Në të njëjtën kohë, duket se Perëndimi (BE-ja dhe SHBA-ja) do duhet të jetë syçelë karshi përpjekje ruse për hapje të ndonjë vatre të re të krizës edhe në Ballkan. Mendoj se gjasat më të mëdha janë që kjo të ndodhë në Mal të Zi sesa në Kosovë, BeH ose në Maqedoninë e Veriut! Për një arsye të thjeshtë: Në Podgoricë aktualisht ka një përplasje të fuqishme ndërmjet forcave pro-serbe e pro-ruse, në njërën anë, dhe atyre malazeze e pro-perëndimore, në anën tjetër, një konflikt ky i cili mund të përshkallëzohet tani kur pritet të inaugurohet qeveria e re malazeze në ballë me Dritan Abazoviqin.
Shkruan: Seladin Xhezairi
Tash dy javë, Putini po bën kërdi në Ukraine dhe Perëndmi duket i mobilizuar si kur më parë për ta bërë zap soldateskën ruse. Në rrjetet sociale, ndërkaq ndër ne nuk është se nuk përvijohen dy a tre taborë: që mbajnë anën e njërës më shumë se të tjetrës palë dhe një palë e tretë e cila bën thirrje për një indiferencë.
Po përtej kësaj, duket se mësymja e Putinit, që nuk ishte as e papritur e as e beftë, shpërfaqi me gjithë vrazhdësinë atë të urtën fjalë tonën se “ujku qimen e ndërron ama hujet jo”! Në fakt, presidenti rus Vladimir Putin dita-ditës po propagandon se objektiv i regjimit të tij është ringjallja e perandorisë së ish-BRSS-së dhe për këtë qëllim nuk po zgjedh as mjetet.
Duke parë rrezikun e shtrirjes së Perëndimit në thellësi të kufijve imagjinarë të perandorisë së tij, dhe pas dështimit për të instaluar regjimin e tij kukull në Ukrainë pas “marrjes” së Krimesë më 2014, dhe së fundi me njohjen e dy republikave, si zgjatim i saj po në territorin e Ukrainës, në fakt vozhdi rus goditi të gjithë vendin.
Putini qe i bindur se makineria e tij vrastare do ta pushtojë Kievin zyrtar më së shumti për 72 orë. Doli që hesapet i paska bërë pa hanxhiun! Në truallin ukrainas ushtria e Putinit, e çorganizuar dhe e pamotivuar, tash dy javë po has në qëndresë të mirëorganizuar me një popull dhe lidership që dita-ditës po dëshmon se është dalzotës i fatit të vet.
Mobilizimi në shkallë kombëtare – “burrat në mbrojtje të vendit” – çdo ditë e më shumë po godet pushtuesin, edhe aty ku nuk e pret! Dhe, do pranuar, për këtë duhet guxim, duhet zotësi dhe, duhen edhe armë! Këto dy javë provuan se pas vitit 2014, Kievi zyrtar nuk paska fjetur: Goditjet e njëpasnjëshme të kolonave ruse, aktivizimi i dronëve ama edhe i koktejeve të Molotovit, flasin se ukrainasit në ballë me Presidentin Zelenski e paskan ditur se “uji fle, e hasmi jo”.
Në këtë shtrirje, reagimi i Perëndimit, i shteteve evropiane, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rezultoi të jetë i menjëhershëm dhe, pse jo, deri tani edhe i suksesshëm: Sanksionet e vendosura kundër Kremlinit, nga njëra anë, dhe shpërndarja e ndihmave ushtarake e humanitare për forca mbrojtëse te populi ukrainas, nga ana tjetër, duket se, nëse do të jenë të qëndrueshme, kanë për ta plandosur për tokë “kuçedrën” moskovite.
Në të njëjtën kohë, duket se Perëndimi (BE-ja dhe SHBA-ja) do duhet të jetë syçelë karshi përpjekje ruse për hapje të ndonjë vatre të re të krizës edhe në Ballkan. Mendoj se gjasat më të mëdha janë që kjo të ndodhë në Mal të Zi sesa në Kosovë, BeH ose në Maqedoninë e Veriut! Për një arsye të thjeshtë: Në Podgoricë aktualisht ka një përplasje të fuqishme ndërmjet forcave pro-serbe e pro-ruse, në njërën anë, dhe atyre malazeze e pro-perëndimore, në anën tjetër, një konflikt ky i cili mund të përshkallëzohet tani kur pritet të inaugurohet qeveria e re malazeze në ballë me Dritan Abazoviqin.
Prandaj, investimi më i mirë do të ishte integrimi i vendeve aspirantë në BE. Në të kundërtën, mos-solidarizimi i Beogradit me sanksionet kundër Rusisë, mund të hapë telashe të reja si për Ballkanin, ashtu edhe Perëndimin.