asetet e tyre në Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë, Serbi,  dhe në Republikat Serbe në BeH.
“Ata po aktivizojnë bashkëpunëtorët nëpër rajon të punojnë atë për të cilën i kanë rekrutuar. Kremlini rajonin e Ballkanit Perëndimor e shfrytëzon për ta destabilizuar si kundërpeshë e Perëndimit në Ukrainë”, thekson Janjiq
Janjiq shton se megjithëse Mali Zi është shtet anëtar i NATO-s, përsëri nuk prish punë që Rusia të krijojë fortesë në të dhe se Rusia ka futur duart në çdo vend të rajonit, si në pozitë dhe opozitë.
“Ja shihni se çfarë po bën Rusia në Serbi, ata tani janë pjesë edhe e opozitës që paraqitet si pro evropiane dhe qytetare. Po ashtu, Rusia i bën presion Vuçiqit që të mos ndryshojë politikën dhe kjo po shihet qartë në paraqitjen e ambasadorit rus në Beograd. Pasi që Beogradi dënoi agresionin në Ukrainë, u vërejt cinizmi dhe ashpërsia në fjalimin e Aleksandr Kharchenko. Për këtë është e pashmangshme që Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përkatësisht Republika Serbe do t’i nënshtrohen demonstratave masive. Kremlini me ndihmësit lokalë mund të mbledhë shumë”. ka theksuar Janjiq, duke mos përjashtuar se mund të ketë konflikt në ato tubime. Këto komente, analisti Janiq, i ka bërë për gazetën malazeze “Pobjeda”.
Nga ana tjetër revista gjermane “SPIEGEL” në tekstin me titull “Miqtë evropianë të Kremlinit” kërkon një përgjigje për pyetjen: “Cilat janë arsyet për demonstratat në Beograd në mbështetje të politikës së presidentit rus Vladimir Putin dhe çfarë loje luan këtu presidenti serb Aleksandar Vuçiq?”.
Në fillim të tekstit autori Walter Mayr shkruan: “Sikur të kishte një çmim për një qytet në Evropë, që mund të ofrojë këto ditë spektaklin publik më bizar, Beogradi do të ishte me siguri në krye të listës. Së bashku me flamujt rusë, portretet e Putinit dhe kryqe druri”.
Ai potencoi se mijëra vetë marshuan të premten (4 mars) nëpër kryeqytetin serb për të shprehur solidaritetin me krerët e Kremlinit dhe mbështetjen për luftën e tyre agresive kundër Ukrainës,
Autori e përshkruan Aleksandar Vuçiqin si “kukull të talentuar, që tërheq fijet nga prapaskena” dhe kujton se në fillimet e karrierës së tij politike ai ishte nxënës i kriminelëve të luftës si Radovan Karaxhiq, Vojisllav Sheshel dhe Sllobodan Millosheviq”. Sipas autorit, po ky ekip gjithmonë ka pasur lidhje tradicionalisht të afërta me “Nënën Rusi”.

Të fundit