E premte, 26 Korrik, 2024

BOTA ËSHTË KAQ E BRISHTË E SHPIRTI NJERËZOR KAQ MADHËSHTOR

Pavarësisht nga kjo krisje e madhe botërore e shkaktuar nga mendje thellësisht dogmatike dhe irracionale, secili nga ne duhet ta kultivojë atë mikrounivers human që i jep kuptim ekzistencës sonë në ketë botë. Bota është kaq e brishtë e shpirti njerëzor kaq madhështor

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Pikërisht atëherë kur mendojmë se çdo është tejkaluar, se çdo gjë po funksionon me ritme tjera në shoqërinë njerëzore historia i rikthen fatalisht gjërat, i rikthen në format më të vrazhda të mundshme.
Ne menduam se i kemi varrosur fantazmat e totalitarzmave të dikurshëm, dogmat që prodhojnë aitokrat dhe diktatorë, por në fakt ato kanë qenë gjithnjë aty diku duke marr formë në heshtje të plotë tinëzare, tipike mesjetare.
Agresioni rus në Ukrainë dhe fantazmat e luftës së ftohtë me ripërsëritje kërcënimesh bërthamore na bën të kuptojmë se sa e brishtë është kjo botë, sa e lëndueshme dhe sa vuajtje mund të krijojnë mendjet dogmatike që janë rritur dhe gatuar me histeritë e helmeve idelogjike.
Kjo situatë na bën të kuptojmë se përkundër një iluminimi të skajshëm në Europë, bota mbetet gjithnjë e pasigurt në ekzistencën e saj përderisa në pjesët tjera gjallojnë atavizma që mund të shfaqen kurdoherë dhe me brutalitetit të zhbëjnë pikturën dritëshumë tê progresit njerëzor.
Bota nuk e ka fituar betejën me këto fantazma fatale që ushqehen në errësirën e indiferencës dhe të modeleve ataviste.

Pa shumë fjalë, ky mbetet një moment reflektimi për mendimin suprem human, për gjithë ato institucione që prodhojnë mendim, ide dhe koncepte për ta trajtuar këtë gjëmë të brishtësisë njerëzore, e cila në çdo çast mund ta shfytyrojë gjithë arritjet e qenies njerēzore. Kjo kohë kërkon kurajo nga gjithsecili për të bërë dallim mes forcave të progresit njerëzor dhe forcave që ushqehen me errësirë, me atavizmat më fatale.
Pavarësisht nga kjo krisje e madhe botërore e shkaktuar nga mendje thellësisht dogmatike dhe irracionale, secili nga ne duhet ta kultivojë atë mikrounivers human që i jep kuptim ekzistencës sonë në ketë botë. Bota është kaq e brishtë e shpirti njerëzor kaq madhështor.
Me hukamat e fundit duhet ta mbajmë gjallë shpresën pēr më shumë dritë dhe më shumë humanitet njerēzor!

 

Të fundit